SHBA-ja dhe Ukraina kanë hartuar një version të përditësuar të draftit të paqes dhe thonë se bisedimet e zhvilluara në Gjenevë ishin “shumë produktive”. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se është bërë “përparim i jashtëzakonshëm” në përmirësimin e pikave të diskutueshme, por theksoi se ende mbetet punë përpara se plani t’i paraqitet Rusisë. Drafti fillestar, i rrjedhur në media javën e kaluar, u prit me kujdes nga Moska por shkaktoi shqetësim serioz në Kiev dhe disa kryeqytete europiane, të cilat e panë atë si tepër të favorshëm për Kremlinin.
Kremlini ka bërë të ditur se nuk ka marrë ende informacion zyrtar për rezultatet e negociatave. Ndërkohë presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se ka “sinjale që ekipi i Donald Trump po dëgjon” shqetësimet e Ukrainës, duke e cilësuar këtë moment si kritik për vendin. Ai theksoi se Vladimir Putin kërkon “njohje ligjore për territoret e grabitura” dhe paralajmëroi se Ukraina ka arritur ta mbajë në tryezë çështjen e lirimit të të gjithë të burgosurve të luftës, por se “duhet ende shumë punë për paqe të vërtetë”.
Rubio u shpreh se negociatorët në Gjenevë patën “një ditë shumë të mirë”, duke arritur progres të ndjeshëm në ngushtimin e dallimeve mes 28 pikave të draftit. Ai nënvizoi se çdo marrëveshje përfundimtare duhet të miratohet nga presidentët e SHBA-së dhe Ukrainës. Deklaratat optimiste erdhën pak orë pasi Donald Trump akuzoi udhëheqjen ukrainase për “zero mirënjohje” ndaj përpjekjeve amerikane, duke kritikuar në të njëjtën kohë vendet europiane që vazhdojnë të blejnë naftë ruse.
Edhe liderët europianë folën për përparim, por shtuan se negociatat duhet të vijojnë. Presidenti finlandez Alexander Stubb deklaroi se “ende mbeten çështje të mëdha të pazgjidhura”, ndërsa Londra dhe Berlini konfirmuan se bisedimet e së dielës shënuan lëvizje pozitive. Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, tha se takimet ishin “një sukses vendimtar” për Europën, sepse elementet që preknin BE-në dhe NATO-n janë hequr nga drafti. Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, theksoi se një qëndrim i bashkuar i BE-së është thelbësor për një rezultat të mirë të procesit të paqes.
Disa media raportuan se disa vende europiane, të udhëhequra nga Britania, Franca dhe Gjermania, kanë hartuar një plan alternativ për t’i dhënë fund luftës, por Rubio e mohoi ekzistencën e tij, duke insistuar se drafti aktual është një dokument i hartuar nga SHBA-ja me kontribut nga Ukraina dhe Rusia.
Detajet e draftit të rrjedhur kanë qenë mjaft të debatueshme. Ai parashikon tërheqjen e trupave ukrainase nga zonat e Donetskut që ende kontrollohen nga Kievi dhe një formë njohjeje de fakto për kontrollin rus mbi Donetskun, Luhanskun dhe Krimenë. Drafti propozon gjithashtu ngrirjen e vijave të frontit në Kherson dhe Zaporizhzhia, kufizimin e ushtrisë ukrainase në 600 mijë trupa, heqjen dorë nga anëtarësimi në NATO dhe një proces të gjatë reintegrimi të Rusisë në ekonominë botërore, përfshirë rikthimin e saj në grupin G7.
Plani parashikon “garanci sigurie” për Ukrainën, por pa asnjë detaj konkret. Pavarësisht afatit fillestar të vendosur nga Trump që Ukraina të përgjigjej brenda së enjtes, Rubio thotë se drafti nuk është ofertë përfundimtare dhe se ai mbetet “shumë optimist” se marrëveshja mund të arrihet së shpejti.
Ky proces vazhdon të jetë një test delikat mes kërkesave të Ukrainës, interesave amerikane dhe realitetit të presionit rus, me Europën që kërkon të mos lihet jashtë tavolinës së negociatave.
BBC, përgatiti në shqip ©LAPSI.AL