Donald Trump ka propozuar sërish aneksimin e Grenlandës, pasi udhëheqësja e Danimarkës i kërkoi atij që “të ndalë kërcënimet” lidhur me ishullin.
Duke folur me gazetarët, presidenti amerikan tha se “na duhet Grenlanda nga këndvështrimi i sigurisë kombëtare”.
Trump e ka ngritur vazhdimisht mundësinë që territori gjysmë autonom danez të bëhet pjesë e aneksuar e SHBA, duke përmendur vendndodhjen e tij strategjike për qëllime mbrojtjeje dhe pasurinë minerare.
Kryeministri i Grenlandës, Jens Frederik Nielsen, reagoi duke thënë “mjaft tani” dhe e përshkroi idenë e kontrollit amerikan mbi ishullin si një “fantazi”.
Ai tha: “Mjaft me presionin. Mjaft me insinuatat. Mjaft me fantazitë e aneksimit. Ne jemi të hapur për dialog. Jemi të hapur për diskutime. Por kjo duhet të ndodhë përmes kanaleve të duhura dhe me respekt për të drejtën ndërkombëtare”.
Më herët, kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, kishte deklaruar se “SHBA nuk ka asnjë të drejtë të aneksojë asnjërin prej tre kombeve në mbretërinë daneze”.
Frederiksen shtoi se Danimarka, “dhe rrjedhimisht Grenlanda”, është anëtare e NATO-s dhe e mbuluar nga garancia e sigurisë e aleancës, duke theksuar se tashmë ekziston një marrëveshje mbrojtjeje që i jep SHBA akses në ishull.
Deklarata e kryeministres daneze u publikua pasi Katie Miller, bashkëshortja e një prej këshilltarëve të lartë të Trump, Stephen Miller, postoi në rrjetet sociale një hartë të Grenlandës të ngjyrosur me ngjyrat e flamurit amerikan, shoqëruar me fjalën “SË SHPEJTI”.
Ambasadori danez në SHBA iu përgjigj postimit të Miller, një podkastere e krahut të djathtë dhe ish ndihmëse e Trump gjatë mandatit të tij të parë, me një “kujtesë miqësore” se dy vendet janë aleate dhe duke thënë se Danimarka pret respekt për integritetin e saj territorial.
Polemikat mbi të ardhmen e Grenlandës vijnë pas një operacioni të madh ushtarak kundër Venezuelës të shtunën, gjatë të cilit u kapën presidenti Nicolás Maduro dhe bashkëshortja e tij dhe u dërguan në Nju Jork.
Trump më pas tha se SHBA do ta “administrojë” Venezuelën dhe se kompanitë amerikane të naftës do të “fillojnë të nxjerrin fitime për vendin”.
Situata ka ringjallur frikën se SHBA mund të marrë në konsideratë përdorimin e forcës për të siguruar kontrollin mbi Grenlandën, një ishull i madh në Arktik, diçka që presidenti amerikan më parë nuk e ka përjashtuar.
Trump ka pretenduar se përfshirja e Grenlandës si pjesë e Shteteve të Bashkuara do t’i shërbente interesave të sigurisë amerikane, për shkak të vendndodhjes së saj strategjike dhe pasurisë me minerale kritike për sektorët e teknologjisë së lartë.
Vendimi i fundit i administratës Trump për të emëruar një të dërguar të posaçëm për Grenlandën shkaktoi zemërim në Danimarkë.
Grenlanda, e cila ka një popullsi prej rreth 57.000 banorësh, gëzon vetëqeverisje të gjerë që nga viti 1979, megjithëse mbrojtja dhe politika e jashtme mbeten në kompetencë të Danimarkës.
Ndërsa shumica e grenlandezëve janë në favor të pavarësisë eventuale nga Danimarka, sondazhet tregojnë kundërshtim dërrmues ndaj bashkimit me SHBA.
Në komente për BBC, kryeministri britanik Sir Keir Starmer tha se vetëm Danimarka dhe Grenlanda mund të vendosin për fatin e territorit.
“Grenlanda dhe Mbretëria e Danimarkës duhet të vendosin për të ardhmen e Grenlandës, dhe vetëm Grenlanda dhe Mbretëria e Danimarkës”, tha ai.
Ndërkohë, një përfaqësues i Bashkimit Evropian hodhi poshtë pretendimin e Trump se BE “ka nevojë” që SHBA të kontrollojë territorin.
Trump u tha gazetarëve në bordin e Air Force One gjatë fundjavës se “BE ka nevojë që ne ta kemi [Grenlandën] dhe ata e dinë këtë”.
Zëdhënësja kryesore e Komisionit Evropian, Paula Pinho, i tha BBC-së se kjo “sigurisht që nuk është” qëndrimi i BE-së, duke shtuar se ajo nuk ishte në dijeni të ndonjë diskutimi me SHBA lidhur me këtë çështje./BBC