Flash

Përmbytjet/ Rama gjen fajtorin te mediat e shishet plastike: Do ketë masa ndëshkuese

Lapsi.al 11 January 2026
Përmbytjet/ Rama gjen fajtorin te mediat e shishet plastike: Do ketë

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se qeveria do tu dalë për zot të gjitha dëmeve nga përmbytjet. Gjatë fjalës së tij në podkastin 'Flasim', Rama ka theksuar se ekipet e verifikimeve kanë dalë në terren për të vlerësuar situatën e dëmeve të shkaktuara.

Sipas Ramës, në momentin që do të mbarojnë verifikimet, do të kalohet në fazën e dëmshpërblimeve.

"Kjo është motoja ime dhe e jona sa herë fatkeqësi të ndryshme godasin vendin e njerëzit, që nga tërmeti shkatërrues i mijëra e mijëra shtëpive e deri tek sikleti rrënues i një familjeje të goditur nga uji, zjarri apo nga ndonjë fatkeqësi tjetër. Dhe dua t'u përcjell përsëri, të dëmtuarve nga kjo goditje e fatkeqësisë kësaj here, se ne do t'i qëndrojmë me të njëjtin dinjitet njerëzor, shtetëror dhe politik çdo detyrimi ndaj tyre, qoftë për banesat, qoftë për gjënë e gjallë. Puna jonë intensive nuk mbyllet me përmirësimin e situatës së motit, por do të vazhdojë me riparimin e dëmeve në infrastrukturë dhe të çdo dëmi në familjet e prekura nga uji.

Ekipet tona të verifikimeve janë në terren që nga dita e parë, ndërkohë që Ministria e Financave e ka të përgatitur tanimë të gjithë planin me skenarët e dëmshpërblimit. Presim rezultatin përfundimtar të verifikimeve për të kaluar në fazën e dëmshpërblimeve. E mos harroni, kur ne erdhëm në qeveri, në malin e borxheve që na lanë trashëgim aleatët e sotëm të fatkeqësive, ishin edhe dy kodra të larta borxhesh nga përmbytjet e zonës së Shkodrës. Ne i shlyem një më një ato borxhe për ata njerëz dhe nuk kemi hyrë më në asnjë borxh të kësaj natyre me njerëzit e këtij vendi, sepse erdhëm për të ndërtuar një Shqipëri tjetër dhe kjo është Shqipëria tjetër, që nuk i le vetëm njerëzit e saj. Kurrë më," tha Rama.

Ai ka paralajmëruar masa të reja për mbetjet plastike që hidhen në rrugë duke theksuar se prurjet marramendëse të plastikës nga lumenjtë, kanë bllokuar kanalet në vend.

Më tej ai shtuar se qeveria do të dalë me një sërë masash të reja, duke nisur nga sensibilizimi i qytetarëve dhe deri te ndëshkimi.

"Ama përtej vorbullës atmosferike, ndryshimit klimatik, sasisë së reshjeve që në katër ditë ishte sa mesatarja e muajit janar, pra 30 ditëve reshje, në pesë vitet e fundit, faktori njerëzor ka peshën e vet. Ka peshën e vet për mirë ose për keq, njësoj siç edhe infrastruktura ka peshën e vet për mirë ose për keq. Jo për t’i ndalur, por për t’i bërë më të kontrollueshme, këto masa të jashtëzakonshme reshjesh dëbore dhe prurjesh. Ndërkohë që, ne si qeveri, jemi të qartë për nevojën e vazhdimit te investimeve në sistemin mbrojtës të vendit, unë nuk e di fare sinqerisht se si i bëhet harbutërisë ekstreme ndaj natyrës që manifestojmë orë e çast ne si popull! Po troç, ne si popull! Prurjet marramendëse të plastikës nga lumenjtë në këto raste, janë të frikshme, janë të neveritshme, janë kriminale në kuptimin e plotë të fjalës.

Hedhja rrugëve e shisheve dhe qeseve plastike, si të ishte ky vend, jo atdheu ynë i përbashkët, po një kosh plehrash në një territor që s’na përket me të cilin s’kemi lidhje, ku, kudo ku na teket, lëshojmë si lopa bajgat, mbetjet e konsumit tonë, është diçka, që e mbulon tamam me bajga flamurin e pavarësisë tonë si shtet, librin e historisë së përpjekjeve tona shekullore si komb për të jetuar në shtetin tonë, fytyrën e secilit prej nesh si njerëz të këtij populli e si qytetarë të Europës, që mbajmë emrin shqiptar, të cilin e mbajmë me të drejtë me krenari në shumë raste, të cilin e ndiejmë me të drejtë si vërtetë fjalën kyçe që na bën të ndihemi krenarë kur je në stadium, por të cilin e përdhosim, emrin shqiptar, duke përdhosur Shqipërinë, duke përdhosur natyrën e Shqipërisë, duke përdhosur fytyrën e Shqipërisë. Ne si qeveri e si shumicë popullore, sidoqoftë nuk do të dorëzohemi, e do të dalim më tej me masa të reja kundër kësaj fuqie të errësirës në trurin tonë si milet, duke rritur përpjekjet për sensibilizim, informim, por edhe ndëshkim po ashtu. Por në të gjitha rastet është e domosdoshme që gjithësecili të ftillohet sepse kjo që ndodh dhe ajo që i bëjmë ne Shqipërisë, duke hedhur një shishe plastike apo duke hedhur një qese plastike në rrugë ka vetëm një fjalë që e përkufizon, KRIM" - tha Rama.

Ai ka sulmuar mediat duke u shprehur se Shqipëria nuk është prekur nga situata kritike për shkak të arsyeve që raportohen nga mediat, duke i quajtur këto të fundit si 'tenxhere'.

Më tej Rama ka krahasuar vendin me vende të tjera në rajon dhe në botë, duke theksuar se moti i keq ka prekur nga Italia deri në Turqi dhe Serbi.

"Kjo javë ka qenë tejet e ngarkuar me reshje e me dëborë, një gjendje atmosferike e zgjatur dhe e rëndë, e cila nuk ka prekur thjesht Shqipërinë për ndonjë arsye të lidhur me vendin tonë, nga ato arsyet që ziejnë në 700 tenxheret politike mediatike të mexhelisit shqiptar, por ka prekur një hartë të tërë nga Italia në Greqi, nga Mali i Zi në Kosovë e deri lart në Serbi, në Kroaci, e nga Maqedonia e Veriut e deri në Turqi, ku Stambolli përjetoi një situatë filmash apokaliptikë, ku i njëjti i ftohtë, i njëjti shi, e njëjta dëborë e të njëjtat përmbytje e bllokime, kanë krijuar të njëjtën situatë psikologjike për njerëzit.

Një masë ajri e ftohtë nga veriu është përplasur me ajër të ngrohtë e të lagësht nga Mesdheu, dhe ka krijuar pikërisht këtë vorbull atmosferike mbi Evropën Juglindore, duke sjellë reshje të vazhdueshme dhe temperatura të ulëta. Prandaj edhe lumenjtë rriten përsëri para se të bien. Prandaj edhe toka mbetet e ngopur me ujë. Prandaj edhe reshjet e shiut e të dëborës marrin përmasa anormale. Ndryshimi klimatik nuk do të thotë vetëm vera më të nxehta, por do të thotë stinë të çrregullta, sisteme atmosferike të ngadalta, ku nuk ka qarkullim normal të këtyre flukseve, prandaj edhe krijohen vorbulla dhe pastaj të papriturat e një moti më ekstrem e më këmbëngulës në atë ekstremitetin e vet," tha Rama. /LAPSI.al

Të këshilluara

Fier, tokat bujqësore ende nën ujë

Qarku i Fierit vijon të përballet me pasoja nga reshjet e fundit. Tokat bujqësore mbeten ende të përmbytura, ndërsa prurjet në lumenjtë Seman dhe Shkumbin janë ...

12:03

ide

Zvërneci si përralla e çekut të bardhë

Shqiptarët janë skeptik kur dëgjojnë historinë e përsëritur se do vijnë investime nga jashtë miliarda euro që do na pasurojnë dhe punësojnë të gjithëve, kuptohet vetëm pasi kanë privatizuar perlat tona kombëtare. Aq më tepër kur përrallat me investime prej miliard eurosh kanë dalë bllof s në rastin e projektit Marina Durrës ku u tha se do investoheshin 2.5 miliardë dollarë

10:03 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

24°c

KËMBIMI EURO

95.24

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI