Derbi i Italisë nuk shkon kurrë me pushime, as nën pemën e Krishtlindjes. Për ta rindezur rivalitetin familjar ka menduar Khephren Thuram, protagonist i një videoje simpatike festive për DAZN. Mes pyetjeve për dhuratat për shokët e skuadrës, mesfushori bardhezi ia rezervon thumbimin më argëtues pikërisht vëllait të tij Marcus, sulmuesit të Interit. I pyetur se çfarë do t’i dhuronte për Krishtlindje, Khéphren nuk ka pasur dyshime: “Çfarë i dhuroj Marcusit? Një fanellë të bukur të Juventusit me shkrimin Thuram 19”.
Më pas zbulon edhe një prapaskenë nga Juve–Inter: “Pas ndeshjes thanë se Marcus nuk kishte festuar golin, por nuk është e vërtetë. Ai festoi drejt tifozëve tanë dhe më pas tregoi emrin në fanellë, sikur të thoshte: unë jam Thuram. Më bëri të zemërohem”.
Thuram–Frattesi, Juve thotë jo
Nëse Khéphren bën shaka për të ardhmen, klubi është serioz për të tashmen. Zërat për një shkëmbim të mundshëm merkatoje me Frattesin janë shuar menjëherë nga Giorgio Chiellini përpara sfidës me Bolognën: “Një gjë është e sigurt: Thuram është dhe do të mbetet lojtar i Juventusit. Nuk duam të heqim dorë prej tij, përkundrazi, me të duam të ndërtojmë të ardhmen”.
Edhe vetë Khephren është i bindur: “Interi ishte skuadra e duhur për Marcusin, Juventusi është i duhuri për mua: është klubi më i mirë në Itali dhe unë frymëzohem nga Pogba. Të shoh emrin tim në këtë fanellë është shumë bukur, shpresoj një ditë të fitoj këtu ashtu siç bëri babai”.
Dhuratat për dhomën e zhveshjes
Përveç shakasë për vëllain zikaltër, francezi ka hartuar listën e dhuratave për shokët e skuadrës. Për Di Gregorio ka menduar një kuti muzike, ndërsa për Cambiaso ka sugjeruar me ironi një brisk “që të rregullojë mjekrën”. Biletë për Dubai për Kalulu dhe shkop golfi për pasionantin McKennie, ndërsa për Yildiz ka kartë të bardhë: “Ai kërkon, unë paguaj”.