Flash

Rreziku që i kanoset Ramës nga dosja Balluku

Lapsi.al 9 February 2026
Rreziku që i kanoset Ramës nga dosja Balluku

Edi Rama mund të jetë përditë e më shumë i kërcënuar nga zhvillimet e dosjes Balluku. Dhe kjo jo për atë që pretendojnë shumë nga kundërshtarët e tij, se zv/kryeministrja ka në sirtare fakte korruptive, me anë të të cilave e shantazhon shefin. E njëjta fabul konspirative është përsëritur shpesh, që nga koha e rënies së Saimir Tahirit e deri në rastin e arrestimit të Veliajt. Por, Edi Ramës nuk i ka hyrë gjemb në këmbë, pasi të gjithë shokët e tij kanë pranuar më mirë akuza të lehta, duke u shtirur sikur kishin ngrënë kumblla dhe dardha pas shpinës së shefit, sesa të sfidonin fatin duke u bërë bashkëpunëtorë të drejtësisë dhe të rrëfenin mëkatet e përbashkëta.

Edi Rama nuk trembet as nga hipoteza se SPAK-u apo GJKKO-ja mund të mbërrijnë deri tek ai. Ata që s’kanë guxuar ta pyesin qoftë edhe një herë të vetme, së paku si një person që ka djeni për ngjarjen, qoftë për inceneratorët, qoftë për McGonigalin, qoftë për koncesionet në shëndetësi, nuk e imagjinojnë as në ëndrrat e tyre më të guximshme, të shkojnë deri tek njeriu, që kontrollon gjithçka në këtë vend. 

 

Po atherë, ku është problemi me dosjen Balluku?

 

E gjitha fshihet në këmbënguljen për ti treguar kufijtë drejtësisë, gjë e cila mund ti shkaktojë kryeministrit çarjen më të madhe që ai ka pasur gjatë kësaj dekade me ndërkombëtarët.

Natyrisht edhe diplomatët e Tiranës, edhe shefat e tyre në kancelaritë perendimore kanë qenë të ndërgjegjshëm se jo gjithçka shkonte mbroth me reformën në drejtësi. Ata e dinë prej kohësh se lufta me leje kundër pandëshkueshmërisë kufizohej nga një tavan i çeliktë, sipër të cilit nuk mund të kapërcehej. Ata i njohin rastet e përndjekjeve politike të SPAK -ut dhe proceset fëlliqësisht të manipulura si ato kundër Belerit. Por, duke qenë se e kanë caktuar reformën në drejtësi si një histori suksesi, të cilën e kanë mbrojtur, për të cilën kanë financuar dhe tek e cila janë investuar, atyre u shkonte për shtat demagogjia e deritanishme e Ramës.

Rama sfidon SPAK: Nuk e jap imunitetin e Ballukut, do ndërhyj në legjislacion!

Sjellja prgmatiste që i bënte të mbyllnin sytë për “difektet e vogla” dhe “gabimet përgjatë rrugës”, lidhej me faktin se në Shqipëri kishin gjetur një lider, që sëpaku formalisht dhe verbalisht ishte në të njëjtën gjatësi vale me ta. Shprehje të tilla si: “ne nuk bëhemi pengesë për drejtësinë”, “qeveria dhe PS nuk janë zyra avokatie për të mbrojtur drejtuesit e tyre nga SPAK”, i shkonin për shtat rrëfimit të ndërkombëtarëve.

Kjo narrativë së fundi ka pësuar një krisje. Nëse  emisarët e Ramës garuan deri në momentet e fundit me diplomatët amerikanë se cili do të mposhte tjetrin në Kushtetuese, për pezullimin ose jo të Ballukut, mund të konsiderohet si shenja e parë e një thyerje.

Shenja e dytë erdhi nga BE. Menjëherë pasi shefi i qeverisë la të kuptohet qartë përmes një postimi në X (ish Twitter), se ai nuk kishte ndërmend ti’a pranonte SPAK-ut kërkesën për ti hapur rrugë arrestimit të Ballukut, si rrallë herë, zyra e Komisionit Evropian reagoi kundër Ramës. Nëse kryeministri thoshte se për këtë çështje nuk ka urgjencë, Brukseli këmbëngulte se imuniteti duhet shqyrtuar pa vonesë. Nëse qëndrimi i PS dukej qartë pro mbrojtjes së Ballukut, ai i BE-së fshikullonte ndërhyrjet në gjyqësor dhe në hetimet e prokurorisë.

Pra, po ta shohësh këtë kundërvënie, flakë për flakë, edhe në sfondin e mesazheve që janë dërguar nga Berlini apo atyre që janë formuluar në takime me dyer të mbyllura në Komisionin Evropian, duket qartë se këtu kemi të bëjmë me një nga përplasjet e ralla të Ramës me ndërkombëtarët. Dhe ky është risku i tij real me dosjen Balluku. Për sa kohë që ai e manipulonte në kulisa, SPAK-un, GJKKO, Kushtetuesen, por në publik shfaqej si mbështetës i tyre, influenca mbi drejtësinë i ishte toleruar. Por, kur ai i kundërvihet asaj me fjalor, me pengesa konkrete, madje dhe me ndryshime ligjore që pengojnë hetimet, kjo mund të shkaktojë një çarje reale. Ky është reziku i vërtetë i Ramës, ai se nga perëndimi mund të mos i falet basti për ti sfiduar ata edhe publikisht.

BE: Kuvendi të adresojë pa vonesë kërkesën për heqjen e imunitetit të Ballukut

Një episod i ngjashëm ka ndodhur në Rumani gati një dekadë më parë, kur Laura Codruta Kovesi, kryeprokurorja e DNA, SPAK-ut të atyshëm, që kishte arrestuar politikanë të lartë, biznesmenë, pronarë mediash dhe presidentë futbolli, u ndesh me kreun e majtë të parlamentit, Dragnea. Edhe atëherë mbështetësit e këtij të fundit, filluan të flasin për shtetin paralel të prokurorëve, ata njësoj siç do të bëjë Rama tani, ndryshuan ligjet dhe kufizuan kompetencat e prokurorëve, ata arritën deri aty sa e shkarkuan Kovesin.

Por, BE-ja që atëherë ishte krejtësisht në të njëjtën linjë me Uashingtonin, nuk e kapërdiu këtë turpërim publik. Ajo e emëroi menjëherë, Laura Kovesin si prokuroren e parë të përgjithshme evropiane dhe bëri ç'është e mundur që Liviu Dragnea, të dilte nga politika si pasojë e një dënimi me tre vite e gjysëm burg.

Megjithë bilancin e suksesshëm të dënimeve të të paprekshlëve në Rumani, perëndimi nuk e duroi dot sfidën e prekjes së hapur të një reforme të mbështetur prej tij.

Pikërisht ky precedent, është dhe risku më i madh për kursin e ri që ka zgjedhur Edi Rama. Aq evidente është kjo hipotezë sa shumë nga armiqtë e pafuqishëm të kryeministrit, ndonëse e duan Belën në burg, sot po luten që shefi ta mbrojë deri në fund atë.

©Lapsi.al

Të këshilluara

Si të qeverisësh për veten

Rama është thelbi i qeverisjes Rama. Nuk është imponimi i një vizioni apo ideologjie specifike në mënyrë diktatoriale. Ndryshe nga tirania, që sipas Aristotelit...

11:42

Qeverinë Rama e rrëzoi Balluku

Pafuqaia e opozitës përballë pushtetit të Edi Ramës shpesh nuk na lë të shohim se qeveria e tij ka rënë tashmë, të paktën moralisht. Natyrisht që si pasojë e ko...

12:13

Haraçi i “nderimit” në Keneset

Pasi u shfry si flluskë sapuni propoganda rreth vendit të veçantë që Edi Rama zinte në zemrën e Donald Trumpit, pas ftesës që kreu i Shtëpisë së Bardhë i dërgoi...

19:10

Një protestë nën hijen iluzive të Trump

Protesta e radhës së opozitës përkoi me momentin kur më shumë se kurdoherë gjatë kësaj dekade, dy rrëfime krejtësisht kontradiktore po përplasen fort me njëra-t...

19:07

Rreziku i trefishtë i çiftit Rama-Gys Agasi

Në një situatë kur duket se shqiptarët janë imunë ndaj korrupsionit, kur një skandal shuhet gjithmonë prej një tjetri edhe më të madh, kur vetë kryeministri rel...

16:08

Pavioni i të marrëve ku e ftuan Lea Ypin

Ashtu sikurse çdo shkrimtar, në çdo vend normal të botës, i cili sa nga kurioziteti vanitoz për të dëgjuar se ç’mendojnë për veprën e tij të fundit, po aq dhe n...

22:26

ide

Zvërneci si përralla e çekut të bardhë

Shqiptarët janë skeptik kur dëgjojnë historinë e përsëritur se do vijnë investime nga jashtë miliarda euro që do na pasurojnë dhe punësojnë të gjithëve, kuptohet vetëm pasi kanë privatizuar perlat tona kombëtare. Aq më tepër kur përrallat me investime prej miliard eurosh kanë dalë bllof s në rastin e projektit Marina Durrës ku u tha se do investoheshin 2.5 miliardë dollarë

10:03 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

18°c

KËMBIMI EURO

95.24

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI