Aktorja Zendaya ka nxitur spekulime se mund të jetë martuar në fshehtësi me të fejuarin e saj, Tom Holland, pasi u fotografua me një unazë të thjeshtë ari në dorën e majtë.
29-vjeçarja u pa në Beverly Hills me një unazë të thjeshtë martese, duke lënë mënjanë unazën e fejesës që kishte ekspozuar më herët. Fotot e fundit kanë ndezur menjëherë aludime në rrjetet sociale se çifti mund të ketë kurorëzuar dashurinë në fshehtësi.
Holland i propozoi në vitin 2024, ndërsa fejesa u konfirmua publikisht gjatë ndarjes së çmimeve Golden Globe Awards vitin e kaluar.
Zendaya dhe Holland u njohën në vitin 2016 gjatë xhirimeve të filmit Spider-Man: Homecoming. Thashethemet për romancë nisën një vit më pas, ndërsa në korrik 2021 ata konfirmuan lidhjen pasi u fotografuan duke u puthur në makinë.
Edhe pse janë ndër çiftet më të famshme në Hollywood, ata kanë zgjedhur ta mbajnë marrëdhënien sa më private. Në një intervistë të mëparshme, Zendaya është shprehur se të dy përpiqen të balancojnë jetën personale me atë profesionale, duke mbrojtur me fanatizëm privatësinë e tyre.
Çifti do të shfaqet së bashku në filmin The Odyssey nga regjisori Christopher Nolan, si dhe në Spider-Man: Brand New Day. Ndërkohë, Zendaya po përgatitet edhe për sezonin e tretë dhe të fundit të serialit Euphoria, si dhe për filmin “The Drama” përkrah Robert Pattinson.