Flash

Fillon bonus-malus,sigurim i shtrenjtë i mjetit për drejtuesit që kanë shkaktuar dëme

Lapsi.al 1 January 2026
Fillon bonus-malus,sigurim i shtrenjtë i mjetit për drejtuesit që

Duke filluar nga 1 janar 2026, do të nisë aplikimi i sistemit bonus-malus në sigurimin e detyrueshëm motorik për përgjegjësitë ndaj palëve të treta. Sistemi bonus-malus nënkupton prime më të shtrenjta sigurimi, krahasuar me ato aktuale, për ata drejtues mjetesh që kanë shkaktuar dëme dhe prime më të ulëta për drejtuesit që nuk kanë shkaktuar dëme.

Megjithatë, sipas ekspertëve të tregut, ndryshimi do të jetë shumë më i madh në rastin e drejtuesve që kanë shkaktuar dëme (malus), ndërkohë që zbritja për drejtuesit pa histori dëmesh (bonus) pritet të jetë në përmasa modeste.

Në vitin 2024, AMF miratoi rregulloren “Për përcaktimin e faktorëve të riskut që përfshihen në përllogaritjen e primit për produktet e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit”. Kjo rregullore hyri në fuqi në 1 janar 2025, por në vitin e parë të zbatimit ndër faktorët e riskut nuk u përfshi parimi bonus-malus, duke u shtyrë për në vitin 2026.

Në përllogaritjen e primit të sigurimit, kompanitë ndjekin disa faktorë kryesorë risku, si historiku i dëmeve, përfshirë edhe rastet kur shkaktari i aksidentit nuk është i shënuar në policën e sigurimit; fuqia motorike e mjetit; mosha e të siguruarit; eksperienca në drejtimin e mjetit motorik; përdorimi i mjetit nga një subjekt apo nga një individ; qarku i regjistrimit të mjetit dhe vjetërsia e mjetit.

Aplikimi i sistemit bonus-malus është i parashikuar në ligjin “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, që ka hyrë në fuqi që në vitin 2021. Megjithatë, ligji e parashikon si të drejtë të kompanive të sigurimit, por jo një detyrim. Zbatimi i parimit bonus-malus u bë i mundur vetëm pas miratimit të rregullores “Për përcaktimin e faktorëve të riskut që përfshihen në përllogaritjen e primit për produktet e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit”.

Edhe me miratimin e kësaj rregulloreje, tregu i këtij produkti nuk po shfaq konkurrencë të mirëfilltë dhe primet e sigurimit janë pothuajse të njëjta në të gjitha kompanitë.

Ndarja e tregut të sigurimit të detyrueshëm motorik për përgjegjësitë ndaj palëve të treta është pothuajse e pandryshuar edhe këtë vit. Sipas informacionit nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) për 9-mujorin 2025 tregu i këtij produkti kryesohet nga Sigal, me 20.64% të primeve të shkruara bruto, nga 20.6% që mbante një vit më parë. Ndjek Eurosig, me 15.19% (nga 15.25% një vit më parë) dhe Sigma, me 14.59% (nga 14.6% një vit më parë).

Edhe për kompanitë e tjera, ndryshimi i pjesës së tregut është i papërfillshëm krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Problemi i konkurrencës në tregun e TPL-ve u ngrit edhe këtë vit gjatë raportimeve në Kuvendin e Shqipërisë nga AMF dhe Autoriteti i Konkurrencës. Deputetët nënvizuan se ngrirja e ndarjes së tregut mes kompanive për këtë produkt është një fakt që tregon qartë mungesën e konkurrencës efektive./ Monitor

Të këshilluara

ide

Keqkuptimi kryeministror mbi anti-korrupsionin

Fakti që asnjë institucion i administratës sonë publike nuk vuri re se u investuan miliona euro në inceneratorë fantazëm, se AKSHI kontrollohej nga një kriminel ordiner, se drejtorët e Bashkisë së Tiranës ia jepnin tenderat vetes, apo se drejtori i policisë dhe drejtoresha e SHISH punonin për Gysin, tregon se nuk kemi administratë publike dhe shtet

09:35 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

15°c

KËMBIMI EURO

91.79

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI