Flash

Bankat 100 % digjitale: një revolucion që po nis edhe në Shqipëri!

Lapsi.al 29 December 2025
Bankat 100 % digjitale: një revolucion që po nis edhe në

Bankat moderne, që nisën të paktën me familjen Medici në Firence dhe bankat gjenoveze e veneciane, që në shekujt 14 dhe 15, janë simbolizuar me ndërtesat më moderne dhe që zbukuronin qytetet, kudo ku ato vendoseshin. Edhe sot ndërtesat, ku janë vendosur dhe kryejnë aktivitet bankat e mëdha, vazhojnë të jenë simbolet arkitekturore të qyteteve europiane dhe botërore. Zhvillimet teknologjike nisën t’ i ndihmojnë bankat, që të përsosnin modelet e tyre të biznesit, të rrisnin eficiencën e tyre operacionale, duke ofruar shërbime më të mira dhe më të lira për klientët, duke rritur njëherësh fitimet e tyre.

Nëse gërmojmë pak në evolucionin teknologjik në sistemin bankar, sistemet elektronike të përpunimit të transaksioneve bankare dhe shërbimit të klientëve fillojnë që në fundin e viteve 1960 me shpikjen e Makinave të Automatizuara të Shërbimit (ATM), që i mundësonin klientëve kryerjen e shërbimeve bankare, si tërheqje paraje dhe kontroll i gjendjes së llogarisë, pa qenë nevoja të shkojnë në një zyrë banke. Nga fundi i viteve 1980 shërbimet bankare përmes telefonit mundësonin që klientët të kryenin edhe transfertat dhe të kontrollonin gjendjen e llogarisë përmes telefonit (telephone banking).

Por, me fillimin e viteve 1990 starton një epokë e re në përdorimin e teknologjisë në sistemin bankar, epoka e bankingut digjital, që nis me lindjen e internetit. Bankingu online shfaqet si një alternativë ndaj ofrimit të shërbimit bankar tradicional përmes degëve të bankave. Sa më shumë që sistemet e internetit fuqizoheshin dhe zgjeroheshin, aq më shumë zgjerohej dhe bankingu online në kryerjen e shërbimeve.

Revolucioni i vërtetë në industrinë bankare nis në vitet 2000. Shekulli i 21 po dëshmon një valë të paprecedentë inovacionesh në bankingun mobile. Nëse më parë kryerja e shërbimeve bankare kërkonte një kompjuter të lidhur me internet, tani përmes një telefoni mobil smart, dhe instalimit të një aplikacioni, mundësohet jo vetëm kryerja e pagesave dhe kontrolli llogarive, por edhe shërbime të asistencës për menaxhimin më të mirë të financave personale: kujtesë për pagim të detyrimeve të maturuara, kontrollin online në kohë reale të shpenzimeve, etj. Me përparimin e teknologjisë, bankat kanë shtuar platforma online edhe për aplikim për kredi, për gjurmimin e investimit, dhe shërbimet e pagimit të faturave. Sot në Europë, 78% e transaksioneve kryhen online; në SHBA, 85% dhe në Azi-Pacifik, 92%. Nëse viziton një bankë në vendet e zhvilluara, nuk mund të kontaktosh me bankier personal - siç ishte bankingu tradicional - por shërbimet i kryen përmes ekraneve, që janë të instaluar kudo në qytete. Bankingu online është shndërruar në formën standarte të shërbimit, prej më shumë se një dekade tashmë.

Futja e teknologjive të blockchain dhe kriptomonedhave, i ka dhënë bankingut digjital një tjetër dimension. Monedhat digjitale janë shfaqur si monedhë alternative ndaj monedhave zyrtare dhe bashkë me sistemin e decentralizuar të llogarive (databaza digjitale që ndahet mes shumë kompjuterash të vendosur në rrjet), ato mundësojnë transaksionet midis personave drejtpërdrejt, pa qenë nevoja e përdorimit të ndërmjetësve.

Integrimi i inteligjencës artificiale (AI) në bankingun digjital, mundëson ofrim të shërbimeve të personalizuara, dedektimin e mashtrimeve dhe sinjalizimin e klientit të bankës për raste të tilla, ndërsa bankat kanë mundësi të rrisin eficiencën e tyre në ofrimin e shërbimeve, të reduktojnë kostot dhe rrisin fitimet. Teknikat e reja të menaxhimit të rriskut janë përmirësuar në saj të përdorimit të algoritmeve që mbështeten në machine learning dhe bazë të dhënash me profilet e rriskut të huamarrësve.

Me pak fjalë, inovacioni teknologjik sot ka transformuar në mënyrë rrënjësore biznesin e industrisë bankare, duke e bërë bankën pothuaj krejtësisht virtuale për klientin. Në raportin e stabilitetit financiar të Bankës Qendrore Europiane të botuar në maj 2025, shënohet se deri në fund të vitit 2024, 60 banka në eurozonë tashmë janë tërësisht digjitale, ku vetëm 7 prej tyre janë degë të bankave tradicionale, ndërsa të tjerat janë banka krejtësisht të reja. (Garcia et al, 2025). Pesha e tregut të tyre akoma mbetet e ulët, 3,9% në vitin 2024, por ritmi i rritjes është impresionues. Banka më e hershme tërësisht digitale gjermane, për shembull, u themelua në vitin 2013 nga dy sipërmarrës, ndërsa sot është shndërruar në një nga bankat më të mëdha të fintech.

A ka rreziqe ky lloji i ri i bankimi që po lind dhe po përhapet me shpejtësi në gjithë botën? Çdo revolucion në një industri kudoqoftë, padyshim që sjell sfida, pasi e trondit sistemin ekzistues. Bankat tradicionale duhet të investojnë shumë që të transformohen për t’ju përshtatur realitetit të ri. Kjo ka ndodhur më së pari në industritë e telekomunikacioneve dhe duhet të shërbejë si model sjelljeje për bankat. Nëse kompanitë e dikurshme të telefonisë fikse (si Albetelkom) nuk do të kishin investuar në ofrimin e shërbimeve me vlerë të lartë të shtuar (si shërbimi internetit, telefoni mobile), sot nuk do të ekzistonin.

Për momentin, klientela bazë e këtyre bankave janë të rinjtë dhe të pasionuarit pas teknologjive të reja. Studimet tregojnë se baza kryesore e depozitave janë depozituesit me pakicë. Por historia e suksesit të pazakontë të M-PESA që nisi në Kenya në vitin 2007dhe u përhap me shpejtësi në shumë shtete të Afrikës, dëshmon se individët mund të adoptohen shpejt me përdorimin e teknologjive të reja. Për më tepër, aplikacionet e tanishme ndërtohen të thjeshta në përdorim (user friendly) duke lehtësuar përdorimin për të gjitha grupmoshat.

Një çështje tjetër është ajo e sigurisë së sistemeve digjitale. Integrimi i teknologjive të përparuara, si autentifikimi biometrik (me shenjat e gishtit ose fytyrës) dhe autentifikimi me dy faza, përmirësimi i vazhdueshëm i protokolleve të sigurisë, janë një sfidë që në fakt cënon edhe bankat tradicionale. Sulmet kibernetike kanë qenë një konstante jo vetëm për bankat por edhe për sistemet e tjera digjitale. Rritja e sistemeve të sigurisë është një betejë perpetum dhe që me sofistikimin e teknologjive të ardhshme, gjasat janë që ato do të bëhen gjithnjë e më të sigurta. Edhe privatësia dhe ruajtja e të dhënave personale paraqet sfida. Kuadri rregullator i bankave qendrore duhet të sigurojë plotësimin e standardeve europiane në këtë fushë. Në fakt, sfida serioze e këtij lloji revolucionar të bankingut është reformimi i sistemit rregullator e mbikëqyrës, por kjo është një çështje që bankat qendrore kanë nisur të punojnë. Shqipëria që është në procesin e përafrimit të legjislacionit edhe në fushën e shërbimeve bankare, duhet të adoptojë direktivat Europiane në këtë fushë, për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin e sistemit financiar, duke nxitur inovacionin edhe në tregun financiar të vendit.

Hyrja e Jet Bank në Shqipëri, banka e parë që do të jetë 100% digjitale, mendoj se shënon një moment shumë interesant për sektorin financiar të vendit. Do të jetë një sfidë si për vetë bankën në krijimin e një kulture të re financiare për shoqërinë, ashtu dhe për presionin pozitiv që do të ushtrojë në nxitjen e inovacionit në të gjithë industrinë në tërësi. Duket se së bashku me anëtarësimin e vendit në SEPA, ky është lajmi tjetër interesant financiar i vitit 2025!

*Ekspert ekonomie, president i Universitetit Europian të Tiranës

Të këshilluara

Shqiptarët mes frikës, mjerimit dhe heshtjes

Këtë tetor nisa një bashkëpunim me BIRN për të realizuar disa reportazhe me tema të ndryshme, kryesisht sociale dhe mjedisore. E mora përsipër me dëshirë këtë p...

11:21

Një turp i madh

Një tribunë që i pëlqen të fishkëllejë: dje himnit të Sllovenisë, një vend mik i Kosovës, sot Granit Xhakës, më të mirit futbollist me origjinë shqiptare ndonjë...

12:34

Frikë, poshtërim, shpresë

Teksa po lexoja raportet vjetore të Komisionit Europian për vendet që synojnë anëtarësimin në BE, së bashku me komunikatën për procesin e zgjerimit, m’u kujtua ...

14:57

ide

Zvërneci si përralla e çekut të bardhë

Shqiptarët janë skeptik kur dëgjojnë historinë e përsëritur se do vijnë investime nga jashtë miliarda euro që do na pasurojnë dhe punësojnë të gjithëve, kuptohet vetëm pasi kanë privatizuar perlat tona kombëtare. Aq më tepër kur përrallat me investime prej miliard eurosh kanë dalë bllof s në rastin e projektit Marina Durrës ku u tha se do investoheshin 2.5 miliardë dollarë

10:03 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

18°c

KËMBIMI EURO

95.24

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI