Një gjeneral i profilit të lartë në ushtrinë ruse është qëlluar disa herë dhe është plagosur në Moskë.
Gjeneral-lejtnant Vladimir Alexeyev u dërgua menjëherë në spital pas sulmit që ndodhi në një bllok banimi në periferinë veriperëndimore të kryeqytetit rus dhe gjendja e tij shëndetësore mbetet e panjohur.
Alexeyev është numri dy në drejtorinë kryesore të inteligjencës ushtarake ruse GRU dhe është figura më e fundit e rangut të lartë ushtarak që është shënjestruar në kryeqytet që nga nisja e pushtimit të Ukrainës, gati katër vite më parë.
Ai u vendos nën sanksione nga Bashkimi Europian dhe Mbretëria e Bashkuar pasi GRU u akuzua se qëndronte pas sulmit me agjent nervor në Salisbury të Britanisë së Madhe në vitin 2018.
“Viktima është shtruar në një nga spitalet e qytetit,” tha Svetlana Petrenko nga Komiteti Hetimor i Rusisë, i cili njoftoi se ka hapur një çështje penale për tentativë vrasjeje.
Autori i sulmit u largua nga vendngjarja dhe hetuesit po shqyrtojnë pamjet e kamerave të sigurisë për të gjetur pista, ndërsa kanë nisur edhe marrjen në pyetje të dëshmitarëve.
Një fqinje e Alexeyev i tha agjencisë Reuters se ishte zgjuar nga zhurma e “disa” të shtënave dhe më pas kishte dëgjuar një fqinje tjetër duke bërtitur për ndihmë.
“Kaq dëgjova. Edhe fqinjë të tjerë dolën me vrap. Pyetën si mund të ndihmonin, nëse duhej të thërrisnin ambulancën dhe policinë, por ajo i kishte thirrur tashmë,” tha ajo.
Alexeyev ka luajtur një rol të rëndësishëm gjatë luftës në Ukrainë, duke marrë pjesë në bisedimet me Ukrainën gjatë rrethimit rus të qytetit Mariupol në vitin 2022.
Ai u dërgua gjithashtu për të negociuar me kreun e grupit mercenar Wagner, Yevgeny Prigozhin, i cili udhëhoqi një kryengritje të shkurtër dhe të përgjakshme në qershor të vitit 2023.
Shefi i tij në GRU, Igor Kostyukov, ka qenë në krye të ekipit negociator të Rusisë në bisedimet mbi çështjet e sigurisë me SHBA-në dhe Ukrainën në Abu Dhabi.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se presidenti Vladimir Putin po informohej për ngjarjen. “Para së gjithash i urojmë gjeneralit të mbijetojë dhe të shërohet. Shpresojmë që kështu të ndodhë,” u tha ai gazetarëve.
Ende nuk dihet se kush qëndron pas të shtënave të mëngjesit të së premtes në një bllok banimi në autostradën Volokolamsk në Moskë, por ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, akuzoi Ukrainën.
Kievi nuk ka komentuar, por në të kaluarën ka marrë përgjegjësinë për disa sulme ndaj figurave ushtarake ruse. Zyrtarë të inteligjencës ruse pretenduan se kishin parandaluar një atentat ndaj një ushtari rus në Shën Petersburg në fund të muajit të kaluar.
Një shtetas uzbek u dënua me burg në janar për vrasjen në vitin 2024 të një gjenerali tjetër, Igor Kirillov, i cili u vra nga një shpërthim jashtë një blloku banimi në Moskë. Shërbimi i inteligjencës ukrainase SBU kishte deklaruar se qëndronte pas sulmit.
Gjeneral-lejtnant Kirillov kishte qenë në krye të trupave ruse për Mbrojtjen Bërthamore, Biologjike dhe Kimike.
Në dhjetor të vitit 2025, një tjetër oficer i lartë i GRU-së, gjeneral-lejtnant Fanil Sarvarov, u vra kur një mjet shpërthyes shpërtheu poshtë një makine në Moskë. Ai ishte përgjegjës për departamentin e trajnimit operacional të forcave të armatosura, sipas Komitetit Hetimor të Rusisë.
BBC, përshtati në shqip ©LAPSI.AL