Flash

Parlamenti i vogël që bashkon Ramën me Berishën dhe frika e partive të vogla

Lapsi.al 28 October 2025
Parlamenti i vogël që bashkon Ramën me Berishën dhe frika e

Duket se një fije e padukshme po i përafron sërish Edi Ramën dhe Sali Berishën, dy figura që për dekada tashmë kanë ndërtuar e shembur aleanca dhe e kanë ndarë vendin në dy kampe të mëdha duke sunduar politikën shqiptare me përballjet e tyre. E megjithatë, pavarësisht konflikteve të ashpra, sot duken se po flasin me të njëjtin gjuhë që synon riorganizimin e parlamentit, por që në thelb mbart një synim më të thellë: ridizenjimin e sistemit politik në mënyrë që të mbetet më i vogël, më i kontrolluar dhe më i mbyllur.

“20 mandate në Tiranë”/ Rama bën llogaritë e zgjedhjeve të 11 majit qark më qark

I pari që hodhi propozimin ishte Edi Rama në shtator në Asamblenë e PS, që e tha hapur se vendit i duhen më pak deputetë. Me një ton që përzinte ironinë me pragmatizmin, ai theksoi se “pas 10 legjislaturave dhe 1136 njerëzve të zgjedhur deputetë në vitet e jetës demokratike, e para gjë si rrallë gjë, që gjen dakord çdo shqiptar, thuajse çdo shqiptar, është tepria që ngjan çdo vit e më tepërt e numrit të deputetëve".

Ideja e tij, për ta zbritur numrin në “të paktën 101”, u paraqit si një hap drejt “efikasitetit institucional”, por edhe si ofertë për bashkëbisedim me opozitën. Dhe përgjigjja ka ardhur këtë të martë nga Sali Berisha, që u shpreh dakord, madje shkoi edhe më tej, duke qenë i gatshëm të ulej me Edi Ramën në një tryezë. Berisha foli për nevojën e një “Senati” që të frenojë pushtetin, pa e bllokuar shtetin, por duke vazhduar me fjalët se nëse vendoset një senat: "atëherë pa diskutim që duhet të pakësojë numrin e deputetëve".

Sinjalet janë ato të një pajtimi politik. Por në prapaskenë, ajo që duket si reformë shtetërore, mund të jetë një marrëveshje e heshtur për të forcuar duopolin e dy partive që kanë qeverisur Shqipërinë për tri dekada.

Ulja e numrit të deputetëve do të thotë më pak hapësira për partitë e reja, më pak mundësi për zëra të rinj, më pak përfaqësim për votat që nuk hyjnë në skemën PS–PD. Dhe nëse këtij sistemi i shtohet një dhomë e dytë, një Senat që kontrollon proceset, atëherë do të kemi një strukturë edhe më të përqendruar, ku balancat nuk krijohen më nga përfaqësimi, por nga marrëveshja midis të mëdhenjve.

Sa vota dogjën të “baraslarguarit” që refuzuan tezën e Lubonjës për bashkim

Pikërisht këtë kanë denoncuar partitë e reja, të cilat e kanë përkthyer këtë lëvizje si një akt politik për t’i përjashtuar. Në seancën parlamentare ku u votua për komisionin e reformës zgjedhore, të vegjlit votuan kundër.

Agron Shehaj foli për “reformë që vret demokracinë”, një projekt që synon të shuajë çdo alternativë jashtë skemës tradicionale.

Redi Muçi nga Lëvizja Bashkë tha se përjashtimi i partive parlamentare nga komisioni i reformës zgjedhore është një "fyerje për pluralizmin".

Dhe kur sheh mënyrën si u votuan komisionet për reformën zgjedhore dhe territoriale ,113 vota pro, 3 kundër, asnjë abstenim, është e vështirë të fshihet një “bashkëpunim i ri” në heshtje.

Në zgjedhjet e fundit, forcat e reja të parreshtuara në asnjë koalicion me PD apo me PS, arritën të marrin mbi 130 mijë vota në rang kombëtar, një shifër e pamjaftueshme për aritmetikën e pushtetit, por e madhe për sinjalin politik që përcjell. Dyshja Shabani–Lapaj arriti vetëm një mandat, megjithëse mori gati 50 mijë vota. Agron Shehaj, që doli i vetëm, siguroi dy mandate me 43 mijë vota. Arlind Qori, me 20 mijë vota, mori me vështirësi një vend në Tiranë. Në total, një potencial prej 138 mijë votash bashkë me Lulzim Bashën dhe Dash Shehin që mbeti në kufijtë e sistemit. Një brez votuesish që e sheh ndryshimin jashtë dy partive të mëdha, por që u bllokua nga një sistem që tani pritet të bëhet edhe më i vështirë.

E gjitha kjo e bën idenë e “tkurrjes” së parlamentit një projekt për kontrollin e monopolit politik. Në vitin 2008, Rama dhe Berisha ndryshuan Kushtetutën për të përforcuar pozitat e kryeministrit, por edhe sistemin e dy partive. Sot, me justifikime të reja, duket se po rikthehen në të njëjtin itinerar.

Në letër flitet për riorganizim institucional, por në realitet rrezikohet një përqendrim më i madh pushteti në duart e të njëjtëve liderë që kanë qeverisur për 30 vjet. Nëse ky projekt ecën përpara, Shqipëria mund të ketë më pak deputetë, më pak zëra dhe më pak zhurmë në sallën e Kuvendit. Por a do të ketë më shumë demokraci?/Lapsi.al

Të këshilluara

ide

Çfarë e ka shfazuar Edi Ramën

Përtej teorive komplotiste ka një shpjegim të thjeshtë se si ata të rinj që bërtasin rrugëve të Shqipërisë kundër kryeministrit të tyre, u gjendën në të njëjtën anë të barikadës me mediat më të rëndësishme të globit

16:26 Andi Bushati

Zvërneci si përralla e çekut të bardhë

Shqiptarët janë skeptik kur dëgjojnë historinë e përsëritur se do vijnë investime nga jashtë miliarda euro që do na pasurojnë dhe punësojnë të gjithëve, kuptohet vetëm pasi kanë privatizuar perlat tona kombëtare. Aq më tepër kur përrallat me investime prej miliard eurosh kanë dalë bllof s në rastin e projektit Marina Durrës ku u tha se do investoheshin 2.5 miliardë dollarë

10:03 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

19°c

KËMBIMI EURO

95.24

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI