Kuvendi i Kosovës nuk i dha votëbesimin qeverisë së re të propozuar nga Albin Kurti, duke zyrtarizuar kështu dështimin e mandatit të tij të dytë si kryeministër. Me 56 vota pro, 52 kundër dhe 4 abstenime, ekipi qeveritar i Lëvizjes Vetëvendosje nuk arriti të sigurojë shumicën e nevojshme prej 61 votash, duke futur vendin në një krizë të re politike. “Konstatoj se me 56 vota pro, 52 kundër dhe 4 abstenime, Kuvendi nuk e zgjodhi qeverinë e Republikës së Kosovës. Përgjegjësia kalon te presidentja Osmani, e cila pas konsultimeve ka mundësi të emërojë kandidatin tjetër për kryeministër”, deklaroi kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, duke i mbyllur procedurat e votimit që priteshin me interes të madh nga opinioni publik dhe diplomacia ndërkombëtare.
Kriza politike pas zgjedhjeve të 9 shkurtit
Pas zgjedhjeve të parakohshme të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje doli forcë e parë, por pa arritur shumicën absolute. Për tetë muaj me radhë, Kosova ka qenë pa institucione të reja funksionale, ndërsa Qeveria në detyrë ka vijuar vetëm me kompetenca të kufizuara. Përpjekjet e Kurtit për të arritur një marrëveshje bashkëqeverisjeje me partitë e tjera parlamentare kanë dështuar njëra pas tjetrës. Vetë Kurti e pranoi këtë realitet gjatë fjalës së tij në Kuvend: “Asnjë parti parlamentare nuk ka pranuar të hyjë në koalicion qeverisës. Nëse do pranohej oferta jonë, do të kishim votat për qeverinë dhe për sfidën e Presidentit pas katër vitesh. Republika rrezikon të shkojë në zgjedhje të reja pa buxhet të miratuar dhe pa shumë institucione funksionale. Një vend pa buxhet nuk mund të ecë përpara.”
Kreu i LVV-së shtoi se 33 agjenci e institucione janë tashmë pa mbikëqyrje institucionale, duke paralajmëruar pasoja serioze për administratën dhe financat publike.
PDK dhe LDK: “Kurti e ka sjellë vetë Kosovën në këtë situatë”
Menjëherë pas votimit, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, deklaroi se edhe ai nuk do të kërkojë të formojë qeveri, duke kërkuar në vend të kësaj shpalljen e zgjedhjeve të reja. “Sot u them përsëri, nëse na fton presidentja, do i them që nuk kemi shumicë dhe s’do tentojmë të krijojmë shumicë të re. Kurti s’ka shumicë, por as ne nuk e kemi. Duhet të shkojmë në zgjedhje të parakohshme sa më parë”, u shpreh Krasniqi, duke e quajtur Kurtin “arrogant” dhe “përgjegjës për bllokimin e institucioneve”.
Në të njëjtën linjë, kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e akuzoi Kurtin për “uzurpim institucional” dhe “mungesë dinjiteti politik”. “Mandatari e pranon që s’ka shumicë. Këtu nuk po votojmë ligj, por thelbin e demokracisë – mazhorancën. Sot dëgjuam jo një ekspoze për qeverinë e ardhshme, por një përmbledhje pune të kaluarës. Për 8 muaj është mbajtur Kosova e bllokuar me një qeveri pa numra dhe me 48 shkelje të Kushtetutës”, tha Abdixhiku, duke e cilësuar këtë situatë si “fundin e kredibilitetit të Vetëvendosjes”.
Haradinaj dhe Limaj: “Kurti është produkt i luftës hibride që vetë e ka ushqyer”
Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e kritikoi ashpër Kurtin duke thënë se ai “ka ushqyer luftën hibride” kundër institucioneve të vendit. “Më habiti pak arsyeja pse e çoi luftën hibride. Për mendimin tim, ti je produkt i asaj lufte që vetë e ke ushqyer duke diskredituar çdo vlerë të këtij vendi. Lufta hibride e han atë që e ushqen, dhe tani të ka ardhur radha ty,” tha Haradinaj.
Ndërkohë, kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, kërkoi dorëheqjen e Dimal Bashës nga çdo post publik, duke e quajtur “dëm institucional” që ai të mbajë njëkohësisht postin e kryetarit të Kuvendit ndërkohë që ishte propozuar edhe si ministër. “Është hap i mirë, por i pamjaftueshëm. Dimal Basha nuk duhet të ketë asnjë post publik. Është dëm i madh për Kosovën. Kuvendi është i dyshimtë në konstituim dhe për këtë kemi depozituar parashtresë në Gjykatën Kushtetuese”, deklaroi Limaj, duke shtuar se grupi i tij kishte abstenuar në votim.
Vetëvendosje: “Deputetët u udhëhoqën nga inati politik”
Nga ana tjetër, ministri në detyrë i Financave dhe deputeti i LVV-së, Hekuran Murati, e akuzoi opozitën për “barrikadim politik”. “Të gjitha zvarritjet kanë qenë me qëllim që të bllokohet fituesi i zgjedhjeve. Ne kemi vepruar brenda çdo afati kushtetues, por partitë opozitare zgjodhën të vendosin inatin mbi interesin shtetëror”, tha Murati. Ai sqaroi gjithashtu se propozimi i Dimal Bashës si ministër i Infrastrukturës ishte bërë më herët, në kuadër të ndryshimeve të propozuara gjatë bllokimit të konstituimit të Kuvendit.
Çfarë ndodh tani?
Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nëse mandati i parë për formimin e qeverisë dështon, presidenti duhet brenda 10 ditësh të emërojë një kandidat të dytë, që ka gjasat më të mëdha për të siguruar shumicën. Nëse dështon edhe tentativa e dytë, vendi shkon automatikisht në zgjedhje të reja, të cilat duhet të mbahen brenda 40 ditësh nga shpallja e tyre.
Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ka paralajmëruar se në konsultimet e radhës me presidenten Vjosa Osmani, do t’i kërkojë asaj të shpallë menjëherë zgjedhjet, duke e konsideruar të kotë çdo përpjekje për formim tjetër qeverie.
Deri atëherë, Qeveria aktuale do të vazhdojë detyrën me kompetenca të kufizuara, ndërsa vendi mbetet në një vakuum institucional që rrezikon të paralizojë financat publike dhe projektet e zhvillimit.
Në skenën ndërkombëtare, partnerët perëndimorë, SHBA dhe Bashkimi Europian, kanë kërkuar “qetësi politike dhe funksionim të institucioneve”, ndërsa Prishtina zyrtare përballet me një moment vendimtar që mund të përcaktojë rrugën e saj drejt stabilitetit ose një cikli të ri zgjedhjesh./Lapsi.al