Flash

Van Dijk nuk ka idenë se kush është intervistuesi i tij: “Të kam shënuar dy gola”

Lapsi.al 6 November 2025
Van Dijk nuk ka idenë se kush është intervistuesi i tij:
Të martën në mbrëmje Liverpool hodhi një hap të rëndësishëm drejt 8 vendeve të para të fazës me grupe të Champions League, duke mposhtur 1-0 Real Madrid në “Anfield”. Goli i Mac Allister i dha “Reds” fitoren e tretë (pas atyre ndaj Atletico Madrid dhe Eintracht), përballë një humbjeje të vetme në fushën e Galatasaray. Virgil van Dijk ishte si zakonisht shtylla e mbrojtjes së drejtuar nga Slot. Por pas ndeshjes, intervista televizive i rezervoi 34-vjeçarit holandez edhe një moment tjetër të veçantë, kur për ta intervistuar ishte televizioni polak. Van Dijk u gjend përballë një fytyre të njohur të së kaluarës — por ai nuk kishte as idenë më të vogël se kush ishte.

Van Dijk intervistohet nga Zyro, por nuk e kujton

Kapiteni i kombëtares holandeze mbeti i habitur kur intervistuesi i tij i tha se kishte luajtur kundër tij dhe madje i kishte shënuar dy gola. Bëhej fjalë për Michal Zyro, një vit më i ri se ai, i cili u tërhoq nga futbolli vitin e kaluar. Të dy ishin përballur 11 vite më parë, kur Van Dijk luante për Celtic Glasgow dhe sulmuesi polak (me 4 paraqitje me kombëtaren) për Legia Warszawa. Në gusht të vitit 2014, dy skuadrat u ndeshën në raundin e tretë kualifikues të Champions League. Legia fitoi 4-1 në ndeshjen e parë dhe u imponua edhe në kthim 2-0, por në fund kualifikimin e mori Celtic, pasi klubi polak u ndëshkua me humbje 3-0 në tavolinë në ndeshjen e dytë, sepse aktivizoi një lojtar të pezulluar, mbrojtësin Bartosz Bereszynski, që hyri në minutat e fundit pikërisht në vend të Zyro, i cili kishte shënuar një nga dy golat për Legia, pasi kishte realizuar edhe në ndeshjen e parë në Varshavë.

Ish-sulmuesi i kombëtares polake tani punon për Canal+

Dy vite më vonë, Zyro u transferua te Wolverhampton, më pas luajti edhe për Charltonin (tre sezone gjithsej në Angli), përpara se të kthehej në vendlindje dhe të mbyllte karrierën herët, siç u përmend, në vitin 2024, vetëm 32 vjeç, për shkak të dëmtimeve të shumta. Michal ndërtoi menjëherë një jetë të re duke punuar për “Canal+” polak dhe në këtë rol pati “ribashkimin e papritur” me Van Dijk, të cilit i tregoi kur dhe si kishin luajtur kundër, duke i kujtuar edhe përfundimin fatkeq për Legia-n në atë përballje dyshe.

Batuta e Van Dijk: “Pra më ke shënuar dy gola dhe tani po më interviston”

“Jam me të vërtetë i lumtur që të shoh”, tha Zyro, ndërsa Van Dijk iu përgjigj me një buzëqeshje: “Pra më ke shënuar dy gola dhe tani po më interviston.” “Po, sepse më pas kalova te Wolverhampton për dy a tre vjet dhe pësova një dëmtim të keq në gju”, i shpjegoi polaku. “Më vjen keq ta dëgjoj këtë”, ia ktheu mbrojtësi i Liverpool. Shkëmbimi mes të dyve u mbyll në një atmosferë të ngrohtë miqësore: “Më pëlqen shumë të jem këtu dhe është vërtet diçka e veçantë të flas me ty”, tha Zyro, ndërsa Van Dijk i uroi fat në karrierën e re: “Për sa kohë je i lumtur, kjo është gjëja më e rëndësishme. Kështu që vazhdo të bësh atë që po bën.” Një përqafim i ngrohtë mbylli këtë skenë të bukur.

Të këshilluara

ide

Një antihero i dëshpëruar i Homerit

Kryeministri ka përdorur mitin antik të Odiseut që nuk joshet nga sirenat, për të përçuar mesazhin se ai do të vazhdojë përpara pa pyetur për protestuesit. Por nëse nuk do e kish njohur veprën e Homerit vetëm përmes ekranizimit, do të kish gjetur tek kjo metaforë gjurmët e një autokrati

16:50 Andi Bushati

Fillimi i fundit të pushtetit të Ramës

Fillimi i fundit mund të jetë mu ky moment, kur piqet bindja e rrëzimit të një kryeministri a qeverie a rendi - pra të një lloj bindjeje se gjërat nuk do të kthehen aty ku ishin para se të fillonte protesta

09:47 Veton Surroi

MOTI TIRANA

21°c

KËMBIMI EURO

94.48

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI