Ruben Amorim u shkarkua nga Manchester United në mëngjesin e së hënës, më 5 janar, vetëm pak orë pas shpërthimit të tij të fundit në konferencë për shtyp, ku kishte shprehur shqetësim të thellë ndaj një pjese të madhe të drejtuesve të klubit. Arsyet lidhen kryesisht me keqkuptime mbi menaxhimin e skuadrës, rolin e tij si trajner-menaxher dhe, jo së fundmi, me divergjenca totale në prag të merkatos së dimrit. Kështu, vendimi për ndarje – llogaritë në dorë – do t’i kushtojë shumë shtrenjtë Manchester United-it: mbi 11 milionë euro, me Amorim që për momentin mbetet ende në listën e pagave. Këtyre duhet t’u shtohen edhe 10 milionë të paguara Sportingut për lirimin e tij dhe 16 milionë për Ten Hag, edhe ai i shkarkuar nga United.
Kontrata e Amorim ishte deri në qershor 2027
Prishja ndodhi si akti i fundit pas një sërë ngjarjesh që nuk lanë më asnjë arsye për të vazhduar marrëdhënien, edhe pse marrëveshja ishte arritur relativisht vonë, vetëm 14 muaj më parë, kur United kishte paguar rreth 10 milionë euro Sporting CP për të liruar trajnerin portugez në nëntor 2024. Në atë kohë, Ruben Amorim firmosi një kontratë me Manchester United deri në vitin 2027, me opsion për zgjatje edhe për një vit tjetër, për një marrëveshje që – sipas burimeve pranë klubit – nuk përfshinte një klauzolë për largim të parakohshëm. Kjo do të thotë se klubi do të duhej të paguante, në çdo rast, të gjithë vlerën e kontratës.
Sa i kushton United shkarkimi i Amorim
Sipas disa burimeve angleze, paga e Amorim në momentin e shkarkimit arrinte rreth 145 mijë euro në javë, për një total vjetor prej afro 7.5 milionë eurosh. Kjo përkthehet në një pagesë totale mbi 11 milionë euro, duke qenë se kontrata ishte e vlefshme deri më 30 qershor 2027. Një shifër mbresëlënëse, që i shtohet një tjetër kostoje që po rëndon arkën e United-it, i cili u detyrua të paguante rreth 16 milionë euro dëmshpërblim për Erik ten Hag, stafin e tij dhe drejtorin sportiv të atëhershëm Dan Ashworth, pas shkarkimit për t’i hapur rrugë pikërisht Amorim.
Edhe 5 të tjerë me paga ose dëmshpërblim
Në të gjithë këtë situatë nuk përfshihet ajo që Manchester United do të duhet të paguajë edhe për stafin e Amorim. Trajneri portugez kishte sjellë me vete nga Sportingu pesë bashkëpunëtorë: Carlos Fernandes, Jorge Vital, Adelio Candido, Emanuel Ferro dhe Paulo Barreira. Të gjithë të lidhur ngushtë me Amorim dhe që, me shumë gjasa, do të duhet të negociojnë një dëmshpërblim në rast largimi nga rolet e tyre me dëshirë të klubit anglez.