Flash

Dronët misteriozë kanë depërtuar në zemër të Europës, çfarë dimë deri tani

Lapsi.al 17 November 2025
Dronët misteriozë kanë depërtuar në zemër të

Së pari vjen paralajmërimi: ai zëri i ftohtë, pa trup, që dëgjohet në altoparlantët e qytetit. “Ju lutemi, vëmendje. Alarm ajror në qytet. Lëvizni drejt strehimit në katin minus dy.” Pak sekonda më vonë, mbi re dëgjohet zhurma e mprehtë, si mushkonjë, e dronëve rusë që afrohen në qindra. Pastaj shpërthen zjarri kundërajror, pasuar nga bubullima e shpërthimeve në distancë dhe sirenat e ambulancave që therin qetësinë e natës. Ky është realiteti i errët i jetës në Kiev dhe në qytetet e tjera të Ukrainës.

Dronët janë kthyer në një element qendror të luftës moderne, por nuk kufizohen më vetëm te fushëbeteja. Në shumë vende të Evropës Perëndimore, larg konfliktit, dronë të vegjël dhe të paarmatosur po shfaqen rreth aeroporteve, bazave ushtarake dhe infrastrukturës kritike. Zyrtarë perëndimorë dyshojnë se Rusia po përdor dronë civilë si pjesë e një strategjie të gjerë “lufte hibride”, për të testuar reagimin dhe rezistencën e vendeve të NATO-s që mbështesin Ukrainën.

Alarmi i madh erdhi më 9 shtator, kur rreth 20 dronë rusë kaluan hapësirën ajrore të Ukrainës dhe hynë në Poloni, duke detyruar mbylljen e katër aeroporteve. Disa u rrëzuan nga avionët e NATO-s, të tjerë ranë në disa rajone të vendit. Ky incident ishte një nga shkeljet më serioze të hapësirës ajrore të NATO-s që prej nisjes së luftës dhe ringriti me forcë debatin për një “mur dronësh” europian, një sistem të integruar mbrojtjeje që do të zgjasë nga vendet baltike deri në Detin e Zi.

Dronët që kërcënojnë Europën nuk janë ata të vegjlit që përdoren në frontet e Donbasit. Përplasja e madhe lidhet me dronët e mëdhenj, të aftë të përshkojnë mbi një mijë kilometra. Rusia dikur përdorte dronët Shahed 136 të prodhimit iranian, por tani prodhon versionin e saj, Geran 2, disa prej të cilëve ranë brenda Polonisë. Pyetja që po shtrohet gjithnjë e më shpesh është: çfarë ndodh nëse një ditë Rusia dërgon jo 20, por 200, apo edhe 2.000 dronë drejt Europës? Si do të përgjigjet NATO? Dhe a është e qëndrueshme të ngrihen avionë luftarakë sa herë që shfaqet një formacion dronësh?

Droni iranian Shaheed, relativisht i lirë por tejet efektiv

Ndërkohë, një fenomen tjetër po shqetëson seriozisht kontinentin: shfaqja e dronëve misteriozë, pa shenja dalluese, që fluturojnë mbi infrastrukturë kritike në orët e natës. Aeroportet e Brukselit dhe Liezhit, bazat ushtarake në Danimarkë, Suedi, Norvegji, Gjermani e Lituani, janë disa prej zonave ku këta dronë janë parë. Asnjëri prej tyre nuk ka qenë i armatosur, por fakti që fluturojnë pa identifikim, shpesh pranë objekteve të ndjeshme, ngre dyshime të forta se Rusia po përdor grupe të ndërmjetme për t’i nisur lokalisht dhe për të krijuar kaos, frikë dhe pasiguri. Belgjika është një prej objektivave kryesore, si shtëpia e NATO-s, e BE-së dhe e sistemit financiar Euroclear. Mbretëria e Bashkuar madje ka dërguar një ekip specialistësh kundër-dronësh për të ndihmuar Belgjikën.

Në këtë klimë tensioni, ideja e një muri dronësh mund të duket zgjidhja e natyrshme. Ai do të përfshinte radarë, sensorë, sisteme bllokimi elektronik dhe armë të dedikuara për shkatërrimin e dronëve. Por një “mur i pakalueshëm”, siç thonë ekspertët, është i pamundur. Zona për t’u mbrojtur është e stërmadhe, dronët janë të larmishëm, teknologjia ndryshon me shpejtësi dhe asnjë sistem nuk është 100% i sigurt. Ekzistojnë metoda “soft kill”, si bllokimi elektronik, dhe metoda “hard kill”, si raketat, topat, avionët ose edhe lazerët, por secila prej tyre ka kufizime të mëdha. Kostoja është gjithashtu marramendëse: kërkohen mijëra kilometra mbulim me radarë dhe interceptues që të jenë gati ditë e natë. Edhe pse BE-ja diskuton ta financojë përmes buxheteve kombëtare, fondeve europiane dhe interesave nga asetet e ngrira ruse, projekti mbetet tepër i kushtueshëm dhe politikisht i debatueshëm.

Por ndërsa Europa kërkon të ndërtojë një mur mbrojtjeje, Rusia dhe Ukraina po avancojnë me ritme të frikshme në zhvillimin e dronëve të rinj, duke e kthyer këtë fushë në një garë të re armatimi. Çdo teknologji kundër-dronësh zgjat pak, sepse pala që sulmon përshtatet shpejt, zhvillon metoda të reja dhe e provon sërish, derisa gjen një mënyrë për të depërtuar. “Agresori gjithmonë vëzhgon, përshtatet dhe përsërit,” thonë ekspertët.

Në fund, disa analistë ngrenë pyetjen më të vështirë: a po merremi me shigjetën, kur problemi i vërtetë është harkëtari? Ndërtimi i murit është një gjë, por frenimi real i sulmeve kërkon t’i dërgohet një sinjal i qartë Rusisë se kjo lloj sjelljeje ka kosto dhe pasoja. Por ndërhyrja e drejtpërdrejtë e NATO-s në territorin rus, për të goditur bazat e dronëve, do të ishte hap shumë i rrezikshëm dhe potencialisht katastrofik.

Që nga 24 shkurti 2022, qëllimi i NATO-s ka qenë i njëjtë: të ndihmojë Ukrainën pa u futur vetë në luftë. Ndërtimi i një muri dronësh është pjesë e kësaj filozofie mbrojtëse. Goditja e burimit nga ku nisen dronët është një kapitull krejt tjetër, dhe nëse është zgjidhja e vetme reale, është shumë më e rrezikshme.

BBC Indepth, përgatiti në shqip ©LAPSI.AL 

Të këshilluara

ide

Çfarë e ka shfazuar Edi Ramën

Përtej teorive komplotiste ka një shpjegim të thjeshtë se si ata të rinj që bërtasin rrugëve të Shqipërisë kundër kryeministrit të tyre, u gjendën në të njëjtën anë të barikadës me mediat më të rëndësishme të globit

16:26 Andi Bushati

Zvërneci si përralla e çekut të bardhë

Shqiptarët janë skeptik kur dëgjojnë historinë e përsëritur se do vijnë investime nga jashtë miliarda euro që do na pasurojnë dhe punësojnë të gjithëve, kuptohet vetëm pasi kanë privatizuar perlat tona kombëtare. Aq më tepër kur përrallat me investime prej miliard eurosh kanë dalë bllof s në rastin e projektit Marina Durrës ku u tha se do investoheshin 2.5 miliardë dollarë

10:03 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

24°c

KËMBIMI EURO

95.24

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI