Gjykata e Apelit të Posaçëm kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka urdhëruar Prokurorinë e Posaçme (SPAK) të regjistrojë procedim penal ndaj kryetares së Bashkisë Lushnjë, Eriselda Sefa. Vendimi është marrë pak ditë më parë dhe përmban kërkesën që dosja të kthehet për plotësim hetimesh dhe verifikim të mëtejshëm të veprimeve të kryebashkiakes.
Në qendër të çështjes ndodhet një kallëzim penal që akuzon Sefën për shkelje të procedurës ligjore në dhënien me qira të një pasurie publike.
Sipas kallëzimit, gjatë procesit të miratimit nga Këshilli Bashkiak dhe nga vetë kryetarja e Bashkisë janë kryer veprime të kundërligjshme, që përfshijnë falsifikime dokumentesh, si në dëgjesat publike, ashtu edhe në projekt-vendimin për dhënien me qira të një ambienti në rrugën “Kongresi i Lushnjës”.
Burime nga kallëzimi sqarojnë se, pas kërkesës së SPAK për t’u vënë në dispozicion praktikën e plotë të dhënies me qira, bashkia nuk ia ka dërguar dokumentacionin e plotë organit të akuzës.
Sipas kallëzuesit, kryetarja Eriselda Sefa ka fshehur me qëllim dy shkresa kyçe, që konsiderohen prova thelbësore për të zbardhur mënyrën si është ndjekur procedura. Këto dokumente, sipas tij, do të vërtetonin ekzistencën e falsifikimeve dhe shkeljeve ligjore në procesin e dhënies me qira të pronës publike.
Vendimi i Apelit të Posaçëm pritet t’i hapë rrugën një hetimi të ri nga SPAK për mënyrën se si është administruar kjo çështje në Bashkinë e Lushnjës dhe nëse zyrtarët lokalë kanë konsumuar vepra penale që lidhen me shpërdorim detyre, falsifikim dokumentesh apo pengim të hetimit.