Efektivë të shumtë civilë të policisë u pozicionuan pranë selisë së PD-së pasi protestuesit dhe drejtuesit e PD-se ishin kthyer në seli pas protestës para kryeministrisë. Me kapele dhe me maska ata prisnin pranë selisë blu për të kryer arrestime.
Mediat transmetuan "rrëmbimin" e një qytetari nga një grup civilësh të cilët rrinin në gadishmëri.
Grupi i policëve civilë me kapele dhe me shall në fytyrë ose të maskuar, ishte vendosur pranë ETC, përballë selisë PD. Një grup prej 6 – 7 efektivësh civilë kapën një qytetar dhe e shoqëruan me forcë drejt makinës së policisë.
Efektivët përpiqen të mbulojnë fytyrën me qëllim që të mos identifikohen nga kamera. Në prononcim qytetari u shpreh: "Nuk jam protestues. Po më shoqërojnë pa të drejtë".
Pyetjes së gazetarit të Syri TV nëse u identifikuan si punonjës policie para qytetarit që e arrestuan dhe nëse i lexuan të drejtat qytetarit, efektivët civilë nuk u përgjigjën por vijuan rrugën drejt makinës së policisë ku e futën qytetarin për ta shoqëruar drejt komisariatit. /LAPSI.al