Flash

BIRN: Si u zhduk koleksioni 1 mln euro me 900 shishe vere i Ergys Agasit

Lapsi.al 26 December 2025
BIRN: Si u zhduk koleksioni 1 mln euro me 900 shishe vere i Ergys Agasit

Në një akt të paprecedentë, një koleksion me 900 shishe verë ekskluzive me vlerë rreth 1 milion euro në pronësi të Ergys Agasit u zhduk pa asnjë gjurmë, ndonëse ishte bllokuar nga hetuesit e BKH-së dhe Drejtoria e Hetimit Doganor.

Mes kodrave të gjelbëruara të Mulletit, rreth 13 kilometra larg qendrës së Tiranës, “Equos Resort” reklamon shërbime luksi, mes të cilave një klub hipizmi, xhiro me kuaj apo sporte ujore për stinët e nxehta të vitit.

Por koleksioni më i vlefshëm fshihej në një qilar brenda resortit.

Pas shpalljes në kërkim të Ergys Agasit për akuzat e krijimit të një grupi të strukturuar kriminal me qëllim manipulimin e tenderave të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, AKSHI, oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit bllokuan një koleksion të shtrenjtë me 900 shishe verë të markave ekskluzive në një vilë 2-katëshe brenda resortit, e identifikuar si pronë e Agasit.

Por koleksioni i verërave u zhduk në mënyrë të paprecedentë, pasi ishte bllokuar nga oficerët e BKH-së dhe Drejtoria e Hetimit Doganor.

Një burim në dijeni të kontrollit i tha BIRN se një pjesë e koleksionit të verërave në pronësi të Agasit daton gati një shekull më parë, me tapa të dyllosura në vitet 1922, 1923 dhe 1940, të gjitha të pajisura me certifikatë origjine. Koleksioni kishte si origjinë Francën dhe Italinë dhe ishte futur kontrabandë në Shqipëri.

Sipas SPAK, koleksioni u zbulua gjatë kontrolleve për ekzekutimin e masës së sigurisë “arrest me burg” ndaj Ergys Agasit, e lëshuar nga Gjykata e Posaçme më 15 dhjetor. Hetuesit e BKH-së vlerësuan gjithsesi se koleksioni i verës nuk bënte pjesë në kompetencën lëndore të Strukturës së Posaçme dhe njoftuan Drejtorinë e Hetimit Doganor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave që të kryente procedurat përkatëse për mallrat e futura kontrabandë.

“Kemi ndjekur praktikën e rasteve të ngjashme, pasi kur konstatohet një vepër penale e dyshuar që nuk është kompetencë e Strukturës së Posaçme, njoftohen institucionet kompetente për kryerjen e veprimeve të mëtejshme,” tha një burim i SPAK në kushtet e anonimatit.

Drejtoria e Hetimit Doganor ka kryer inventarin dhe ka arritur në përfundimin se koleksioni i verërave të Agasit kishte një vlerë prej rreth 1 milion eurosh, ndërkohë që shmangia e detyrimeve doganore kapte vlerën e rreth 300 mijë eurove. Nga vlerësimi sipas çmimeve të referencës dhe atyre të tregut, është konkluduar se ka pasur shishe vere që e kalonin vlerën e 30 mijë eurove, ndërsa më e lira është vlerësuar rreth 350 euro.

Pasi ka kryer inventarin, drejtoria e Hetimit Doganor nuk e ka transportuar koleksionin në magazinat doganore me pretendimin se nuk kishin hapësirë për produkte ushqimore. Në pritje të gjetjes së hapësirës, ata kanë mbajtur një procesverbal për bllokimin e mallit, i cili është nënshkruar nga djalit të xhaxhait të Agasit, Eno Agasi, dhe janë larguar.

Kur janë rikthyer të nesërmen për të rimarrë verën, punonjësit e Hetimit Doganor e kanë gjetur qilarin bosh. Doganat e referuan çështjen në Prokurorinë e Tiranës, kur 900 shishet e verës ishin zhdukur pa asnjë gjurmë.

I pyetur nga BIRN, drejtori i Hetimit Doganor, Dorian Doka i shmangu komentet për përgjegjësitë, duke thënë se çështja është në hetim.

Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedimin penal për katër vepra penale ndaj Eno Agasit, ndërkohë që gjykata ka caktuar ndaj tij masën e “arrestit me burg” në mungesë. Ai po hetohet për “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”; “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës”; “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë”; “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Sipas Prokurorisë së Tiranës, zhdukja e verës ka qenë e mirëorganizuar, pasi nga hetimet ka rezultuar që autorët të jenë kujdesur të zhdukin edhe gjurmët. Autorët kanë zhdukur gjithashtu të gjitha kamerat e sigurisë që gjendeshin në “Equos Resort” si dhe ato që e lidhnin resortin me autostradën Tiranë-Elbasan.

Koleksioni prej 1 milion eurosh i verërave të Ergys Agasit konsiderohet prej hetuesve një investim.

“Nuk është zotëruar për konsum, por ka qenë një koleksion i krijuar për investim, pasi i rritet vlera. Po ashtu, mund të jetë përdorur në vend të shkëmbimeve valutore,” tha një burim në afërsi të hetimit.

Sipas Prokurorisë së Tiranës, në vijim të hetimeve dhe provave të reja që do të gjenden, do të vlerësohet nëse çështja do të përmbyllet aty, apo do të kalohet për kompetencë pranë Prokurorisë së Posaçme./BIRN

Të këshilluara

Parashikimi i motit për ditën e premte

Ditën e premte moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura të cilat pas orëve të mesditës gradualisht pritet të vijnë në pakësim, duke u përqendruar...

07:26

ide

Plaku me bastun, si antimodeli ndaj një pushteti të shurdhët

Ndarja e re teritoriale përpos problemeve të diskutueshme me pakësimin e bashkive po vërteton se kjo qeverisje e degraduar nuk ka më as vullnet as nerva për të dëgjuar qytetarët. Prandaj rruga e vetme e komunikimit me të mbetet ajo e ngritjes së shkopit

16:34 Andi Bushati

Një monument i shëmtuar i autoritarizmit politik

Në vend që të kujdesen për godint që kërcënojnë qytetarët estetikisht dhe fizikisht, Kryeministri dhe Bashkia e tij në Durrës rendin të hedhin miliona euro për të ndërtuar mure betoni që fshehin detin dhe shëmtojnë qytetin

10:47 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

35°c

KËMBIMI EURO

92.53

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Euro kap një minimum të ri

Kursi i këmbimit Euro-Lek e ka mbyllur edhe këtë javë në rënie, duke shënuar një rekord të ri historik. Sipas kurs...

15:29

Me sytë katër

PAPARAZZI