Përplasja për “Belinda Ballukun” ka nxjerrë një version të vjetër të Edi Ramës, atë që dikur sulmonte dhe kërcënonte gjykatësit dhe prokurorët me pretendimin se Shqipërisë i duhej një sistem i ri gjyqësor që do të bënte drejtësi dhe do t'i jepte fund pandëshkueshmërisë, pasi të gjithë të kalonin vetingun.
Por tani, sapo është ndjerë i cënuar nga një vendim gjyqësor, Rama ka harruar premtimet se nuk do ta sulmonte kurrë drejtësinë e re dhe ka kaluar hapur në intimidim politik ndaj gjykatësve.
Kronologjia/ 23 ditët që e kthyen Ramën në ushtar të Ballukut
Ka mjaftuar reagimi publik i Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve që i kërkoi Ramës të ndalë deklaratat kërcënuese dhe kryeministri menjëherë e ka hequr maskën e politikanit europian, i shqetësuar për ndarjen e pushteteve. Gjyqtarët thonë të kundërtën. Nën petkun e debatit institucional, thonë ata, gjykatat po vihen në presion politik me deklarata që krijojnë te publiku idenë se ky pushtet ka devijuar nga roli i vet. “Nën petkun e ankesës për uzurpimin e pushteteve…, në të vërtetë fshihet një mesazh presioni”, shkruajnë gjyqtarët, duke paralajmëruar se një klimë e tillë e fabrikuar mosbesimi mund të përdoret si justifikim për reforma që dëmtojnë pavarësinë e drejtësisë.
Shoqata rikujton se ndarja dhe balancimi i pushteteve nuk është zbukurim kushtetues, por garanci themelore e lirisë qytetare. Çdo tentativë për të ndikuar në vendimmarrjen gjyqësore, çdo fjalë që perceptohet si presion politik, thonë ata, minon besimin e publikut dhe cenon shtyllën që mban sistemin në këmbë. Madje për këtë, citojnë edhe raportet e Komisionit Evropian, të cilat prej vitesh theksojnë ndërhyrjet e politikanëve të lartë në çështje gjyqësore në Shqipëri.
Kaq u desh për ta nxjerrë kryeministrin nga binarët e linjës zyrtare të PS. Menjëherë Rama ka kaluar në kërcënime të reja, këtë herë të lidhur me rritjen e pagave të gjyqtarëve. Ai tha se gjykatësit duan një rritje “skandaloze” të pagave, duke deklaruar se nuk do të “heshtë” më as për këtë çështje.
Dhe pas akuzave për presion politik, Rama kalon në kundërsulm duke thënë se gjyqtarët “po tentojnë të marrin nga buxheti i shtetit, duke anashkaluar qeverinë e parlamentin, një rritje prej 1600 euro plus pagës aktuale”.
Disa orë më pas, në një mesazh të dytë, Rama sulmoi sërish gjykatësit specialë, që sipas tij kërkojnë një rritje prej 3100 eurosh të rrogës, një dëshirë që, thotë Rama, tregon se e shohin se deti është bërë kos.
"Po, asnjë shaka, detin ku aktualisht marrin 6130 Euro në muaj, tani duan që t’ua kthejë në kos Gjykata Kushtetuese me 3100 Euro plus, e si përfundim të marrin 9230 Euro në muaj. Si ka mundësi?!Ka mundësi si jo, kur arrin të ndryshosh edhe qeverinë me një vendim gjykate, duke marrë kompetencat e kryeministrit, Presidentit e parlamentit bashkë, pa pasur marrë një kokërr vote të vetme nga populli tërë jetën tënde, si nuk arrike të marrësh nga arka e shtetit me një vendim tjetër gjykate, mijëra euro për të rritur pagën tënde?!" shkruajti kryeministri në rrjetet sociale.
Kryeministri i është rikthyer kësisoj retorikës së vjetër të përballjes, të delegjitimimit dhe të presionit publik mbi drejtësinë. Në veçanti, në reagimin e tij bie në sy momenti kur vë në dukje “krimbin e papërgjegjshmërisë së gjyqtarëve” si shprehje, që paralajmëron sulme dhe kërcënime ndaj gjykatësve të veçantë.
Vitet e fundit janë të shumta rastet kur kryeministri Rama ka premtuar se nuk do të sulmojë më asnjë gjykatës dhe prokuror për çështje të veçanta. Tre muaj më parë, në shtator, në Asamblenë e Partisë Socialiste, Rama e theksoi me solemnitet betimin e heshtjes për prokurorët gjykatësit, duke ua bërë të qartë vartësve se “kush nuk është dakord me këtë qasje të dhimbshme, nuk është për këtë punë, nuk duhet të merret me politikë në llogoren e Partisë Socialiste. Ka të gjithë të drejtën e vet të ketë një qasje tjetër, por jo në radhët e udhëheqjes së Partisë Socialiste".
Si kaloi Rama nga drejtësia e re te “drejtësia e tepërt” (Citimet)
Por maska e politikanit europian tashmë ka rënë. Reagimi i Ramës nuk perceptohet vetëm si nerv i politikanit rebel. Pas saj janë edhe shenjat e frikës. Me dosjen "Balluku", prokurori i SPAK Dritan Prençi dhe gjykatësi Erion Çela ka hyrë në një territor që ishte shmangur në hetimet e tjera. Frika është se një precedent i ri, ai i pezullimit të një zv.kryeministreje mund të zgjerohet. Në sfond është edhe ideja, ende foshnjarake, se reforma në drejtësi, të cilën e mbështeti me zë të lartë para ndërkombëtarëve, sot Edi Ramës mund të kthehet në bumerang./Lapsi.al
Reagimi i plotë i Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve
Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë ka ndjekur me vëmendje prej disa ditësh komunikimin publik të Kryeministrit të vendit lidhur me çështjen gjyqësore në ngarkim të Zëvendëskryeministres dhe njëkohësisht Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila është duke u shqyrtuar në të njëjtën kohë nga Gjykata Kushtetuese, si dhe nga gjykatat e posaçme.
Shoqata shpreh shqetësimin dhe indinjatën lidhur me qasjen që kreu i pushtetit ekzekutiv ka zgjedhur të bëjë për këtë problematikë, e cila është pjesë e juridiksionit të pushtetit gjyqësor. Nën petkun e ankesës për uzurpimin e pushteteve ekzekutiv dhe legjislativ nga ai gjyqësor në të vërtetë fshihet një mesazh presioni ndaj organeve të drejtësisë që kanë për shqyrtim çështjen në fjalë. Gjithashtu, mesazhe të tilla të përditshme të ushqyera ndaj publikut të gjerë synojnë të krijojnë një klimë mosbesimi ndaj pushtetit gjyqësor dhe mund të përdoren më tej si pretekst për marrjen e masave erozive ndaj këtij të fundit.
Shoqata rithekson se ndarja dhe balancimi i pushteteve është një nga parimet themelore të demokracisë, prandaj pavarësia e pushtetit gjyqësor, arbitrit final për zgjidhjen e të gjitha mosmarrëveshjeve, përbën një gur themeli për ndërtimin e shtetit të së drejtës. Kjo pavarësi vihet në rrezik jo vetëm nga veprime konkrete që synojnë kufizimin e sferës së kompetencave të këtij pushteti, por edhe nga çdo akt ose deklaratë që perceptohet si kërcënim ose presion politik ndaj veprimtarisë gjyqësore apo që ul reputacionin e organeve të drejtësisë në sytë e publikut dhe, në këtë mënyrë, minon besimin e tij tek këto organe. Komisioni Evropian ne raportet për Shqipërisë ka adresuar si shqetësim vazhdimin e përpjekjeve te ndërhyrjes dhe presionit ndaj sistemit gjyqësor nga zyrtarë të lartë publikë dhe politikanë.
Gjyqtarët janë të pavarur dhe i nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe ligjeve e si të tillë qëllimi i misionit të tyre nuk është fitimi i pëlqimit të shumicës së publikut apo një pjese të tij, por zbatimi me fanatizëm i vullnetit të sovranit të shprehur në këto akte. Vendimet gjyqësore mund të jenë të papëlqyeshme për disa subjekte, por kjo nuk i bën ato ilegjitime, pasi sistemi demokratik i qeverisjes vepron brenda kufijve që i përcaktohen nga standardet e shtetit të së drejtës dhe zbatuesit finalë të këtyre standardeve janë gjyqtarët. Në këtë kuadër, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë fton dhe i kërkon secilit zyrtar të lartë të dy pushteteve të tjera që të respektojë pavarësinë e gjyqtarëve në vendimmarrjen e tyre dhe të distancohet nga çdo sjellje që e cenon atë. Ndërhyrja në veprimtarinë e gjyqtarëve gjatë zhvillimit të procedurave gjyqësore përbën formën më të rrezikshme në shkeljen e parimit të ndarjes së pushteteve, pasi ka si qëllim deformimin e vendimmarrjes nëpërmjet formave të ndryshme të presionit.
Mesazhi i parë i Edi Ramës pas reagimit të Shoqatës Kombëtare të Gjykatësve
Shoqata e Gjyqtarëve ka bërë deklaratë për t’u ankuar për “presionin” tim ndaj Kushtetueses. Dy mundësi ka këtu:
Ose nuk e dinë kuptimin e fjalës presion, sepse nuk i kam parë të ankohen për ca të tjerë, që prej vitesh u këndojnë librin e shtëpisë njerëzve të drejtësisë, ose e dinë që kur ankohen për mua, nuk u hyn gjemb në këmbë, sepse unë jam ai që kam 10 vjet që nuk luftoj me ta, po luftoj për ta - madje duke i përtypur në heshtje, si çështje të pavarësisë së shpallur botërisht me Reformën në Drejtësi, edhe jo pak “lajthitje” të dhimbshme të gjyqësorit, në dëm të lirive e të drejtave të njerëzve të këtij vendi dhe të interesave të këtij shteti.
Mirëpo gabon shumë Shoqata e Gjyqtarëve, nëse pret që unë të mbyll gojën e të mos ndaj me publikun opinionin tim, as edhe kur jam vetë palë në një gjyq kushtetues, për shkak se funksioni që mbuloj, me votat e afro 1 milionë shqiptarëve, është goditur në pavarësinë e vet nga një prokuror e një gjykatës dhe rrezikon të gjymtohet për sot e për të ardhmen në shtyllën e vet kurrizore.
Jo vetëm kaq, po Shoqata e Gjyqtarëve duhet ta dijë, që do të gabonte po kaq shumë sikur të priste heshtjen time për kërkesën e saj skandaloze dhe të përsëritur, ndaj Gjykatës Kushtetuese, për (ri)rritjen e pagave të gjyqtarëve me vendim gjykate, duke rrëmbyer kompetencat e qeverisë e të parlamentit.
Heshtja ime herën e parë, përpara se sa të merrej ai vendim befasisht i turpshëm, nuk do të përsëritet këtë herë, kur me (ri)kërkesën në fjalë, shoqata e gjyqtarëve po tenton të marrë nga buxheti i shtetit, duke anashkaluar qeverinë dhe parlamentin, një rritje të re prej plot 1600 Eurosh - po po, 1600 Euro plus pagës aktuale - të pagave të magjistratëve e të këshilltarëve të tyre.
Në ndërkohë, unë dhe qeveria e shumica parlamentare që kam nderin të udhëheq, mirëpresim krahëhapur çdo komunikim institucional me shoqatën në fjalë, për të adresuar nevojat e sfidat e drejtësisë së re, ku parimi i shenjtë i pavarësisë së gjyqësorit, duhet mbrojtur me çdo kusht jo vetëm nga ndërhyrjet e jashtme të kujtdoqoftë, përfshirë dhe mua vetë, po edhe nga krimbi i brendshëm i papërgjegjshmërisë së gjyqtarëve, i cili bren përditë besimin e popullit tek drejtësia.
Mesazhi i dytë i Ramës për gjykatësit që i kërkuan të mos bëjë presione
“S’ka mundësi”, më shkruajnë disa, lidhur me kërkesën e gjyqtarëve për ta rritur pagën me 1600 Euro mbi aktualen!
Jo vetëm që ka mundësi, po 1600 Euro është rritja që kërkojnë magjistratët e këshilltarët e zakonshëm, se mes rritjekërkuesve janë edhe specialët, pra ata të GJKKO dhe SPAK-ut, të cilët kanë pagat më të larta në republikë, por kërkojnë edhe një rritje prej 3100 Eurosh!
Po, asnjë shaka, detin ku aktualisht marrin 6130 Euro në muaj, tani duan që t’ua kthejë në kos Gjykata Kushtetuese me 3100 Euro plus, e si përfundim të marrin 9230 Euro në muaj.
Si ka mundësi?!
Ka mundësi si jo, kur arrin të ndryshosh edhe qeverinë me një vendim gjykate, duke marrë kompetencat e kryeministrit, Presidentit e parlamentit bashkë, pa pasur marrë një kokërr vote të vetme nga populli tërë jetën tënde, si nuk arrike të marrësh nga arka e shtetit me një vendim tjetër gjykate, mijëra euro për të rritur pagën tënde?!
Kush ka mbetur pa e kuptuar që s’e kam hallin tek një ministër unë, po tek rreziku real i përmbysjes së balancës demokratike mes pushteteve?!