Kjodian Braho si shef i ri i SPAK, më shumë se produkt i shtatë votave të 11 anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, është ai i një konsensusi të gjërë mes diplomatëve që gjenden në Tiranë. Ata u rakorduan me një prezencë të paparë këtë të enjte, ku formalisht ishte parashikuar të zhvillohej gara për kreun e ri të Prokurorisë Speciale. Ende pa filluar prezantimet e kandidatëve, në sallën e mbledhjeve të KLP-së u akomoduan ambasadori i Bashkimit Europian, Silvio Gonzato, e ngarkuara me punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Nancy Vanhorn; ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Nick Abbott dhe ai i Holandës, Reinout Vos, ajo e Francës, Catherine Suard. Në sallë ishin gjithashtu përfaqësues të zyrave diplomatike të Italisë, Austrisë, Hungarisë, Slovenisë dhe Rumanisë.
Klodian Braho në krye të SPAK, mes presionit të ambasadave dhe llogarive politike
Aq shumë ambasadorë të tjerë kishte në radhë për të marrë pjesë, sa një ditë më parë zyra e shtypit e KLP-së që organizonte "garën" lajmëroi gazetarët se nuk kishte më hapësira për kameramanët dhe një pjesë e mediave duhej të prisnin jashtë, sepse salla ishte e vogël për të zënë aq shumë diplomatë. Në të njëjtën kohë që mediave iu jepej ky njoftim në selinë e Prokurorisë Speciale ia kishte behur një dërgatë diplomatësh amerikanë. E ngarkuara me punë e SHBA, Nancy van Horn, shoqëronte në këtë vizitë të dërguarin e ndihmës zv/ sekretarit të shtetit, Lyn Debevoise, i cili kishte ardhur enkasp për garën dhe u kujdes ta tregonte këtë duke publikuar në faqen e ambasadës një foto me Brahon.
I njëjti spektakël vijoi edhe pasi Klodian Braho u zgjodh që në raundin e parë. Menjëherë pas shpalljes së rezultatit në unison shpërthyen urimet dhe përgëzimet diplomatike në drejtim të tij.
Më shumë se shijimin e fitores amerikanët u kujdesën të theksonin vijimin e mbështetjes.
“Ne presim me kënaqësi të vazhdojmë partneritetin tonë të fortë me Kryeprokurorin e ri të Posaçëm, Klodian Braho, në rolin e tij të ri në krye të SPAK”, theksonte ambasada pasi lavdëronte punën e paraardhësit të tij si një linjë që kiste "forcuar bashkëpunimin mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, duke na bërë më të sigurt nga kërcënimi i krimit ndërkombëtar dhe trafikut të drogës.
Adi Bushati: Zgjedhja e Brahos, një teatër mediokër
Mbrapa nuk mbeti as ambasadori i BE Silvio Gonzato. “Duke pasur parasysh rolin themelor të SPAK-ut në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, një shtyllë thelbësore e procesit të anëtarësimit në BE” dje theksova se drejtuesi i ri i Prokurorisë së Posaçme duhet të tregojë integritet, pavarësi, qëndrueshmëri dhe përkushtim ndaj standardeve më të larta evropiane. Sot, dëshiroj ta përgëzoj z. Klodian Braho për emërimin e tij dhe pres të punojmë ngushtë me të dhe ekipin e tij në muajt dhe vitet në vijim,” tha ai.
Ambasadori Gjerman Karl Bergner, i uroi kreut të ri zgjedhjen: Urime drejtuesit të ri të zgjedhur sot të Prokurorisë së Posaçme SPAK, Klodian Braho. Lufta e vendosur kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ka një rëndësi të jashtëzakonshme nga këndvështrimi i Gjermanisë për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, të cilin ne e mbështesim. Për punën e rëndësishme të SPAK-ut mbeten thelbësore integriteti, pavarësia dhe respektimi i standardeve më të larta të shtetit të së drejtës".
Në këtë valë diplomatike Braho u urua dhe nga presidenti Begaj dhe Edi Rama.
©Lapsi.al