Nuk ishte një kërcënim i jashtëm ai që shqetëson më shumë udhëheqësin suprem të Talibanëve, por një rrezik që vjen nga brenda vetë Afganistanit. Një regjistrim audio i siguruar nga BBC zbulon se Hibatullah Akhundzada, lideri absolut i regjimit taleban, paralajmëron hapur se përçarjet e brendshme mund të çojnë në shembjen e “Emiratit Islamik”.
Në audio-përgjimin e rrallë, Akhundzada dëgjohet teksa u flet anëtarëve të Talibanëve në një medrese në Kandahar, në janar 2025, duke paralajmëruar se konfliktet mes “të brendshmëve të qeverisë” mund ta shkatërrojnë regjimin nga brenda.
“Nëse këto përçarje vazhdojnë, Emirati do të shembet dhe do të marrë fund”, thotë ai.
(Udhëheqësi suprem Hibatullah Akhundzada (në qendër) ka "pushtet absolut", tha zëdhënësi i tij. Por ministrat, përfshi Sirajuddin Haqqani (majtas) dhe Mohammad Yaqoob (djathtas), kanë vënë në pikëpyetje vendimet)
Deklarata ka hedhur më shumë benzinë mbi thashethemet që prej muajsh qarkullojnë për një përplasje të fortë në majat e pushtetit taleban, një përçarje që drejtuesit e Talibanëve e kanë mohuar vazhdimisht, edhe kur janë pyetur drejtpërdrejt nga BBC.
Dy kampe në majë të pushtetit: Kandaharri kundër Kabulit
Pas një hetimi njëvjeçar, mbi 100 intervistave me burime aktuale dhe ish-anëtarë të Talibanëve, diplomatë dhe ekspertë, BBC ka arritur për herë të parë të hartëzojë qartë dy kampe rivale në majë të pushtetit taleban.
Njëri kamp është ai i Kandaharit, besnik absolut i liderit suprem, Akhundzadës. Nga kjo bazë tradicionale e Talibanëve, lideri suprem po e shtyn Afganistanin drejt një modeli ekstrem: izolim total nga bota, kontroll i plotë fetar mbi shoqërinë dhe pushtet i përqendruar në duart e klerikëve besnikë ndaj tij.
Kampi tjetër është ai i Kabulit, i përbërë nga ministra, komandantë të fuqishëm dhe figura me peshë politike, të cilët, ndonëse mbeten islamistë të ashpër, kërkojnë një Afganistan më pragmatik: hapje të kontrolluar ndaj botës, rindërtim ekonomik dhe rikthim të arsimit për vajzat dhe gratë, të ndaluar aktualisht përtej ciklit fillor.
Një burim e përshkruan përplasjen si:
“Shtëpia e Kandaharit kundër shtëpisë së Kabulit.”
Vendimi që çoi gjithçka drejt përplasjes
Për vite me radhë, bindja ndaj liderit suprem ka qenë shtylla e ADN-së së Talibanëve. Sfida e hapur ndaj Akhundzadës konsiderohej e paimagjinueshme.
Por kjo ndryshoi në shtator 2025.
Akhundzada urdhëroi ndërprerjen totale të internetit dhe telefonisë, duke e shkëputur Afganistanin nga bota. Tre ditë më vonë, interneti u rikthye pa asnjë shpjegim zyrtar.
Sipas burimeve, ministrat e kampit të Kabulit e kundërshtuan urdhrin dhe e rikthyen internetin, duke vepruar drejtpërdrejt kundër liderit suprem.
Një ekspert e cilëson këtë si një akt rebelimi të paprecedentë në historinë e Talibanëve.
“Bindja ndaj emir-it është absolute. Prandaj rikthimi i internetit kundër urdhrit të tij ishte një moment tronditës,” thotë një analist.
Pse këtë herë u guxua?
Burimet thonë se ndryshe nga ndalimi i arsimit për vajzat, i cili preku shoqërinë por jo pushtetin e tyre, ndërprerja e internetit kërcënonte drejtpërdrejt pushtetin, paratë dhe aftësinë për të qeverisur të elitës së Kabulit.
“Interneti sot është jetik për qeverisjen dhe tregtinë. Ky urdhër preku interesat e tyre personale,” shpjegon një ekspert.
Një lider absolut, gjithnjë e më i izoluar
Lideri suprem Akhundzada nuk jeton në Kabul, por në Kandahar. Ai flet pak, shmang publikun, nuk lejon fotografimin dhe komunikon kryesisht përmes klerikëve të moshuar. Vetëm dy foto të tij ekzistojnë publikisht.
Ministrat presin javë për ta takuar dhe udhëtojnë në Kandahar vetëm me ftesë zyrtare. Ai ka marrë nën kontroll edhe forcat e sigurisë dhe shpërndarjen e armëve, duke anashkaluar ministritë në Kabul.
Sipas OKB-së, konsolidimi i pushtetit të tij është shoqëruar me ndërtimin e forcave të sigurisë që i raportojnë drejtpërdrejt Kandaharit.
A po vjen përçarja e madhe?
Talebanët mohojnë çdo ndarje. Zëdhënësi Zabihullah Mujahid e quan gjithçka “dallime mendimi si në familje” dhe thotë se përçarja është “e ndaluar nga Allahu”.
Por deklaratat publike të figurave kyçe tregojnë të kundërtën.
Në dhjetor, ministri i Brendshëm Sirajuddin Haqqani paralajmëroi se një qeveri që tradhton besimin e popullit “nuk është qeveri”. Në të njëjtën ditë, një besnik i Akhundzadës deklaroi se “një lider urdhëron dhe të tjerët binden”.
Dy vizione, dy Afganistanë të ndryshëm.
Pyetja që mbetet pezull
A do të kthehet kjo përplasje në veprim real për ndryshim, sidomos për gratë dhe shoqërinë afgane?
“Deri tani, fjalët nuk janë kthyer në veprime,” thotë një ekspert.
“Dhe kjo është pyetja që mbetet: a do të guxojnë ndonjëherë?”
Përgatiti nga BBC në shqip: ©LAPSI.AL