Për pak orë fërkuam sytë duke kujtuar se po rishikonim të njëjtin film, me të njëjtin protagonist, që ndryshon rolin kryesor, herë si aktori që është caktuar ndërmjetës për të pajtuar Turqinë me Greqinë, herë si kreu i OSBE-së, që do ti vërë fre revanshit të Putinit dhe Lavrovit dhe herë si Kryetari i Këshillit të Sigurimit në OKB, që i tregon vendin ambasadorit rus, duke mbrojtur Ukrainën.
Skenari sërish qe i njëjtë, por me protagonist të ndryshëm. Këtë herë "partner" u bë Donald Trump, që i kishte dërguar një letër të njëjtit aktor, të cilin për "merita të veçanta" e ftonte të merrte pjesë në Bordin e Paqes, që do të ngrihej për ti dhënë fund luftës në Gaza dhe për të filluar rindërtimin e saj.
Të vërteta dhe jo/ Gjithçka duhet ditur nga letra e Trump për Ramën
Edi Rama u vetëofrua për ta luajtur me të njëjtin zell prej prestigjatori këtë rol të ri. Ai e shiti letrën e marrë nga presidenti i SHBA-ve si një shenjë mirënohjeje për qeverisjen e mirë që i kishte bërë Shqipërisë, si një respektim për politikën e jashtme që kishte udhëhequr, si një fletëlavdërimi për aktivitetin e tij politik 13 vjeçar.
Kaq u desh që boritë e propagandës të ushtonin. Dikush deklaronte me pathos, se falë këtij udhëheqësi largpamës, një vend i papërfillshëm si yni po ulej në bashin e tryezës të të mëdhenjve. Një tjetër nxitonte të fitonte garën e servilizmit, për të shpallur se lideri gobal ka talentin e lindur për të negociuar marëveshje të pamundura. Në radhën e hyzmeqarëve nuk mungonin as ata që kumtonin se tashmë opozita duhet të heshte, pasi kryeministri qerrata kishte ditur ta bënte për vete dhe Trumpin. Më të zellshmit shkonin deri aty sa të prodhonin lajme se falë Edi Ramës ne kishim fituar një pozicion të nderuar, si anëtarë themelues të Bordit të Paqes, pozicion që nuk i ishte dhënë dhjetra shteteve të tjera që u kishte shkuar letra për të qënë pjesmarrës.
Por, sikur kjo prapanicëlëpirje të mos mjaftonte, ekzaltimi i një roli që nuk ekzistonte në realitet, mori formë zyrtare nga deklaratat e ministres së jashtme, Spiropali. Këtë fillim jave ajo deklaroi, me seriozitetin që e karakterizon, se ftesa e Trump qe një vlerësim personal për lidershipin e kryeministrit Rama. Madje me jargavitjen e saj të zakonshme, sikur mos mjaftohej me "suksesin" e arritur, ajo shtoi edhe fjalë që s'gjendeshin fare në letrën e Trump, ato se, sipas presidentit amerikan, "Edi Rama ishte një udhëheqës "i respektuar botërisht".
E gjithë kjo tollovi nuk zgjati më shumë se dy ditë. Dalë ngadalë u kuptua se një letër identike si e kryeministrit tonë ishte nisur edhe për dhjetra kryetarësh shtetesh, madje në të njëjtën datë dhe mbi të gjitha, me të njëjtin tekst, në të cilin ndryshonte vetëm emri i marrësit. Disa e kishin botuar menjëherë ftesën, ndërsa të tjerë, më të rezervuar, e kishin ruajtur me diskrecion, ende të pa vendosur nëse do i përgjigjëshin pozitivisht apo jo.
Situata filloi të behej qesharake kur mediat shtetërore vietnameze, publikuan se Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Komuniste të Vietnamit, To Lam, i ishte përgjigjur pozitivisht, një dokumenti identik. Grotesku arriti kulmin kur të njëjtën gjë shpalli edhe diktatori biellorus, Aleksandër Lukashenko, të cilit i kishin mbërritur mbi tryezë, po ato fraza, për të cilat shumë nga ne mburën se na kishte bërë krenarë.
Pra, për të qenë të qartë dhe koncizë: Edi Rama nuk ka marrë në duar asgjë më shumë sesa ftesa që Trump i ka dërguar dhjetra kryeministrave apo presidentëve. Ai as nuk ka ndonjë rol plus në Bordin e Paqes, as ndonjë meritë të veçantë në themelimin e tij. Kjo letër nuk përbën asnjë çertifikatë për drejtësinë e politikës së tij, pasi ajo i është hartuar po njësoj edhe për liderin komunist të Hanoit. Ajo nuk shërben si alibi për justifikimin e regjimit shqiptar, pasi nga i njëjti tekst është ngazëllyer edhe dikatatori satrap i Minskut.
Pasi kemi parë me sy, kemi krahasuar paragraf për paragraf, kemi peshuar fjalë për fjalë, të gjitha ftesat e nënshkruara nga Trump, e kemi më të qartë se në Shqipëri u ngrit një fortunë e kotë në gotë, që mori shkas nga vaniteti i njohur i presidentit amerikan, i cili kërkon të ketë sa më tepër mbështetje numerike në një nismë që synon ta shfaqë atë si kampion të paqes. Kaq është e gjitha. Edi Rama nuk është as i luftuar, as i mbështetur. Ai është thjeshtë një shifër më shumë.
Por, pasi kemi sqaruar këtë sërish mbetet në ajër një pikëpyetje. Po mirë, kur e dinte se ç'do të ndodhte më pas, përse kryeministri u angazhua personalisht në këtë mashtrim? Ai e ka përvojën ndërkombëtare dhe njohuritë e mjaftueshme në teknikat e komunikimit për të ditur, që në fillim, se gënjeshtra do të shfryhej me të dalë dhe ftesat e tjera me tekste të njëjta. Ai qe i ndërgjegjshëm se ky ishte një mesazh burokratik, ku asnjë lider nuk diferencohej nga të tjerët. Atëherë pse i duhej kjo përçapje e kotë, kur nuk kishte asnjë nuancë të ndryshme për rolin e Shqipërisë, politikën e saj të jashtme dhe koontributin personal si kryeministër?
Rama mohoi pagesën/ NYT: Nga doli fatura 1 miliard dollarëshe për Bordin e Paqes
Vërtet ai gjendej nën presion nga mesazhet e hidhura që po i dërgon prej disa kohësh një Uashington i ndryshëm nga ai i erës Biden, por ama kjo manovër meskine nuk e ndihmonte gjithësesi për ti daravitur ato. Atëhere, përse?
Për ti'u përgjigjur këtyre pyetjeve duhen lexuar edhe njëherë, me një buzagaz të hidhur, të gjithë broçkullat që u shkruan këto 48 orë. Duhen rimarrë, një nga një, mediat e shitura që pompuan "rolin e veçantë" që atij i kishte mveshur Trumpi, kreditimin e politikave të tij nga udhëheqësi i MAGA-s dhe shkelmin përfundimtar që i ishte dhënë opozitës vendase pas kësaj ftese.
Kjo tablo nuk do të qe e plotë po të mos i shtohej edhe servilizmi i pështirë i ministres së jashtme, që shkonte përtej, duke cituar atë që i kishte diktuar shefi dhe jo atë që kishte shkruar, në letrën e njëjtë për të tërë, kreu i Shtëpisë së Bardhë.
Nga pezullimi i vizave te Bordi i Paqes, Shqipëria në majat imagjinare të Ramës
Pikërisht, ky koalicion batatakçijsh që janë të gatshëm ta bëjnë të zezën të bardhë, ato media që nuk flasin për atë që shikojnë, por për atë që u diktojnë, ata ministra e deputetë që kanë aftësi vetëm të lëpihen, janë arsyeja e vërtetë se pse Rama vendosi të gënjejë, ndonëse qe i ndërgjegjshëm se gjithçka do të dilte shpejt, në dritën e diellit. Duke ditur se ka në dispozicion këtë tabor propagande, ai ka bërë llogarinë se edhe nëse një pjesë e madhe e glorifikimit të letrës së Trump do të fashitjej, falë tyre gjithësesi, diçka do të mbeste. Prandaj ai vendosi të luajë në këtë film të ri, rolin e një personazhi të përsëritur. Atë të një aktori global, që nuk egziston vetëm në fantazinë e tij, por që mbahet gjallë edhe nga ata të cilët ai i paguan.
©Lapsi.al