Një partneritet i ri strategjik mes Kinës dhe Kanadasë mund t’i pozicionojë të dy vendet në “rendin e ri botëror”, deklaroi kryeministri kanadez Mark Carney gjatë një vizite historike në Pekin për bisedime tregtare.
Carney mbërriti në Pekin të mërkurën në mbrëmje për një vizitë katërditore, e cila synon riparimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, në një kohë kur Kanadaja kërkon të forcojë lidhjet me shtete të tjera përtej SHBA-së. Kjo është vizita e parë e një kryeministri kanadez në Kinë pas gati një dekade.
“Bota ka ndryshuar shumë që nga ajo vizitë e fundit. Besoj se përparimi që kemi bërë në partneritet na pozicionon mirë për rendin e ri botëror”, tha Carney.
Ai i tha presidentit kinez Xi Jinping: “Ne do të sjellim stabilitet, siguri dhe prosperitet për njerëzit në të dyja anët.”
“Është e rëndësishme të nisim këtë partneritet të ri strategjik në një kohë përçarjeje”, i tha Carney Xi-t, duke bërë thirrje për fokus në fusha që mund të sjellin “fitore historike” për të dy vendet, si bujqësia, agroushqimi, energjia dhe financat.
Presidenti Xi vlerësoi një “kthesë pozitive të marrëdhënieve” mes dy vendeve, e cila, sipas tij, është arritur që nga takimi me Carney në samitin vjetor të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC) në Korenë e Jugut, në fund të vitit të kaluar.
Xi tha gjithashtu se ishte “i kënaqur” me muajt e bashkëpunimit mes dy vendeve në fusha të ndryshme. “Zhvillimi i shëndetshëm dhe i qëndrueshëm i marrëdhënieve Kinë–Kanada kontribuon në paqen, stabilitetin, zhvillimin dhe prosperitetin botëror”, i tha ai kryeministrit vizitor.
Pas takimit mes dy liderëve, Carney njoftoi se Kanadaja pret që Kina të ulë tarifat për kanolën në 15% deri më 1 mars. Në këmbim, Otava do të lejojë hyrjen e 49 mijë makinave elektrike kineze në tregun kanadez.
“Kanë qenë dy ditë historike dhe produktive”, tha Carney, duke folur për gazetarët në një park në Pekin, pasditen e së premtes.
Ai shtoi se marrëdhëniet e Kanadasë me Kinën janë “më të parashikueshme”, kur u pyet të krahasonte lidhjet me SHBA-në.
Megjithatë, deklarata e tij për “rendin e ri botëror” u përball me kritika nga disa figura politike, përfshirë deputetin kanadez Blaine Calkins.
Calkins shkroi në platformën X: “Mark Carney po flet me regjimin komunist kinez, që shkel të drejtat e njeriut, për një ‘rend të ri botëror’… Çfarë po thotë vallë? Nuk e njihja Kanadanë kur Trudeau ishte kryeministër. Nuk mendoja se gjërat mund të bëheshin edhe më keq.”
Carney sqaroi më vonë: “Bota ende po përcakton se çfarë do të jetë ky rend. Sistemi multilateral që është zhvilluar ndër vite është gërryer, për ta thënë me edukatë, ose minuar.”
Ai shtoi se vendet “me të njëjtat bindje” mund të fillojnë të krijojnë koalicione për të bashkëpunuar në fusha të ndryshme. “Pritet që, në vend që ky rend të ndërtohet përmes organizatave multilaterale si FMN-ja apo Organizata Botërore e Tregtisë, ai të formohet përmes koalicioneve për nën-sektorë të ndryshëm të botës.”
Kanadaja ka qenë prej kohësh një nga aleatët më të afërt të Uashingtonit, si gjeografikisht ashtu edhe politikisht. Por Pekini shpreson që agresiviteti ekonomik dhe ushtarak i presidentit Donald Trump ndaj vendeve të tjera të minojë këtë marrëdhënie tradicionale.
Carney është fokusuar te tregtia, duke e përshkruar udhëtimin në Kinë si pjesë të përpjekjeve për të ndërtuar partneritete të reja globale dhe për t’i dhënë fund varësisë ekonomike të Kanadasë nga tregu amerikan. Trump ka vendosur tarifa ndaj eksporteve kanadeze në SHBA dhe ka sugjeruar se Kanadaja, një vend i madh dhe i pasur me burime, mund të bëhet shteti i 51-të i Amerikës.
Më shumë se 75% e eksporteve të Kanadasë shkojnë në SHBA dhe tensionet me Uashingtonin e kanë shtyrë Carney-n të vendosë si objektiv uljen e kësaj varësie, duke dyfishuar eksportet drejt vendeve të tjera gjatë dekadës së ardhshme.
Përkeqësimi i marrëdhënieve Kinë–Kanada nisi me arrestimin e një drejtuesi kinez të teknologjisë në fund të vitit 2018, me kërkesë të SHBA-së, dhe u thellua më vonë nga qeveria e ish-kryeministrit Justin Trudeau, e cila në vitin 2024 ndoqi shembullin e presidentit amerikan Joe Biden duke vendosur një tarifë 100% për makinat elektrike të prodhuara në Kinë.
Kina u kundërpërgjigj me tarifa ndaj eksporteve kanadeze, përfshirë kanolën, prodhimet e detit dhe mishin e derrit, si dhe për tarifat 25% ndaj çelikut dhe aluminit.
Si pasojë e konfliktit tregtar, importet kineze nga Kanadaja ranë me 10.4% vitin e kaluar, në 41.7 miliardë dollarë, sipas të dhënave zyrtare kineze.
Carney zhvilloi gjithashtu takime me disa kompani të mëdha kineze, përfshirë gjigantin e tregtisë elektronike Alibaba, kompaninë shtetërore të naftës China National Petroleum Corp dhe prodhuesin kryesor të baterive për automjete elektrike CATL.
Ministrja e Jashtme e Kanadasë, Anita Anand, e cila po shoqëron Carney-n në këtë vizitë, i tha homologut të saj kinez Wang Yi se kryeministri pret të përcaktojë drejtimin e ri të marrëdhënieve dypalëshe dhe të rifillojë dialogun në fusha të ndryshme, sipas një deklarate të ministrisë së Jashtme të Kinës.
Kryeministri kanadez pritet t’u drejtohet gazetarëve në Pekin më vonë gjatë ditës së premte.
The Independent, përgatiti në shqip ©LAPSI.AL