Pokrovsku ende nuk ka rënë. Kjo, pavarësisht pretendimit të fundit të Presidentit Vladimir Putin se forcat ruse e kanë marrë qytetin.
Nuk ka dyshim që Ukraina ka humbur terren në këtë qytet kyç në lindje. Për Rusinë, Pokrovsku është një tjetër shkallë drejt objektivit të saj për të marrë nën kontroll të gjithë Donbasin. Por Ukraina ka nevojë të tregojë se ende është e aftë të rezistojë.
Në një post komande ukrainase, larg vijës së frontit, urdhrat transmetohen me radio me shpejtësi të madhe. Ushtarët ndjekin dhjetëra transmetime të drejtpërdrejta nga dronët. Ata po koordinojnë goditje ndaj pozicioneve ruse brenda qytetit.
Komandanti i Regjimentit të Sulmit Skala, Yuri, dëshiron të na provojë (BBC-së) se Ukraina ende kontrollon veriun e qytetit, për të treguar se pretendimi i Kremlinit se ka marrë Pokrovskun është një gënjeshtër.
Përmes radios, ata u kërkojnë dy ushtarëve të tyre të dalin nga një ndërtesë dhe të tregojnë një flamur ukrainas. Ata lëvizin shpejt për të mos u pikasur. Pamjet nga droni tregojnë momentin kur ata valëvisin shkurt flamurin verdhë e blu, përpara se të rikthehen me shpejtësi nën mbrojtje.
Yuri më thotë: “E patë me sytë tuaj.”
“Ai shton: “Mendoj se i gjithë bota duhet ta dijë se ne nuk do ta dorëzojmë territorin tonë. Nëse nuk e tregojmë këtë, të gjithë do të humbasin besimin dhe do të ndalojnë së ndihmuari Ukrainën.”
Beteja për Pokrovskun, dikur nyje logjistike kyçe për ushtrinë ukrainase, ka zgjatur gati 18 muaj. Qyteti tashmë është shkatërruar.

Pyetja tani është për sa kohë Ukraina mund të vazhdojë ta mbajë.
Ata që ndjekin avancimet ruse thonë se forcat ukrainase mezi kanë një kapje në qytet.
Forcat ruse kanë avancuar ngadalë nga jugu. Ukraina po humbet terren, por thotë se ende mban veriun, deri te linja hekurudhore që ndan qytetin më dysh.

Sasha, një komandant batalioni 25 vjeçar, më tregon një hartë. Mbi të ka vendosur ushtarë plastikë jeshilë për të treguar pozicionet ukrainase dhe ushtarë kafe për forcat ruse.
Rusët kanë përdorur grupe të vogla prej 2–4 personash për të kaluar fshehurazi pozicionet ukrainase, madje edhe të veshur si civilë.
“Është një taktikë e mirë për të depërtuar pas vijave të armikut,” thotë Sasha. “Por ata që hyjnë pas shpinës sonë identifikohen shpejt, duhen 15 deri në 20 minuta nga zbulimi deri në eliminim.”
Rusia ka pësuar humbje të mëdha, por ende ka më shumë trupa. Një ushtar ukrainas me nofkën “Lepuri” më tregon pasaporta dhe dokumente të mbledhura nga rusë të vrarë.

Kur e pyes nëse mendon se kanë vrarë shumë rusë, ai përgjigjet: "Jo mjaft."
Lepuri e përshkruan situatën si “të vështirë, por nën kontroll”. Ai tregon një mitraloz rus të kapur nga një shok i tij që luftoi 70 ditë rresht në Pokrovsk. “Të vetmet gjëra që donte ishin cigare dhe municion,” thotë ai.
Luftimet po lënë gjurmë të rënda tek forcat ukrainase, por nuk ka asnjë shenjë dorëzimi. As Lepuri nuk pranon idenë që Ukraina duhet të heqë dorë nga territore për paqe.
Ai thotë se është derdhur shumë gjak: “Ne jemi pjesë e kësaj toke. Nëse e dorëzojmë, Rusia do të dojë më shumë."
Një tjetër ushtar, me thirrjen “Fantazma”, që lufton në një njësi tjetër në Pokrovsk, thotë se situata është “e tensionuar, por jo kritike”. Ai i quan raportet për kapjen e qytetit “propagandë ruse”.
Për Ukrainën, mbajtja e vijave po rezulton po aq e kushtueshme. Regjimenti Skala ndan video të fundit të marra nga fronti, shpesh duke u fshehur në ndërtesa për t’u shpëtuar dronëve rusë.
“Khotabych”, që ka kaluar një muaj duke luftuar në qytet, thotë se dronët janë frikësues: “Janë shumë dhe fluturojnë 24 orë në ditë.”
Rusët kanë më shumë dronë me kamera termike, të cilat shohin natën. Ai thotë se ai dhe burrat e tij gjithmonë shpresojnë për “mot të mirë”, që do të thotë mjegull, shi dhe qiell gri, pra çdo gjë që i pengon dronët të fluturojnë.
Në Pokrovsk, ushtarët ukrainas janë të përqendruar vetëm te lufta, jo te bisedimet e paqes. Shumica duan t’i shmangen pyetjeve politike.
Por një vullnetar nga Letonia, zëvendëskomandant i Regjimentit Skala, jep një mendim të qartë. Ai thotë se letonezët e kuptojnë se “nëse Ukraina humbet luftën, vendi ynë është i radhës”.
Nofka e tij është “Kumbaro” dhe ai ka një mesazh të fortë për Europën dhe SHBA-në. Ai e përshkruan Presidentin Donald Trump si “një lider karizmatik dhe të fortë”, por thotë se nëse i dërguari i tij për paqen, Steve Witkoff, “qëndron me Putinin, atëherë Amerika dhe Trump duken të dobët”.
Për Europën, ai thotë se “ka shumë fjalë, shumë burokraci dhe jo mjaft veprim”.
Mesazhi nga trupat është se situata në Pokrovsk nuk është aq e zymtë sa raportohet. Por Ukraina ka nevojë të provojë vendosmërinë e saj në këtë moment kritik.
BBC, përgatiti në ©LAPSI.AL