Flash

Vrasja e Ardit Spahiut/ Franc Çopja në gjyq në Belgjikë: Jam agjent imobiliar!

Lapsi.al 9 January 2026
Vrasja e Ardit Spahiut/ Franc Çopja në gjyq në Belgjikë:

Është një nga klanet shqiptare më me ndikim: klani Çopja. Udhëheqësi i tij, Franc Gergely, po gjykohet para Gjykatës së Krimeve të Rënda të Brukselit së bashku me tetë të pandehur të tjerë për vrasjen e Ardit Spahiut, i cili u qëllua për vdekje në mes të rrugës në Molenbeek.

Nga Candice Bussoli, LE SOIR

Presidentja e Gjykatës së Krimeve të Rënda të Brukselit, Isabelle De Saedeleer, ka vendosur: as ndarje e çështjes, as shtyrje e procesit. Gjyqi do të zhvillohet sipas planit.

Janë nëntë persona që gjykohen për një nga narko-vrasjet e para në Belgjikë me përmasa ndërkombëtare, por vetëm pesë prej tyre janë fizikisht të pranishëm në bankën e të akuzuarve, në sallën e madhe të drejtësisë “Justitia” në Bruksel.

Endrit Sadedini mungon. “Klienti im është plotësisht i pamundur të jetë i pranishëm në Bruksel, pasi ndodhet i paraburgosur në Shqipëri që nga 19 shkurti”, deklaroi avokati Michel Bouchat para gjykatës. Ai kërkoi që dosja e klientit të ndahej nga të tjerat dhe të shqyrtohej më vonë, duke përmendur forcë madhore. Disa avokatë të tjerë kërkuan gjithashtu shtyrjen e procesit, duke argumentuar se prania e tij është thelbësore për garantimin e të drejtave të mbrojtjes. Pas disa orësh diskutimi, presidentja e gjykatës njoftoi se kërkesa për ndarje u refuzua, ashtu si edhe ajo për shtyrjen e procesit. Gjyqi do të vazhdojë sipas planit.

Endrit Sadedini u dënua më 2 dhjetor nga një gjykatë e shkallës së parë në Shqipëri me tre vjet e katër muaj burg për mbajtje arme zjarri. Në Belgjikë, prokuroria federale e dyshon atë si njërin nga tre ekzekutorët e kësaj vrasjeje që ka tërhequr vëmendje të madhe.

Ngjarja ndodhi pasditen e 27 nëntorit 2020. Ardit Spahiu po largohej nga një lokal në ‘Avenue du Condor’ në Molenbeek, kur një makinë iu afrua. Një person zbriti dhe hapi zjarr disa herë. Viktima u godit nga nëntë plumba. Ardit Spahiu u rrëzua dhe vdiq në vend, para syve të dëshmitarëve.

Franc Çopja, i pandehuri në qendër të vëmendjes

Në sallën e gjyqit, një i pandehur tërheq gjithë vëmendjen: Franc Gergely, i njohur si “Çopja”, rreth të tridhjetave. Përballë jurisë – gjashtë gra dhe gjashtë burra – ai deklaron identitetin e tij me një ton të prerë: “Jam shqiptar dhe agjent imobiliar”. Një heshtje mbizotëron në sallë. Emri “Çopja” njihet shumë përtej këtyre mureve. Ai i përket një klani të drejtuar nga dy vëllezër, i cili vetëm në vitin 2020 ka importuar më shumë se 28 ton kokainë në Europë nga Amerika Latine.

Sot, Franc Çopja po gjykohet si porositësi kryesor i vrasjes së Ardit Spahiut, ndërsa bashkëpunëtori i tij, Mikael Qosja, është ende në arrati. Në kohën e ngjarjeve, të dy jetonin në Dubai, duke përdorur identitete të shumta për të menaxhuar aktivitetet e tyre larg vëmendjes së autoriteteve. Klani i tyre kishte investuar masivisht në pasuri të paluajtshme në Tiranë dhe Elbasan, duke blerë apartamente, ndërtesa, bare e restorante, me synimin për të pastruar paratë dhe për t’u paraqitur si investitorë të domosdoshëm për zhvillimin rajonal.

Rivalitete mes klaneve

Ardit Spahiu, gjithashtu shqiptar, jetonte i izoluar në Belgjikë që nga viti 2019, nga frika për jetën e tij në vendlindje, ku kishin ndodhur disa vrasje me porosi. Ai i përkiste një klani rival me Çopjat, klanit Alibej, po ashtu i përfshirë në trafikun e drogës. Hetimet tregojnë se vrasja e tij lidhet me rivalitete të dhunshme mes këtyre klaneve shqiptare të përfshira në trafikun ndërkombëtar të drogës – një luftë e fshehtë që, sipas dëshmive, zgjat prej vitesh.

Një nga ngjarjet që e përshkallëzoi këtë rivalitet ishte vjedhja, në Londër në vitin 2017 ose 2018, e një ngarkese prej rreth 50 kilogramësh kokainë, pronë e klanit Çopja, e cila dyshohet se përfundoi në duart e klanit Alibej–Spahiu. Ardit Spahiu ishte arkëtari i degës së tij familjare dhe po hetonte personalisht vrasjet e të afërmve të tij, gjë që e bëri atë një objektiv kryesor.

Provat digjitale: Sky ECC

Klani Çopja ra shpejt në shënjestër të autoriteteve ndërkombëtare. Për muaj të tërë, hetimet ngecën. Por në qershor 2021 ndodhi kthesa: analiza e të dhënave nga serverët e koduar të aplikacionit Sky ECC bëri të mundur lidhjen e vrasjes me disa persona. Franc Gergely u identifikua përmes tre kodeve Sky.

Më 30 dhjetor 2023, ai u ekstradua nga Dubai me kërkesë të autoriteteve belge për t’u gjykuar në Bruksel, duke u bërë personi i parë i ekstraduar nga Emiratet e Bashkuara Arabe drejt Belgjikës për t’u përballur me drejtësinë. Ekstradime të tjera kanë pasuar më vonë mes dy vendeve.

I përshkruar nga hetuesit shqiptarë si “jashtëzakonisht ambicioz”, Franc Çopja ndodhet në burgun e Haren që prej 30 dhjetorit 2023. Edhe pse pa precedentë penalë në Belgjikë, që nga 3 shtatori 2024 ndaj tij ekziston një urdhër arresti ndërkombëtar i lëshuar nga autoritetet shqiptare për vrasje dhe drejtim të një organizate kriminale aktive në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve.

Pas një dite të parë të seancës, e cila iu kushtua vetëm pengesave procedurale, gjyqi do të rifillojë këtë të premte me leximin e aktakuzës prej 200 faqesh.

Të këshilluara

ide

Zvërneci si përralla e çekut të bardhë

Shqiptarët janë skeptik kur dëgjojnë historinë e përsëritur se do vijnë investime nga jashtë miliarda euro që do na pasurojnë dhe punësojnë të gjithëve, kuptohet vetëm pasi kanë privatizuar perlat tona kombëtare. Aq më tepër kur përrallat me investime prej miliard eurosh kanë dalë bllof s në rastin e projektit Marina Durrës ku u tha se do investoheshin 2.5 miliardë dollarë

10:03 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

29°c

KËMBIMI EURO

95.24

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI