Flash

Si po e përdor SHBA SPAK-un Ukrainas, për të dobësuar forcën negociuese të Zelenskit

Lapsi.al 26 December 2025
Si po e përdor SHBA SPAK-un Ukrainas, për të dobësuar

Nga Serge Metais, Mediapart

Dihej se Rustem Umerov (në foto ne krah të Zelenskit) kishte shkuar disa herë në Florida gjatë javëve të fundit dhe se aty kishte takuar, ndër të tjerë, Steve Witkoff, në kuadër të negociatave për “planin e paqes” të Donald Trump. Por nuk dihej aspak se ai mund të kishte takuar gjithashtu drejtorin e FBI-së (Federal Bureau of Investigation), Kash Patel, dhe zëvendësin e tij, Dan Bongino, siç e zbulon Washington Post në botimin e 12 dhjetorit.

Kjo ngre pikëpyetje, sepse FBI, në parim, nuk ka asgjë për të bërë në këto negociata. Ato duhej të ishin kryesisht punë e Departamentit të Shtetit (ministria e Jashtme e drejtuar nga Marco Rubio), pra e diplomatëve profesionistë. Edhe nëse pranohet një diplomaci paralele, me Steve Witkoff dhe Jared Kushner, në shërbim personal të Donald Trump, ndërhyrja e FBI-së nuk gjen asnjë justifikim të arsyeshëm.

Për të kuptuar çfarë fshihet pas takimeve sekrete të Rustem Umerov me drejtorin e FBI-së dhe zëvendësin e tij, duhet fillimisht të flasim për rolin e Sigurisë së Brendshme amerikane në zbulimin e skandalit të korrupsionit në Ukrainë. Më pas do të shohim se Kash Patel dhe Dan Bongino janë njerëz të Donald Trump. Është ai që i ka vendosur në krye të FBI-së. Në këtë rast, ata nuk mund të jenë veçse instrumente të një shantazhi.

FBI-ja e përfshirë në luftën kundër korrupsionit në Ukrainë

Angazhimi i FBI-së në luftën kundër korrupsionit në Ukrainë është i hershëm. Ai daton pas Maidanit të dytë (i quajtur në Ukrainë “Revolucioni i Dinjitetit”). Rusia sapo kishte aneksuar Krimenë dhe po organizonte një rebelim të armatosur në Donbas. Presidenti ukrainas i asaj kohe, Petro Poroshenko, kërkonte ndihmë perëndimore. Amerikanët, nën presidencën e Barack Obamës, u treguan të gatshëm, por me kushtin e krijimit të institucioneve që do të luftonin realisht korrupsionin.

Kështu, në vitin 2015, u krijuan dy organe të pavarura nga Ekzekutivi:

– Byroja Kombëtare Kundër Korrupsionit e Ukrainës (NABU)(NABU), përgjegjëse për hetimet

– Prokuroria e Specializuar Kundër Korrupsionit (SAP)

Që në atë kohë u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi SHBA-Ukrainë, e cila parashikonte asistencën e FBI-së për këto struktura.

Për këtë arsye, FBI ka një zyrë të përhershme brenda ndërtesës së NABU-s në Kiev. Përfaqësuesi i saj është në kontakt të drejtpërdrejtë dhe të përditshëm me hetuesit dhe informohet për të gjitha hetimet në vazhdim që përfshijnë zyrtarët më të lartë të shtetit dhe të ekonomisë ukrainase.

Skandali i korrupsionit që shpërtheu muajin e kaluar ka rrënjë të thella. Fakti që fajësia e disa personave të afërt me presidentin ishte tashmë e provuar shpjegon pse, verën e kaluar, Volodymyr Zelensky u përpoq të kufizonte kompetencat e institucioneve antikorrupsion. Më 22 korrik, ai bëri që Parlamenti (Rada) të miratonte një ligj që ua hiqte pavarësinë këtyre organeve. Kjo shkaktoi indinjatë të madhe publike. Pas protestave masive, presidenti u detyrua ta shfuqizonte ligjin. Pavarësia e NABU-s dhe SAP-it u rivendos.

Një sistem korrupsioni ishte aktiv brenda Energoatom, operatori publik i centraleve bërthamore ukrainase, i cili prodhon mbi gjysmën e energjisë elektrike të vendit. Furnitorët detyroheshin të frynin çmimet për të përfshirë ryshfete prej 10–15% të vlerës së kontratave. Shuma e përvetësuar gjatë viteve vlerësohet rreth 100 milionë dollarë.

Hetimi tregoi se organizatori kryesor i këtij rrjeti ishte Timour Minditch, mik i afërt i Volodymyr Zelenskyt dhe bashkëpronar me të i studios së prodhimit Kvartal-95. Ai u arratis drejt Izraelit vetëm disa orë para se forcat e rendit të ndërhynin për ta arrestuar. Disa figura kyçe të rrjetit, përfshirë ish-ministra si Oleksi Tchernyshov, ndodhen sot në burg, në pritje të gjykimit.

Hetimi zbuloi gjithashtu diçka edhe më alarmante: rrjeti i korrupsionit ishte i lidhur me shërbimet sekrete ruse. Ryshfetet kalonin përmes një zyre në qendër të Kievit, ku mbahej një kontabilitet i saktë dhe ku fondet transferoheshin drejt strukturave jashtë Ukrainës, madje edhe në Rusi. Kjo “lavanderi parash” i përkiste familjes Derkatch.

Andri Derkatch kishte qenë drejtues i Energoatom në kohën e Yanukovych-it, ishte agjent i njohur i FSB-së dhe ishte përjashtuar nga administrata pas vitit 2014, por u rikthye me ardhjen në pushtet të Zelenskyt. I kërcënuar pas dështimit rus për të marrë Kievin në vitin 2022, ai u arratis në Rusi, ku sot është senator i Federatës Ruse dhe më 9 dhjetor 2025 mori medaljen “Hero i Rusisë” nga Putini në Kremlin.

Kjo çështje ilustron një model klasik të Ukrainës post-sovjetike: ndërthurjen e rrjeteve kriminale të bazuara në korrupsion me agentura-n ruse, pra rrjetin e agjentëve të fshehtë të shërbimeve sekrete ruse.

FBI si instrument presioni i Trump kundër Umerovit

Trump nuk i intereson aspak lufta kundër korrupsionit apo ndikimit rus në Ukrainë. Ajo që i intereson sot është ajo që FBI di për udhëheqësit aktualë ukrainas dhe çfarë mund të përdoret kundër tyre për t’i dobësuar ose shantazhuar, me synim që t’i detyrojë të pranojnë kapitullimin.

Në këtë aspekt, Rustem Umerov rezulton veçanërisht i cenueshëm. FBI nuk ka vetëm dosjen e tij në Prokurorinë Antikorrupsion, por edhe elementë konkretë në SHBA që tregojnë një stil jetese dhe pasurim të dyshimtë. Sipas Qendrës për Veprim Antikorrupsion (AntAC), Umerov dhe familja e tij zotërojnë tre apartamente në Florida, një në Nju Jork dhe katër vila pranë Majamit. Gruaja dhe tre fëmijët e tij jetojnë në Florida që prej vitit 2018 dhe vetë Umerov thuhet se ka “green card”.

Kash Patel dhe Dan Bongino nuk janë profesionistë të karrierës në FBI, por politikanë të vendosur aty për besnikëri ndaj Trump. Patel është i njohur për sulmet e tij kundër hetimeve mbi lidhjet e Trump me Rusinë në 2016 dhe kishte deklaruar se do ta “mbyllte selinë e FBI-së dhe do ta kthente në muze të shtetit të thellë”. Bongino, nga ana tjetër, është ish-polic dhe drejtues i një podcasti ultrakonservator pro-Trump.

Në këtë kontekst duhen kuptuar takimet e tyre me Rustem Umerovin në Miami: presion i drejtpërdrejtë – ose bashkëpunon, ose rrezikon arrestimin për korrupsion dhe konfiskimin e pasurive në SHBA.

Rustem Umerov mbetet negociatori kryesor në raundin e ri të bisedimeve në Miami. Ai deklaroi më 21 dhjetor se delegacioni ukrainas kishte zhvilluar “takime produktive dhe konstruktive” me partnerët amerikanë dhe evropianë. Është e qartë se ai do të përpiqet të përshtasë planin e paqes në përputhje me kërkesat e Putinit, ndërsa Zelensky, nën presionin e opinionit publik, përpiqet ende ta frenojë këtë drejtim. Një spektakël i trishtuar i një pushteti që së shpejti do të duhet të japë llogari.

Përktheu nga Mediapart, T.Çela, Lapsi.al

 

 

 

Të këshilluara

ide

Zvërneci si përralla e çekut të bardhë

Shqiptarët janë skeptik kur dëgjojnë historinë e përsëritur se do vijnë investime nga jashtë miliarda euro që do na pasurojnë dhe punësojnë të gjithëve, kuptohet vetëm pasi kanë privatizuar perlat tona kombëtare. Aq më tepër kur përrallat me investime prej miliard eurosh kanë dalë bllof s në rastin e projektit Marina Durrës ku u tha se do investoheshin 2.5 miliardë dollarë

10:03 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

26°c

KËMBIMI EURO

95.24

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI