Federata e Futbollit organizoi këtë të hënë eventin e rëndësishëm të prezantimit të strategjisë “Vision to Victory 2026-2030”. Një strategji me projekte që pritet të sjellin ndryshime cilësore në futbollin shqiptar në 4 vitet e ardhshme e që është bërë ë bashkëpunim me ekspertët më të mirë të UEFA-s pas një pune kërkimore të gjatë. “Katër vitet që vijnë do të jenë vendimtare. Me përkushtim, profesionalizëm dhe bashkëpunim, jam i bindur se do ta çojmë futbollin shqiptar në një nivel të ri”, tha Presidenti i FSHF-së Armand Duka.
Në aktivitetin e zhvilluar në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”, pasi u bë një bilanc i strategjisë së kaluar “Futbolli për Kombin”, duke nënvizuar se 95% e objektivave janë realizuar ose janë në fazë të avancuar zbatimi, Presidenti i FSHF-së Armand Duka shpalosi për të pranishmit dhe opinionin publik strategjinë për katër vitet e ardhshme, “Vision to Victory 2026-2030”, duke theksuar se ajo përfaqëson një vizion të qartë për zhvillimin e futbollit shqiptar në të gjitha nivelet. Strategjia synon rritjen e pjesëmarrjes dhe cilësisë së futbollit, forcimin e strukturave organizative dhe investime të qëndrueshme në infrastrukturë dhe formimin e talenteve të rinj. “Deri në vitin 2030, synojmë që të arrijmë një numër futbollistësh djem të regjistruar 26 mijë nga 24,078 që janë sot, pavarësisht sfidave demografike me të cilat përballet vendi. Kjo rritje do të vijë përmes zgjerimit të programeve në shkolla dhe komunitete”.
Lexo më tej: “Vision to Victory”, ndryshojnë prioritetet: FSHF prezanton strategjinë 2026–2030
Në aspektin e infrastrukturës, deri në vitin 2030 synimi është shtimi i 30 deri në 40 fushave të reja futbolli, nga projektet e Federatës, kryesisht në rajonin e Tiranës, ku edhe dendësia e popullsisë është edhe më e madhe. Por objektivi real dhe nevoja e domosdoshme në rang kombëtar duhet të jetë ndërtimi i 200 fushave të reja futbolli, i cili nuk mund të arrihet nga Federata, por kërkon mbështetjen nga buxhetet e shtetit: “Objektiv strategjik shumë i rëndësishëm mbetet rritja e numrit të spektatorëve në shkallët e stadiumeve në kampionatet kombëtare të të gjitha niveleve. Kjo do të arrihet në bashkëpunim me klubet profesioniste dhe akademitë, duke i asistuar ato me projekte konkrete dhe duke synuar të njëjtën qasje si në ekipin kombëtar A.
Forcimi financiar i klubeve dhe akademive të futbollit. Ato sot vuajnë financiarisht dhe zhvillimi do të jetë shumë i ngadaltë pa mbështetje e incentiva financiare qoftë dhe i përkohshëm. Do të vazhdojmë mbështetjen financiare direkte nga buxhetet e federatës, siç kemi bërë këtë për vitin 2026 me 3 milion euro, dhe do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me Qeverinë për finalizimin e ligjit të Sponsorizimeve në Sport. Progresi i futbollit dhe e të gjithë sportit shqiptar do të jetë shumë i ngadaltë pa një ligj të tillë”, – shtoi më tej kreu i FSHF-së.
Objektivat për ekipet kombëtare mbeten
Pjesëmarrja e ekipit A të djemve në turnetë final Europian dhe Botëror
Renditja në vendin e 50-të të FIFA-s.
Ekipi U-21 kalimi i fazës së grupeve në Euro 2027, i cili do të zhvillohet në vendin tonë
Kualifikimi në fazën finale të Euro 2029
Qëndrimi në Ligën B i ekipit kombëtar të vajzave
Synimi për t’u kualifikuar në kampionatin Europian 2029 në Gjermani
Ministri Gonxhe premton Ligjin e Sponsorizimit
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, në eventin e lançimit të strategjisë së FSHF 2026-2030 “Vision to Victory” theksoi mbështetjen për ligjin e sponsorizimit, duke e konsideruar një hap kyç për zhvillimin e sportit në Shqipëri: “Ligji i sponsorizimit, ky nuk është më zotim, është gati në masat e një betimi i imi dhe i Presidentit të Federatës sepse do të vijë edhe për artin, sportin, rininë. Natyrisht art, kulturë, sport, çfarë tjetër më shumë se këto kanë rini brenda. Këto do të vijnë të gjitha së bashku. Ne do të lobojmë fuqishëm edhe në procesin që jemi të konsultimit publik, ku natyrisht mund të ketë përmirësime në të mirë të këtij ligji. Një kampionat, një skuadër e suksesshme, një sport i zhvilluar janë automatikisht gjeneratorë ekonomikë të jashtëzakonshëm”, tha Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhe.