Flash

Lidhjet me Epstein/ Si u shkatërrua reputacioni i ish-princit Andrew

Lapsi.al 19 February 2026
Lidhjet me Epstein/ Si u shkatërrua reputacioni i ish-princit Andrew

Prej disa muajsh Andrew Mountbatten Windsor, vëllai i mbretit Charles III, nuk ishte më princ. Ai ishte privuar nga titulli nga familja mbretërore britanike për shkak të lidhjeve të tij me Jeffrey Epstein. Vetë ky veprim ishte i jashtëzakonshëm, me shumë pak precedentë historikë. Arrestimi i tij është edhe më i rrallë.

Sado i madh të jetë, arrestimi përbën pikën kulmore të atij skandali, i cili u zgjerua edhe më shumë me publikimin e fundit të “Epstein files” dhe nuk është e thënë të përfundojë këtu. Ato dokumente i dhanë goditjen përfundimtare një reputacioni tashmë të rrënuar, të konsideruar të pambrojtshëm edhe nga një institucion me famë për mbrojtjen e familjes si monarkia britanike, të paktën nën Elizabeth II, nëna e Charles III dhe Andrew.

Prej kohësh flitet për përfshirjen e Mountbatten Windsor në trafikun e Epstein, financierit amerikan i dënuar për abuzime me vajza, edhe të mitura, i cili vdiq në burg në vitin 2019. Kjo e diskreditoi ish princin në sytë e opinionit publik. Tani ai është nën hetim nga policia britanike me akuza të tjera: se i ka kaluar Epstein dokumente qeveritare të rezervuara kur, mes viteve 2001 dhe 2011, mbante detyrën e përfaqësuesit tregtar të Mbretërisë së Bashkuar, një funksion që përfshinte detyrim për ruajtjen e sekretit.

Dokumentet e reja përmbajnë email në të cilat Mountbatten Windsor e njofton Epstein për mundësi investimi në provincat e Afganistanit të caktuara për Mbretërinë e Bashkuar gjatë misioneve ushtarake perëndimore, i dërgon raporte nga vizitat e tij zyrtare në Azi ose shënime të brendshme të qeverisë për krizën financiare në Islandë, ku Mbretëria e Bashkuar kishte ekspozim bankar. Epstein ishte financier dhe mund t’i përdorte këto informacione në favor të tij. Andrew është deklaruar i pafajshëm.

[caption id="attachment_1064965" align="alignnone" width="1200"] Britain's Prince Andrew and Princess Eugenie leave Westminster Abbey after the coronation of King Charles III in London, Saturday, May 6, 2023. (Roland Hoskins/Pool Photo via AP)[/caption]

Marrëdhëniet mes Andrew dhe Epstein datojnë nga fundi i viteve nëntëdhjetë, kur ai e njohu përmes ish partneres dhe bashkëpunëtores së financierit, Ghislaine Maxwell, e cila po vuan një dënim me njëzet vjet burg. Babai i saj, Robert Maxwell, ishte një botues shumë i pasur britanik që zotëronte gazeta, televizione dhe radio, dhe për një kohë të gjatë ishte i dyshuar për lidhje me shërbimet sekrete izraelite.

Seria e fundit e dokumenteve përmban fotografi të princit Andrew në gjunjë mbi një grua të veshur, e shtrirë në dysheme, email që i atribuohen atij ku Epstein i propozon një takim me një vajzë ruse, ose nga të cilat kuptohet se ai dispononte një kod për një nga apartamentet e Epstein në New York.

Në email flitet edhe për një ftesë të Epstein në Buckingham Palace, pallatin mbretëror në Londër, pa u ditur nëse u realizua. Nga dokumentet del gjithashtu se Epstein i dha të paktën 15 mijë paund Sarah Ferguson, ish bashkëshortes së Mountbatten Windsor, për ta ndihmuar të shlyente disa borxhe, dhe në këmbim i kërkoi ta mbronte publikisht pas dënimit të parë në vitin 2008.

[caption id="attachment_1064966" align="alignnone" width="1200"] FILE - A combination photo of the front-pages of British newspapers on Thursday Nov. 21, 2019 headlining the scandal surrounding Britain's Prince Andrew. (AP Photo, file)[/caption]

Një tjetër grua, emri i së cilës nuk është bërë publik, ka deklaruar se ishte dërguar nga Epstein në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2010, kur ishte rreth njëzet vjeç, për të kryer marrëdhënie seksuale me Mountbatten Windsor në rezidencën e tij Royal Lodge, në Windsor, pranë Londrës. Edhe ky detaj, përfshirja e mundshme në abuzime brenda pronave ku banon familja mbretërore, ka shkaktuar indinjatë të madhe në Mbretërinë e Bashkuar.

Ndërkohë, Mountbatten Windsor vazhdoi të jetonte aty deri në fillim të shkurtit, kur dëbimi i tij, i vendosur nga mbreti Charles, u përshpejtua. Ai u transferua në një tjetër pronë mbretërore më pak luksoze, në Sandringham pranë Norfolk, ku u arrestua ditën e 66 vjetorit të lindjes.

Gruaja e parë që e akuzoi publikisht ishte Virginia Giuffre në vitin 2019, dy vjet pasi kishte denoncuar edhe Epstein. Ajo kishte deklaruar se ishte detyruar të kryente marrëdhënie seksuale me Mountbatten Windsor në disa raste, kur ishte ende e mitur. Në vitin 2022, të dy arritën një marrëveshje që i lejoi ish princit të shmangte gjyqin, në këmbim të një shume parash për të dhe për shoqatën e saj kundër shfrytëzimit seksual. Giuffre u vetëvra prillin e kaluar, në moshën 41 vjeç. Në fillim të shkurtit u ngrit një tjetër akuzë për shfrytëzim seksual.

Në mes të tetorit Mountbatten Windsor hoqi dorë nga titujt mbretërorë pak ditë para publikimit të autobiografisë pas vdekjes së Giuffre, ku ajo rrëfente me detaje mënyrën si ishte joshur dhe çfarë kishte ndodhur më pas.

Ishte një përpjekje e familjes mbretërore për të shmangur një tjetër skandal, por dorëheqja “vullnetare” nuk u konsiderua e mjaftueshme dhe mbreti Charles ndërhyri duke e privuar nga titujt.

Ka pak precedentë në historinë bashkëkohore. Ndodhi gjatë Luftës së Parë Botërore, kur princi Charles Edward u ndëshkua për rreshtimin me Perandorisë Gjermane, ose në vitin 1936 gjatë krizës së abdikimit të Edward VIII. Edhe arrestimi i një anëtari kaq të rëndësishëm të familjes mbretërore, teorikisht i teti në radhën e trashëgimisë, është i jashtëzakonshëm dhe ka një precedent edhe më të largët: arrestimin e mbretit Charles I në vitin 1646 gjatë luftës civile angleze, i cili më pas u ekzekutua pas një gjyqi, rast unik në historinë britanike.

Pas privimit nga titujt, media kishte ngritur pyetjen nëse masat ndaj Mountbatten Windsor ishin shumë të buta dhe shumë të vona. Shumë vëzhgues kanë vlerësuar se monarkia ishte treguar tepër e butë me të, me masa kryesisht simbolike dhe formale.

Prej kohësh Charles po përpiqej të kufizonte dëmet, duke u paraqitur si një monark më transparent dhe më pak mbrojtës sesa Elizabeth.

Që nga akuzat e Giuffre, Mountbatten Windsor kishte ndaluar përdorimin e titullit His Royal Highness, pra “Lartmadhësia e Tij Mbretërore”, dhe nuk merrte më pjesë në evente zyrtare të familjes, edhe pse kishte disa përjashtime të kritikuara. Në funeralin e Elizabeth në vitin 2022 ishte i vetmi anëtar i familjes që parakaloi pa uniformë, pasi kishte humbur titujt ushtarakë. Në kurorëzimin e Charles, një vit më pas, mbante dekoratat e Urdhrit të Garterit, rendi më i lartë kalorësiak britanik, nga i cili ishte përjashtuar.

Përveç “Epstein files”, gjatë viteve të fundit Mountbatten Windsor është përfshirë edhe në skandale të tjera financiare dhe në lidhje me një person të akuzuar si spiun kinez. Kjo e ka shndërruar në një burim të vazhdueshëm sikleti për familjen mbretërore dhe një nga pengesat kryesore për përpjekjet e Charles për të modernizuar monarkinë. Skandalet e kanë bërë ish princin një nga figurat më të njohura të familjes mbretërore, por edhe atë me reputacionin më të dëmtuar./IlPost

Të këshilluara

ide

Shqipëria nuk ka pse të arrijë Europën, tani mund ta udhëheqë atë

Në një editorial për The Guardian, Lea Ypi shkruan se protestat e të rinjve tregojnë se Shqipëria mund t’i japë Europës një mësim mbi vetërespektin. Sipas saj, brezi që thotë “Shqipëria nuk është në shitje” po sfidon modelin ku natyra shitet për investime, demokracia kapet nga të pasurit dhe integrimi europian përdoret për të mbyllur gojën kritikëve.

16:35 Lea Ypi

Çfarë e ka shfazuar Edi Ramën

Përtej teorive komplotiste ka një shpjegim të thjeshtë se si ata të rinj që bërtasin rrugëve të Shqipërisë kundër kryeministrit të tyre, u gjendën në të njëjtën anë të barikadës me mediat më të rëndësishme të globit

16:26 Andi Bushati

MOTI TIRANA

19°c

KËMBIMI EURO

95.19

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI