Në prag të takimit me peshë të madhe mes Presidentit Trump dhe Xi Jinping të Kinës të enjten, liderët botërorë shpresonin për lajme të një armëpushimi ekonomik që do të mund të ndihmonte stabilizimin e ekonomisë globale. E morën.
Morën edhe diçka ekstra. Një shqetësime alarmant nëse bota po hyn në një epokë të re të përhapjes së armëve bërthamore mes fuqive globale.
Pas një takimi 90-minutësh ballë për ballë në Korenë e Jugut, Trump njoftoi se dy udhëheqësit e kishin ulur ndjeshëm përplasjen e tyre tregtare, duke rënë dakord, në thelb, për një armëpushim një-vjeçar që do të kthente pas masat hakmarrëse, përfshirë tarifat e theksuara dhe ndërprerjen e aksesit te metalet e rralla.
Takimi ishte ngjarja më e pritur dhe më me peshë e turneut pothuaj njëjavor të Trump nëpër Azi, ku ai u përfshi në një sërë marrëveshjesh tregtare dhe sigurie me vende të tjera të rajonit, shumë prej tyre të drejtuara drejt frenimit të Pekinit.
“Besoj, në një shkallë nga 0 në 10, me 10 si më e mira, do të thosha se takimi ishte 12,” tha Trump në bord të Air Force One teksa kthehej në Uashington.
Marrëveshja ishte një fitore për ekonominë botërore, por u ndërmjetësua nën hijen e një përshkallëzimi të ri dhe të papritur të kërcënimeve bërthamore mes fuqive globale.
Vetëm pak minuta para se të ulej në Busan, Kore e Jugut, për t’u takuar me Xi-në, Trump njoftoi në rrjetet sociale se Shtetet e Bashkuara do të rinisnin menjëherë testimet e armëve bërthamore pas një pauze prej më shumë se 30 vitesh. Njoftimi erdhi pasi Rusia njoftoi se kishte kryer gjithashtu testime të një rakete dhe droni detar me kapacitet bërthamor këtë javë.
“Për shkak të programeve të testimit të vendeve të tjera, i kam udhëzuar Departamentit të Luftës të fillojë testimin e Armëve tona Bërthamore në baza të barabarta,” shkroi ai, duke thënë se procesi do të niste menjëherë.
Trump nuk dha detaje të mëtejshme për vendimin. Por me mesazhin e tij, Trump dukej se po e rriste presionin ndërsa përgatitej të takonte udhëheqësin e ekonomisë së dytë më të madhe në botë dhe të arsenalit të tretë më të madh bërthamor.
Pas takimit, Trump e vlerësoi Xi-në si një “udhëheqës i madh i një vendi shumë të fuqishëm, shumë të fortë.” Dhe ai dukej se e zbuti deklaratën e tij të ashpër nga më herët gjatë ditës, duke sugjeruar se njoftimi i tij nuk ishte drejtuar ndaj Kinës por ndaj vendeve të tjera që ai refuzoi t’i përmendte në mënyrë të përsëritur.
“Ne kemi më shumë armë bërthamore se kushdo, ne nuk bëjmë testime,” tha Trump. “E kemi ndalur vite, shumë vite më parë,” tha ai. “Por të tjerët po testojnë, mendoj se është e përshtatshme që të bëjmë edhe ne.”
Por sfondi i çrregullt i takimit kujtoi se si qasja e Trump ndaj çështjeve dhe diplomacisë mund të ndryshojë brenda një çasti, edhe për një çështje aq jetike sa strategjia që udhëheq arsenalin bërthamor amerikan, dhe shfaqi gjithashtu qasjen e tij gjithnjë e më të paqëndrueshme ndaj politikës së jashtme që prej rikthimit në detyrë.
Takimi gjithashtu e bëri të qartë sa peshë ka sa herë që Shtetet e Bashkuara dhe Kina takohen tani: Ekonomia globale, siguria në mbarë botën dhe implikimet e gjera të negociatave mes dy vendeve, që prekin gjithçka nga aleancat individuale në Indo-Paqësor deri te rezultati i pushtimit rus në Ukrainë.
Një përmbledhje e lëshuar nga agjencia zyrtare kineze e lajmeve Xinhua pas takimit nuk adresoi se çfarë marrëveshjesh u bënë, por aludoi për lëvizjen e fundit të Kinës për të ndërprerë furnizimet me minerale kritike.
Deklarata vuri në dukje se Xi i tha Trump se “përthyerjet dhe kthesat” e fundit në marrëdhëniet SHBA–Kinë duhet të jenë një mësim për të dy që të shmangin “ciklin e lig të hakmarrjes së ndërsjellë.”
Takimi përfundoi me fitore të qarta për agjendën e jashtme dhe të brendshme të Trump.
Trump u tha gazetarëve në Air Force One se Kina kishte rënë dakord të pezullonte për një vit kufizimet e saj për eksportet e metaleve të rralla, të cilat janë thelbësore për një gamë të gjerë industrish prodhimi të avancuar. Lëvizja e Kinës më herët këtë muaj për të kufizuar eksportet kishte shtyrë Trump të kërcënonte se do të anulonte takimin e kësaj jave.
Ai tha gjithashtu se Xi kishte rënë dakord të marrë masa më të forta për të ndalur fluksin e kimikateve pararendëse për prodhimin e fentanolit dhe se Shtetet e Bashkuara, në përgjigje, do t’i ulnin në 10 për qind, nga 20 për qind, tarifat e lidhura me fentanolin që kishin vendosur ndaj Kinës në fillim të këtij viti. Ulja e vdekjeve nga fentanoli në Shtetet e Bashkuara ka qenë një përparësi për Trump.
Lexo më tej: Poezia fantazmë në tryezën e Xi-së, që shpjegon pse Kina nuk i bindet më Perëndimit
Në një postim në rrjetet sociale, Trump tha se Xi kishte gjithashtu rënë dakord të blinte “sasi masive soje” dhe produkte të tjera bujqësore, duke shtuar se “Fermerët tanë do të jenë shumë të lumtur!” Ai shkroi se Kina gjithashtu do të “fillojë procesin” e blerjes së energjisë amerikane.
Ndërsa Trump e priti ngrohtësisht Xi-në përpara bisedimeve të tyre në një bazë ushtarake në Busan, atmosfera ishte më e tensionuar sesa kur ai u takua me liderët e Japonisë dhe Koresë së Jugut më herët gjatë javës.
Për Trump, pesë ditët e tij në Azi përpara takimit kishin të bënin kryesisht me grumbullimin e nderimeve dhe sigurimin e marrëveshjeve tregtare të shpejta. Të enjten, turneu mori një kthesë serioze teksa ai u përball me Xi-në, edhe pse e quajti “një mikun tim.”
Përpara takimit, dy udhëheqësit shtrënguan duart me tension përpara një radhe flamujsh kinezë dhe amerikanë në një bazë ajrore në Busan, me Trump që foli dhe Xi që qëndroi kryesisht i heshtur.
“Presidenti Xi është një udhëheqës i madh i një vendi të madh, dhe mendoj se do të kemi një marrëdhënie fantastike për një periudhë të gjatë kohore,” tha Trump.
Xi, nga ana e tij, iu afrua takimit me kujdes dhe qëndrueshmëri të ashpër. Në komentet e tij, Xi i krahasoi marrëdhëniet Kinë–SHBA me një “anije gjigante” që kërkon udhëheqje të përbashkët të qëndrueshme.
Xi tha gjithashtu se ai dhe Trump “nuk shohin gjithmonë sy më sy me njëri-tjetrin” dhe se ishte “normale për dy ekonomitë kryesore të botës të kenë herë pas here fërkime."
Ai sugjeroi gjithashtu se nuk do të përkulej para agjendës “America First” të Trump. “Unë gjithmonë besoj se zhvillimi i Kinës ecën krah për krah me vizionin tuaj për ta bërë Amerikën sërish të madhe,” tha Xi.
Përpara takimit të tyre privat, dy udhëheqësit thanë se ishin të përqendruar te lista e gjatë e negociatave tregtare përpara tyre dhe sinjalizuan se do të injoronin shqetësime shumë më të rënda, përfshirë rifillimin e testimeve bërthamore mes vendeve që konkuoojnë ashpër dhe interesin e Xi për të shtuar distancën mes Amerikës dhe Tajvanit.
Xi nuk iu përgjigj një pyetjeje nëse do ta ngrinte çështjen e Tajvanit në takim. Trump nuk iu përgjigj një pyetjeje se pse kishte urdhëruar rifillimin e testimeve të armëve bërthamore për herë të parë pas 33 vitesh. Presidenti bëri një pauzë përpara se të refuzonte të përgjigjej, një reagim i rrallë për një udhëheqës pothuajse gjithmonë spontan.
Trump tha pas takimit se çështja e Tajvanit nuk doli gjatë diskutimit mes udhëheqësve. Të mërkurën, Trump u tha gazetarëve në bord të Air Force One se nuk e priste që të dilte, dhe ai nuk tha nëse e mbështeste apo jo pavarësinë për ishullin vetëqeverisës, të cilin Kina e pretendon si të vetin.
Dy udhëheqësit diskutuan partneritetin për të adresuar konflikte të tjera, tha ai. Trump tha se ai dhe Xi kishin diskutuar gjerësisht luftën në Ukrainë dhe se ata “do të punojnë së bashku për të parë nëse mund të arrijmë diçka.”
Trump, i cili u ka bërë presion vendeve të tjera të ndalojnë blerjen e naftës ruse, e cila po ndihmon në financimin e pushtimit të saj të Ukrainës, vuri në dukje se Xi kishte blerë naftë nga Rusia për një kohë të gjatë, por tha se ata nuk e diskutuan vërtet temën.
Njoftimi i Trump se do të rifillonte testimet bërthamore erdhi pasi presidenti Vladimir Putin i Rusisë tha se vendi i tij kishte testuar me sukses një raketë me energji bërthamore dhe me kapacitet bërthamor, dhe pastaj, veçmas, një dron detar bërthamor që mund të shkaktojë një cunami. Dhe Xi po mbikëqyr një nga ritmet më të shpejta të zgjerimit të arsenalit bërthamor në Tokë.
Lexo më tej: Kina nuk fshihet më: Ndërtojmë një rend të ri botëror
I pyetur nëse besonte se udhëzimi i tij do të krijonte një ambient bërthamor më të rrezikshëm, Trump e shmangu ndikimin e tij duke thënë, “Mendoj se e kemi mbyllur mjaft mirë.”
Trump shtoi se Shtetet e Bashkuara tashmë ishin në bisedime me Rusinë për çnuklearizimin dhe se “Kina do të shtohej në këtë.”
Njoftimi i Trump erdhi gjithashtu pasi ai kishte bërë njoftime të konsiderueshme për ndërtimin e mbrojtjes së aleatëve amerikanë në rajon.
Në një bazë detare pranë Tokios të martën, Trump tha se qeveria japoneze kishte bërë një porosi për raketa të prodhuara në Amerikë për të armatosur avionët e tyre luftarakë. Administrata e tij u ka bërë presion japonezëve të shpenzojnë më shumë për mbrojtjen ushtarake.
Duke qëndruar pranë tij, kryeministrja Sanae Takaichi e Japonisë premtoi se kishte ripërtërirë vendosmërinë e saj “për ta bërë Indo-Paqësorin të lirë dhe të hapur,” një referencë ndaj frenimit të manovrave dhe ambicieve territoriale të Kinës në Detin e Kinës së Jugut.
Në Korenë e Jugut, Trump vuri në dukje investimin e vendit në industrinë amerikane të ndërtimit të anijeve dhe tha më pas se i kishte dhënë aleatit amerikan “miratim për të ndërtuar një nëndetëse me energji bërthamore.”
Kur mbërriti në Busan, Trump shpresonte se kishte grumbulluar mjaftueshëm forcë për një marrëveshje me Xi-në dhe kërkonte më shumë mundësi për t’u angazhuar.
Gjatë gjithë udhëtimit të tij, Trump mbajti një ton shpresëdhënës për arritjen e një marrëveshjeje që mund të përforconte një armëpushim tregtar të brishtë që Shtetet e Bashkuara dhe Kina arritën muajin e kaluar pas katër raundesh negociatash. Teksa fluturonte mbrapsht drejt Uashingtonit, Trump e shpalli fitoren.
Ai e quajti takimin “një sukses i madh” dhe njoftoi se do të vizitonte Kinën në prill.
“E gjithë marrëdhënia është shumë, shumë e rëndësishme,” tha ai.
The New York Times, përgatiti në shqip ©LAPSI.AL