Një reformë e vonuar në arsimin e lartë po synon të sjellë ndryshime në mënyrën e financimit për universitetet, rritjen e cilësisë së kërkimit shkencor, ndërkombëtarizimin dhe fleksibilitetin e programeve. Aktualisht, rënia e numrit të studentëve dhe mospërputhja me tregun e punës e kanë kthyer sistemin në një “treg diplomash” pa ndikim real në ekonomi. Me gjysmën e stafeve akademike që punojnë me kohë të pjesshme dhe 49% të universiteteve që dështojnë në kërkimin shkencor, ndryshimet mbeten të vështira. Vetëm 66% e të diplomuarve të rinj punësohen, ndërsa 40% e tyre ushtrojnë profesione jashtë profileve përkatëse. Ja sfidat e studimeve “low cost” në Shqipëri.
Universitetet po rezultojnë hallka më e dobët e sistemit arsimor në vend. Rënia e numrit të studentëve dhe rritja e fondeve nuk po shoqërohet me rritje të cilësisë, teksa hendeku ndërmjet nevojave të tregut të punës dhe programeve të studimit po zgjerohet, në vend që të ngushtohet.
Tani kur teknologjia po formëson të gjithë aktivitetin jetësor kudo në botë, universitetet shqiptare nuk janë të gjendje të zhvillojnë bazat më të thjeshta të kërkimit as në nivel pedagogësh, teksa aftësitë digjitale të një pjese të stafit dhe studentëve mbeten të kufizuara.
Ndërmjet 2016-2024, numri i studentëve ka rënë me 13.5%, teksa në universitetet publike, rënia është dyfish më e fortë me 25% sipas të dhënave zyrtare të INSTAT.
Qeveria ka shpallur një reformë të re në fillim të këtij viti që synon të trajtojë problematikën në arsimin e lartë. Por reformat në arsim zakonisht shtyhen nga emergjencat e momentit, për shkak se nuk i japin rezultatet sot për nesër, por kanë koston më të lartë në zhvillimin afatgjatë.
Sipas dokumentit zyrtar të Ministrisë së Arsimit për “Universitetin 2030” vihet një theks më i fortë në lidhjen mes arsimit të lartë dhe tregut të punës. Për herë të parë, universitetet orientohen të profilizojnë ofertën akademike sipas nevojave reale të ekonomisë kombëtare dhe rajonale.
Sipas dokumentit të Ministrisë së Arsimit, një tjetër risi qendrore është zhvendosja e fokusit drejt kërkimit shkencor dhe inovacionit si shtylla të arsimit të lartë. Një risi tjetër është ndërkombëtarizimi i arsimit të lartë. Kjo nënkupton që universitetet shqiptare duhet të funksionojnë gjithnjë e më shumë si pjesë e një hapësire akademike europiane.
Selami Xhepa, presidenti i Universitetit Europian të Tiranës, tha se në kuadër të diskutimeve për reformimin e mëtejshëm të arsimit të lartë, kërkesa e UET është përqendruar veçanërisht te lehtësimi i burokracisë në hartimin dhe miratimin e programeve të studimit, një aspekt që pengon reagimin e shpejtë të universiteteve ndaj ndryshimeve të tregut të punës dhe kërkesave të studentëve.
Një tjetër pikë e rëndësishme lidhet me rritjen e mobilitetit të studimeve, si brenda vendit ashtu edhe në nivel ndërkombëtar, në mënyrë që studentët të kenë më shumë mundësi për të ndjekur një pjesë të studimeve në institucione të tjera dhe për të përfituar nga përvoja akademike të ndryshme, tha ai.
Institucionet e Arsimit të Lartë jashtë Tiranës janë të shqetësuar për efektet e reformës. Florian Bjanku, profesor në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, argumenton se reforma e arsimit të lartë po shkon drejt një centralizimi “de facto” në boshtin Tiranë–Durrës, duke lënë universitetet rajonale në nënkapacitet dhe duke krijuar pabarazi territoriale.
“Me financim minimal dhe pritshmëri maksimale, universitetet nuk arrijnë të lidhen realisht me tregun e punës dhe po shndërrohen në ‘treg diplomash’. Rasti i Shkodrës tregon humbjen e besimit të të rinjve. Pa ndryshuar modelin e financimit dhe trajtimin e barabartë të universiteteve, reforma rrezikon të formalizojë një dështim strukturor, jo ta zgjidhë atë”, – tha z. Binjaku.
Mirëpo çdo dokument për reformimin e arsimit të lartë dhe arsimit në tërësi mbetet i paragjykuar për aq kohë sa qeveria parashikon me ulje fondet për arsimin gjatë tre viteve në vijim. Shpenzimet publike për arsimin në vitin 2022 ishin vetëm 2.9% e PBB-së, ndërsa më 2025 pritet të arrijnë në 2.4% të PBB dhe në vitin 2028 do të jenë vetëm 2.1% të PBB-së, sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave në buxhetin afatmesëm 2026-2028.
Kjo tregon se teksa ekonomia rritet, ndahen më pak fonde për arsimin. E njëjta praktikë po ndodh edhe me shëndetësinë. Fondet për arsimin ulen jo vetëm në raport me PBB-në, por edhe me shpenzimet totale buxhetore. Këtë vit buxheti i arsimit është sa 7.5% e totalit të buxhetit, teksa në 2028 nuk do të jetë më shumë se 7%. Teksa ekonomia zgjerohet, gjithnjë e më pak fonde ndahen për arsimin./ Monitor