Flash

VIDEO/ Civilë të maskuar kundër protestuesve, bombula me gaz në selinë e PD

Lapsi.al 21 February 2026
VIDEO/ Civilë të maskuar kundër protestuesve, bombula me gaz

Policia i është kundërpërgjigjur me një agresivitet të shtuar protestuesve që Partia Demokratike thirri këtë 20 shkurt në bulevard, në një datë që përkon me rënien e bustit të diktatorit Enver Hoxha 25 vite më parë. Mesazhet për protestuesit u mbyllën shpejt dhe kishin në qendër akuzat për korrupsion, skandalet që kanë përfshirë qeverinë me kryefjalë dyshen Rama-Balluku. I fundit, si zakonisht ishte fjalimi i kreut të PD-se Sali Berishës, që e quajti Ramën pjesë të bandave kriminale duke paralajmëruar ndëshkimin e tij.

"Aldo Baret sot janë Edi Rama, Lubi Balluku, ministrat e tij, kurse kartelet e drogës, Elvis Doçi, Suel Çela janë thjesht ushtarët e tyre. Ta dinë mirë se edhe prapa diellit po të shkojnë, ne do t’i gjejmë ata, ne do t’i ndëshkojmë ata me forcën e ligjit" u shpreh Berisha.

Menjëherë pas fjalimit të Berishës, protestuesit kanë nisur të hedhin breshëri fishekzjarresh dhe molotovë që ndezën në flakë shkallët e kryeministrisë. Ky moment është tashmë një "deja vu" nga protestat e shkuara dhe në disa raste ia ka dalë të krijojë një skenografi që tërheq vëmëndjen e mediave ndërkombëtare.

Vetëm se para se organizatorët e protestës të rikrijonin këtë moment panoramik, policia ndërhyr me shpejtësi. U duk sikur Berisha nuk e kishte mbaruar fjalën, kur nga ana e kryeministrisë ka shpërthyer uji me presion që  fiku me shpejtësi flakët e molotovëve. Brenda pak sekondash sapo kishin nisur shpërthimet e para të fishekzjarrëve, protestuesit u shpërndanë me ujë me presion.

U duk se policia kishte marrë urdhër që kësaj here t'i përgjigjej protestuesve dhëmb për dhëmb.

[video width="848" height="478" mp4="https://cdnimpuls.com/lapsi.al/wp-content/uploads/2026/02/Uje-tek-kryeministria.mp4"][/video]

Sapo ujëhedhëset nisën të lëvizin përballë kryeministrisë, siç ka ndodhur në tubimet e tjera kombëtare, mbështetësit e opozitës u drejtuan për tek godina e parlamentit. Veçse aty i priste një grup tjetër i forcave të rendit, të armatosur me bombula me gaz.

[video width="848" height="478" mp4="https://cdnimpuls.com/lapsi.al/wp-content/uploads/2026/02/ujehedhese-1.mp4"][/video]

Sapo një pjesë e protestuesve hodhën flakadanët e parë në drejtim të forcave të policisë përgjigjia ka qenë e shpejtë. Rruga përballë parlamentit është mbushur me një re tymi të dendur dhe shpërthime të vogla të bombolave me gaz shoqëruar me ujë me presion për të shpërndarë turmën.

Brenda pak minutave, zona përballë parlamentit u mbulua nga tymi, ndërsa protestuesit u shpërndanë në disa drejtime. Sjellja e policisë këtu u bë akoma më agresive.

Sasi të mëdha gazi lotsjellës u hodhën jo vetëm në anën ku ishin protestuesit, por edhe në oborrin e xhamisë ku ishin duke falur namazin një numër i konsiderueshëm besimtarësh myslimanë.

[video width="848" height="480" mp4="https://cdnimpuls.com/lapsi.al/wp-content/uploads/2026/02/xhamia.mp4"][/video]

Paralelisht, ndërsa opozitarët po qëndronin në rrugë, ndërsa disa prej tyre po tërhiqeshin drejt selisë së PD, dhjetëra vetë u gjendën nën sulmin e grupeve të policëve civilë dhe u shoqëruan në komisariate për verifikim. Grupet e personave civilë që lëviznin në rrugicat përreth protestës ishin po aq të shumtë, me qëllim kapjen e çdo personi të dyshuar si protestues.

[caption id="attachment_1065299" align="alignnone" width="750"] Persona me kapuçë të zinj rrëmbejnë protestuesit[/caption]

Filmimi më poshtë është publikuar nga numri dy i PD, Flamur Noka dhe tregon civilë të maskuar, me veshje sportive që marrin protestues dhe i shoqërojnë dhunshëm për në makinat e policisë. "Ninxhat si puna e këtij dhe civilët që i dërgon krimi i organizuar për të ndaluar qytetarët të protestojnë, duke i zvarritur drejt komisariateve të policisë" shkruan Noka në rrjetet sociale.

Ndryshe nga herët e tjera, forcat e rendit përndoqën deri në selinë e Partisë Demokratike protestuesit edhe pse këto ishin duke u larguar për shkak të gazit lotsjellës.

Në videon më poshtë duket një prej protestuesve që është qëlluar në kokë me bombulën e gazit, ndërsa po qëndronte në rrugën përballë selisë blu.

[video width="848" height="474" mp4="https://cdnimpuls.com/lapsi.al/wp-content/uploads/2026/02/WhatsApp-Video-2026-02-20-at-21.18.38.mp4"][/video]

Tensionet u shtuan akoma më shumë pas vendosjes së një grupi policësh përballë selisë së Partisë Demokratike. Ndërkohë që protesta kishte mbaruar, këto shoqëronin çdokënd që dilte në rrugë. U desh ndërhyrja e deputetëve të Partisë Demokratike për të larguar forcat e rendit, që duket se kishin rrethuar selinë e partisë më të madhe në opozitë.

Në orët e vona të mbrëmjes u raportua për disa dhjetëra persona të shoqëruar me forcë në komisariate, ndërkohë që deputetët e PD ishin shpërndarë në komisariate.

Më shumë se për mesazhet politike, kjo protestë e datës 20 shkurt do të mbahet mend për mënyrën se si shteti zgjodhi të përgjigjej me sasi të mëdha gazi lotsjellës, me ujëhedhëse që u aktivizuan brenda sekondash dhe me shoqërime masive nga policë të veshur civilë dhe të maskuar. Perceptimi është ai i një reagimi më shumë represiv se herët e tjera, që pati qëllim jo thjesht ndëshkimin, por imponimin e frikës tek ata që do të tentojnë të protestojnë sërish kundër qeverisë./Lapsi.al

Të këshilluara

ide

Jo dhunës, po organizimit!

Ajo që i duhet protestës sociale sot, më shumë se dhuna, është organizmi i një fronti të gjerë anti-sistem që bën bashkë përfaqësues të grupimeve të ndryshme sociale që emërues të përbashkët kanë pakënaqësinë me funksionimin e regjimit aktual politik dhe ekonomik. Ky front, që mund të quhet Fronti Flamingove, duhet të ketë përfaqësues nga studentët, pedagogët, ambientalistët, shoqëria civile, partitë e reja politike siç është Lëvizja Bashkë, punëtorët, fermerët dhe përfaqësues të komuniteteve të cilave po u grabiten tokat nëpërmjet modeleve të turizmit elitar

15:10 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

11°c

KËMBIMI EURO

90.83

aktuale

Zbulohen prapaskenat pse u rritën papritmas taksat, biznesi paralajmëron eksod në rajon

Situata politike që po kalon vendi pas protestave të studentëve vlerësohet faktori kryesor që ka detyruar qeverinë të propozojë ndryshime të papritura të taksave, përfshirë uljen e TVSH-së në 6% të produkteve të shportës ushqimore dhe rritjen për biznesin. Në mbledhjen e Këshillit Tatimor përfaqësuesi i qeverisë pranoi se propozimet për ulje të TVSH-së për […]

06:57
Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI