Renee Nicole Good u qëllua dhe u vra në Minneapolis nga një agjent i Imigracionit dhe Doganave (ICE). Për këtë ka dalë një video e re e marrë nga kamera e trupit e agjentit që ishte i pranishëm. Videoja e publikuar tregon Renee në sediljen e shoferit të makinës së saj “Honda Pilot”. Një qen është ulur gjithashtu në sediljen e pasme që sheh nga një dritare e hapur.
Renee i thotë policit federal të ICE që afrohet: "Është në rregull, shoku. Nuk jam e zemëruar me ty". Një grua e identifikuar si Rebecca Good ndodhet jashtë makinës duke filmuar me celular. Ajo është pikërisht partnerja e Renee dhe që fillon të bërtasë ndërsa në sfond dëgjohen fishkëllima dhe sirena.
“Nuk ka problem, nuk i ndërrojmë targat çdo mëngjes, vetëm që ta dish”, - thotë Rebecca. “Do të jetë e njëjta targë kur të flasësh me ne më vonë. Është në rregull, jemi qytetarë amerikanë”, - shtoi ajo.
“Do të na sulmosh? Shko ha diçka të madhe. Vazhdo”, - vijon Rebecca teksa filmon me telefonin e saj jashtë makinës. Rebecca më pas përpiqet të hipë në automjet nga ana e pasagjerit, por një oficer policie i bërtet: “Dil nga makina, dreqin”.
Rebecca, e cila është ende jashtë makinës, dëgjohet duke thënë: “E ngas unë makinën, zemër. E ngas unë makinën”, por Renee shtyp gazin dhe oficeri nis qëllojë. Një burrë dëgjohet duke thënë: “Dreqin... dreqin...”.
Videon e ka publikuar edhe zëvendëspresidenti i SHBA-së J.D. Vance: “Shikojeni këtë, sado e rëndë që është. Shumë prej jush kanë dëgjuar se ky oficer nuk u godit nga një makinë, nuk po ngacmohej dhe vrau një grua të pafajshme. Realiteti është se jeta e tij u vu në rrezik dhe ai qëlloi për vetëmbrojtje", - shkroi ai.
Çifti i vajzave kishte ardhur në Minneapolis gati një vit më parë, duke kërkuar një vend ku mund të ndiheshin rehat me djalin e tyre 6-vjeçar. "Të mërkurën, më 7 janar, ndaluam për të ndihmuar fqinjët tanë. Kishte fishkëllima. Ata kishin armë", - tha Rebecca për “Washington Post”.
“Ne e rritëm djalin tonë me bindjen se, pavarësisht nga vjen apo si dukesh, të gjithë meritojmë dhembshuri dhe mirësi", tha Rebecca, duke shtuar: "Renee e jetoi këtë besim çdo ditë. Është dashuri e pastër. Është gëzim i pastër".
Renee, 37 vjeçe, u qëllua disa blloqe larg shtëpisë së saj nga një agjent i ICE, i cili, sipas zyrtarëve federalë, qëlloi për vetëmbrojtje. Çifti gjendej mes banorëve vendas që ishin organizuar për protestuar kundër pranisë së federalëve të ICE në qytetin e tyre.
“Mund të mendoni se foli vetëm e dashura ime, por familja e saj tha të njëjtën gjë. Renee ishte e krishterë dhe e dinte se të gjitha fetë mësojnë të njëjtën të vërtetë themelore: ne jemi këtu për të dashur njëri-tjetrin, për t'u kujdesur për njëri-tjetrin dhe për të mbrojtur njëri-tjetrin”, - tha Rebecca.
Tricia McLaughlin, një zëdhënëse e Departamentit të Sigurisë Kombëtare, i tha Fox News se Goode "po ndiqte agjentët gjithë ditën, duke penguar zbatimin e ligjit". Kur u pyet nga Washington Post se në çfarë e bazonte këtë përshkrim, McLaughlin tha se informacioni vinte nga "dëshmitë autentike" të oficerëve që kishin pasur kontakt me Goode.
Në intervista, miqtë dhe familja e kishin përshkruar Renee si një grua që jetonte një jetë të qetë pa asnjë aktivizëm të hapur. Babai i Renee, Tim Ganger, tha se "ajo u gjend në një situatë të keqe. Mendoj se thjesht u gjend në mes".
Familja dhe miqtë e Goode e përshkruajnë atë si një nënë të përkushtuar të tre fëmijëve, një artiste me talent për poezi, e cila kishte kapërcyer vështirësitë personale, përfshirë vdekjen e burrit të saj të dytë, një veteran ushtarak që vuante nga çrregullimi i stresit post-traumatik. ©LAPSI.al