Nga Dorian Kodra
Plasja e shashkave është sport kombëtar gjatë ditëve të fundivitit. Diku do të shfaqet ndonjë adoleshenti i papjekur që e ndez në fshehtësi fitilin për ta hedhur në rrugë. Atmosferave e festave s'është e njëjta pa fërshëllimën e ndezjes, shpërthimin bombastik dhe acarimin e kalimtarëve. Njësoj si ky tip mistreci u shfaq edhe kryeministri Edi Rama në prezantimin e një parku eolik, kur ia lëshoi të ngarkuarës me punë të SHBA, Nancy VanHorn një pohim sa të papritur, aq edhe provokues.
Kur parafolësi e kishte quajtur Shqipërinë "një treg i vogël", Rama e korrigjoi duke i thënë se ky treg mund të jetë i vogël, por duhet llogaritur që ka një ofertë për të bërë tregti me Kinën. Sipas Ramës, fuqia botërore ekonomike e konsideron Shqipërinë si "pika e mjaltit" e të gjithë Europës.
[video width="848" height="384" mp4="https://cdnimpuls.com/lapsi.al/wp-content/uploads/2026/01/Rama-Shqiperia-pike-mjalti-per-Kinen.mp4"][/video]
“Po mos të ishte Shqipëria kaq e rëndësishme potencialisht, kinezët që janë civilizimi më i vjetër edhe tregtarët më të padiskutueshëm nuk do i kishin vënë syrin dhe nuk do e konsideroni Shqipërinë si “pikën e mjaltit” në gjithë Europën apo jo?" u shpreh kryeministri.
I ndërgjegjshëm se me këtë pohim do të tërhiqte vëmëndjen e përfaqësueses së SHBA në vendin tonë, Rama vazhdoi me pohimin se Shqipëria është fiks vendi i duhur, ku "të gjithë" siç u shpreh ai, mund të bëjnë tregti.
"Duke u bazuar tek mençuria mijëravjeçare e Kinës edhe duke u bazuar tek eksperienca dhe uria për fitim e Amerikës, ne jemi fiks vendi i duhur, në kohën e duhur për ju edhe për të gjithë të tjerët që duhet të vijnë këtu në këtë treg të vogël, për të kapur tregun e madh që është jashtë kufijve të këtij vendi të vogël” tha ai duke iu referuar Europës me fjalët "tregu i madh".
Deklarata u prit me buzëqeshje nga të pranishmit në sallë. Përveç Nancy VanHorn, që duartrokiti thatë dhe ktheu kokën në anën tjetër, kur kryeministri afrohej për t'u ulur në vendin e tij. Foto më poshtë:
[caption id="attachment_1055875" align="alignnone" width="2148"]
E ngarkuara me punë e SHBA në vendin tonë Nancy VanHorn[/caption]
Prej kohësh tashmë, në aktivitet diplomatike që zhvillohen në Tiranë, Nancy VanHorn nuk po e shijon rolin e "primadonna", një ekskluzivitet i padiskutueshëm i ambasadasorëve amerikanë në çdo event ku ata kanë qenë të pranishëm.
Por në rastin e VanHorn, kjo është hera e dytë që ajo bëhet spektatore e një shkelje syri hapur fare për Kinën.
E tillë ishte vëmëndja që Rama ia dhuroi ambasadores kineze Pang Chunxue në darkën e fundvitit që kryeministria organizoi në "Chateau Braha" me trupin diplomatik të akredituar në Tiranë.
Gjatë mbrëmjes, kryeministri i Shqipërisë ia kushtoi tërësisht vëmëndjen ambasadores Chunxue, madje ishte ajo që përzgjodhi me duart e saj fituesin e shortit për pikturën që do të jepej si dhuratë e pritjes. Foto më poshtë:
[caption id="attachment_1055859" align="alignnone" width="806"]
Edi Rama dhe Pang Chunxue duke hedhur shortin për pikturën dhuratë për një nga ambasadorët[/caption]
Për më tepër Rama e uli ambasadoren kineze Pang Chunxue në tryezën ku ishte ai vetë dhe bashkëshortja e tij, Linda Rama. Bashkë me ta ishin edhe përfaqësues të tjerë të trupit diplomatik, por mungonin dy ambasadorët më të zëshëm mes ndërkombëtarëve të Tiranës, amerikania Nancy VanHorn dhe ambasadori i BE, Silvio Gonzato. Shiko foton më pashtë:
[caption id="attachment_1055860" align="alignnone" width="1078"]
Edi dhe Linda Rama në tryezë me ambasadorët e përzgjedhur për të darkuar në festën e fundvitit për trupin diplomatik të akredituar në Tiranë, e dyta majas, ambasadorja kineze Pang Chunxue[/caption]
Kuptohet se ky flirt i papritur i Edi Ramës me Kinën në prani të VanHorn është pasojë e qasjes së re të administratës së SHBA ndaj qeverisë shqiptare, përfshirë këtu edhe një impuls të ri që kanë marrë hetimet e SPAK me dosjet e Ballukut dhe Ergys Agasit. Të dërguarit nga Departamenti i Shtetit i kanë nxitur publikisht prokurorët e SPAK të shkojnë më tej duke krijuar një lëkundje të forta në qeveri, që duket sikur ia kanë prishur Ramës qetësinë e garantuar nga administrata e shkuar amerikane.
Jo më kot, në këtë atmosferë të ftohtë mes Ramës dhe VanHorn ra në sy një Belinda Balluku e kënaqur që ndoqi e buzëqeshur fjalimin e liderit të saj, i cili vitin 2026 po e nis me një flirt me Kinën.
[caption id="attachment_1055877" align="alignnone" width="1440"]
Edi Rama dhe Belinda Balluku gjatë prezantimit të parkut eolik, foto e marrë nga rrjetet sociale të Belinda Ballukut[/caption]
Një shpjegim për deklaratat, është se Rama ia lejon vetes lojërat me Nancy VanHorn, duke qenë se ajo nuk është asgjë më shumë se një burokrate, pa fuqi vendimmarrëse. Prandaj e provokon atë duke thënë se do t'i hapë rrugë tregtisë me Kinën, e injoron duke i bërë temena ambasadores kineze dhe e sfidon rregullisht për t'i treguar se ai, kryeministri i 4 mandateve, që ka takuar dhe përcjellë disa presidentë amerikanë dhe po aq sekretarë shtetesh, nuk e llogarit një nëpunëse pa peshë si ajo. Në këtë rast, Rama e ka të qartë se negociatat reale duhet t'i kryejë në një nivel tjetër.
Shpjegimi i dytë për sjelljen e Ramës në raport me VanHorn është vetëbesimi që shefi i qeverisë duhet t'i transmetojë Belinda Ballukut. Një zv.kryeministre e pandehur, mbi kokën e të cilës qëndron kërkesa për arrestim nga SPAK, është më e pasigurtë se kurrë. Duke ia hedhur dorashkën publikisht Nancy VanHorn, Rama i jep garanci Ballukut se është ende i fortë, se në këtë betejë ata janë bashkë dhe se nuk ka amerikan që t'i futet në mes. Vetëm koha do ta tregojë, nëse Belinda Balluku duhet ta besojë verbërisht garancitë që i jep Rama apo jo.
Shpjegimi i tretë është ai që ka më pak gjasa, por që të bën të mendosh se Rama e konsideron vërtet skenarin e hapjes së dyerve për investimet kineze në vendin tonë, si një strategji për t'iu përgjigjur flakë për flakë qasjes së re të administratës amerikane. Me mendësinë e të dëshpëruarit që i thotë vetes "dy duar për një kokë", në këtë variant Rama ka kuptuar se nuk ka rrugë tjetër veçse t'i kundërvihet veglave të ambasadës amerikane, duke luajtuar kartën e afrimit me ambasadat e tjera, atyre që në Ballkanin Perëndimor, amerikanët i referohen si "aktorë të tretë" dhe që kanë qenë gjithnjë shqetësim për SHBA.
Kërcënime dhe tendera/ Si po e zgjeron SPAK hetimin për Ballukun
Cilido qoftë qëllimi i Ramës me deklaratat për Kinën, nuk duhet harruar se shashkat mbushen me sasi të vogla baruti. Qëllimi i tyre është të bëjnë zhurmë, jo të bëjnë dëme. Përndryshe ka të lënduar që përfundojnë në spital.
Fjalë për fjalë/ Ç’thotë ligji i firmosur nga Trump për autokracitë e Ballkanit
Fill pas deklaratave që dëgjoi nga kryeministri i Shqipërisë për tregtinë me Kinën, Nancy VanHorn nxitoi drejt Gjykatës Kushtetuese aty ku pritet vendimi për pezullimin apo jo të Belinda Ballukut nga detyra. VanHorn përsëriti një kërkesë që amerikanët e kanë kthyer në refren tanimë për Shqipërinë; çmontimin e rrjeteve të narkotrafikut dhe krijimin e kushteve të barabarta për bizneset amerikane. Por këtë herë ajo shtoi edhe garantimin e drejtësisë për qytetarët shqiptarë, duke i mbajtur përgjegjës ata që shkelin ligjet e saj./Lapsi.al