Flash

Fjalimi i Trump në Davos/ Europa ende e shqetësuar dhe e paqartë

Lapsi.al 21 January 2026
Fjalimi i Trump në Davos/ Europa ende e shqetësuar dhe e paqartë

Diplomatë dhe zyrtarë në Bruksel u mblodhën rreth laptopëve dhe ekraneve televizive pasditen e së mërkurës për të dëgjuar mendimet e Donald Trump për Europën, dhe në veçanti për Groenlandën. Por, pas një fjalimi që zgjati mbi një orë, shumë prej tyre thanë se në fund kishin kuptuar më pak sesa në fillim, për atë që kërkon Trump.

Paraqitja e presidentit amerikan në Forumin Ekonomik Botëror në Davos erdhi në një moment tensionesh të paprecedenta transatlantike dhe një ditë para se liderët e BE-së të mblidhen për të diskutuar reagimin ndaj kërcënimit të tij për vendosjen e tarifave të reja, nëse Danimarka nuk ia dorëzon kontrollin e Groenlandës.

“Asnjë shtet apo grup shtetesh nuk është në pozicionin që ta sigurojë Groenlandën, përveç Shteteve të Bashkuara,” këmbënguli Trump. Megjithatë, ai shtoi, “Nuk kam pse të përdor forcën, nuk dua të përdor forcën, nuk do të përdor forcën.”

Edhe pse kjo ishte hera e parë që Trump përjashtoi në mënyrë eksplicite një ndërhyrje ushtarake, deklaratat e tij nuk i qetësuan të gjithë.

“Njerëzit mund të gjykojnë vetë,” tha një diplomat i BE-së, të cilit iu premtua anonimiteti për të folur lirshëm, ashtu si edhe të tjerëve në këtë shkrim, duke shtuar se Trump ende duket i vendosur ta marrë Groenlandën. “Gjithçka varet nga sa besim i jepni asaj fjale. Por mendoj se pak kush do ta shihte atë fjalim dhe do të përjashtonte çdo skenar.”

Ata që nxisin për një reagim më të fortë europian ndaj kërcënimeve të Trump nuk u tërhoqën, duke thënë se takimi i liderëve të BE-së të enjten mbetet plotësisht i domosdoshëm. “Është gjithmonë e dobishme që liderët të jenë bashkë, sidomos pas këtij fundjave,” tha një diplomat i dytë.

Asnjë nga drejtuesit e institucioneve kryesore të BE-së nuk kishte reaguar publikisht ndaj fjalimit të Trump në momentin e shkrimit të këtij artikulli.

Annalena Baerbock, ish-ministre e Jashtme e Gjermanisë, shkroi online gjatë fjalimit se “nëse fillojmë sërish të vëmë në pikëpyetje kufijtë e shteteve dhe të përpiqemi t’i ndryshojmë me forcë, kërcënime apo shtrëngim, do të kthehemi në kohë të errëta”.

Duke e përshkruar Groenlandën si “një copë të madhe dhe të bukur akulli, është e vështirë ta quash tokë, është një copë akulli”, Trump ngatërroi gjithashtu territorin europian që dëshironte të merrte nën kontroll, duke përmendur “Islandën” të paktën katër herë.

“Tani ai do Islandën, jo Groenlandën, kështu që në rregull jemi” bëri shaka një i dërguar i tretë i BE-së. Islanda, e vendosur rreth 350 milje në lindje të Groenlandës, ka qenë objekt i shakave shqetësuese karakteristike të kësaj administrate amerikane, pasi kandidati i Trump për ambasador në Islandë, Billy Long, kishte bërë shaka në Uashington se Islanda do të ishte shteti i 52-të i SHBA-së dhe se ai do të ishte guvernator.

Një moment që shkaktoi të qeshura te disa europianë të shqetësuar ishin komentet e Trump për presidentin francez Emmanuel Macron. “Syze të bukura dielli,” tha Trump pasi centristi francez u fotografua me syze aviatori brenda sallës, “por çfarë dreqin ndodhi?”. Zyrtarët francezë thanë se Macron ka një enë gjaku të çarë në sy.

Një zyrtar i BE-së u pajtua me mendimin e Trump, “Të gjithë këtë menduam Donald Trump.” u shpreh ai./Politico.eu, përshtati Lapsi.al

Të këshilluara

ide

Zvërneci si përralla e çekut të bardhë

Shqiptarët janë skeptik kur dëgjojnë historinë e përsëritur se do vijnë investime nga jashtë miliarda euro që do na pasurojnë dhe punësojnë të gjithëve, kuptohet vetëm pasi kanë privatizuar perlat tona kombëtare. Aq më tepër kur përrallat me investime prej miliard eurosh kanë dalë bllof s në rastin e projektit Marina Durrës ku u tha se do investoheshin 2.5 miliardë dollarë

10:03 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

24°c

KËMBIMI EURO

95.24

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI