Flash

Mundësi investimi, në 6 janar zhvillohet ankandi i obligacioneve 20-vjeçare

Lapsi.al 2 January 2026
Mundësi investimi, në 6 janar zhvillohet ankandi i obligacioneve

Ministria e Financave do të zhvillojë më datë 6 janar ankandin e parë të obligacioneve 20-vjeçare për vitin 2026. Shuma e obligacioneve që do t’u ofrohen për blerje investitorëve është 1.5 miliardë lekë. Obligacionet 20-vjeçare janë instrumentet më afatgjata të borxhit që ofron aktualisht tregu i brendshëm financiar. Rrjedhimisht, ato sigurojnë edhe normat më të larta të kthimit nga investimit mes titujve qeveritarë.

Në ankandin e fundit të këtyre instrumenteve, të zhvilluar në muajin shtator 2025, yield-i uniform i pranuar i këtyre instrumenteve u rrit në 6.88%, nga 6.5% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm të këtyre instrumenteve, në muajin qershor.

Nga 1 miliard lekë që kishte qenë shuma e shpallur për financim nga Ministria e Financave, vlera totale e kërkesave në ankand arriti në 1.31 miliardë lekë. Pavarësisht se pro rata (pjesa e pranuar) e kërkesave konkurruese nuk ishte shumë e lartë, në nivelin 49.4%, yield-et u rritën sërish.

Këtu ndikoi edhe vendimi i Ministrisë së Financave për ta rritur shumën e emetimit në nivelin maksimal të lejuar, prej 15%. Sipas rregullores së ankandeve, për obligacionet yield-i është uniform me kërkesën më të lartë të pranuar.

Deri në mesin e vitit 2025, yield-et e titujve të borxhit të qeverisë shqiptare kishin ndjekur një tendencë rënëse, rënie që ka arritur nivele të paprecedente, e shprehur si marzh në raport me normën bazë të interesit. Në gjysmën e dytë të vitit, siç ishte e pritshme, tregu ndoqi një fazë korrektimi, sidomos në instrumentet me afat më të gjatë maturimi.

Obligacionet 20-vjeçare janë instrumentet më afatgjata të borxhit të emetuara ndonjëherë nga qeveria shqiptare. Ato janë një alternativë e mirë sidomos për investitorët institucionalë. Veçanërisht për shoqëritë që administrojnë fonde me horizont afatgjatë, si fondet private të pensionit, obligacionet 20 vjeçare krijojnë mundësi për të pasuruar spektrin e titujve në protofole dhe për të rritur kthimet për anëtarët. Shtimi i instrumenteve të borxhit me maturim afatgjatë krijon më shumë premisa për të zhvilluar tregun dytësor të titujve, për t’i bërë këta tituj më likuidë.

Individët apo subjektet e interesuara për të investuar mund të marrin pjesë në ankandet e obligacioneve nëpërmjet bankave tregtare të licencuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) si shoqëri komisionere për investimin në tituj. Bankat e licencuara për këtë shërbim janë ABI Bank, BKT, Credins Bank, Fibank, Intesa Sanpaolo Bank, OTP Bank, Raiffeisen Bank, Tirana Bank dhe Union Bank. Shuma minimale e pjesëmarrjes në ankandet e obligacioneve është 300 mijë lekë.

Për shuma deri në 50 milionë lekë, investitorët mund të paraqiten në ankande me kërkesa konkurruese ose jo konkurruese, por çdo kërkesë vlera e së cilës kapërcen shumën 50 milionë lekë klasifikohet si kërkesë konkurruese pavarësisht subjektit pjesëmarrës në ankand.

Obligacionet 20-vjeçare u emetuan për herë të parë në muajin janar të vitit 2025, nëpërmjet një ankandi për testimin e tregut. Kërkesa e kënaqshme nga investitorët bëri që ky instrument të përdorej edhe tre herë të tjera gjatë vitit 2025, ndërkohë që Ministria e Financave do të vazhdojë ta përdorë edhe gjatë vitit 2026./ Monitor.al

Të këshilluara

Venezuela liron 87 të burgosur politikë

87 persona u liruan me rastin e Dita e Vitit të Ri në Venezuelë, njoftuan sot dy organizata joqeveritare. Kjo erdhi një javë pasi autoritetet njoftuan lirimin e...

07:05

ide

Rama dhe psikologjia e masave: Rruga e fashizmit hapet nëse mposhtet protesta

Në rastin e protestave aktuale, thelbi nuk është “urrejtja e masës” ndaj zhvillimit. Thelbi është se një pjesë e madhe e shoqërisë nuk pranon më që “zhvillimi” të përkufizohet vetëm nga qeveria, investitori dhe propaganda. Qytetarët po thonë se zhvillimi duhet të matet edhe me demokraci, drejtësi, mjedis, punë dinjitoze, llogaridhënie dhe të drejtën e qytetarëve për të vendosur mbi hapësirat ku jetojnë

21:27 Klevis Kolasi

MOTI TIRANA

25°c

KËMBIMI EURO

94.89

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI