Flash

Trumpi dhe Putini do të takohen në Budapest për bisedime

Lapsi.al 17 October 2025
Trumpi dhe Putini do të takohen në Budapest për bisedime

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin, janë pajtuar për t’u takuar në Budapest të Hungarisë, pas një bisede telefonike që e zhvilluan të enjten, një ditë para vizitës së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Uashington.

“U pajtuam që javën e ardhshme të zhvillohet një takim i këshilltarëve tanë të nivelit të lartë… Presidenti Putin dhe unë më pas do të takohemi në vendin për të cilin u morëm vesh, pra në Budapest, Hungari”, shkroi Trump të enjten në mbrëmje në platformën e tij Truth Social.

Presidenti i Hungarisë, Viktor Orban, tha se vendi i tij është bërë tashmë “gati” për t’i pritur Trumpin dhe Putinin.

“Takimi i planifikuar midis presidentëve, amerikan dhe rus, është lajm i shkëlqyer për njerëzit që duan paqe në mbarë botën”, shkroi Orban në X.

Trumpi shtoi se do të takohet me Putinin në Budapest “për të parë nëse mund ta përfundojmë këtë luftë ‘të palavdishme’ midis Rusisë dhe Ukrainës”.

Ai gjithashtu tha se delegacioni amerikan, që do të zhvillojë bisedimet me palën ruse para takimit të tij me Putinin, do të udhëhiqet nga sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio. Trump theksoi se vendndodhja e këtyre bisedimeve paraprake ende nuk është përcaktuar.

Si Kremlini, ashtu edhe Shtëpia e Bardhë, e përshkruan telefonatën midis Trumpit dhe Putinit si “të mirë” dhe “frytdhënëse”.

Këshilltari për politikë të jashtme i Kremlinit, Yury Ushakov, tha se biseda ishte “jashtëzakonisht e sinqertë dhe e besueshme", duke shtuar se Rusia do t'i fillojë “menjëherë” përgatitjet për këtë takim.

Telefonata midis dy liderëve ndodhi pak para takimit të Trumpit me Zelenskyn, i cili pritet të mbërrijë në Shtëpinë e Bardhë të premten.

“Presidenti Zelensky dhe unë do të takohemi nesër, në Zyrën Ovale, ku do të flasim për bisedën time me presidentin Putin dhe për shumë çështje të tjera”, tha Trump.

Kohët e fundit, Trump ka shprehur zhgënjimin e tij me Putinin dhe luftën e Moskës në Ukrainë, duke thënë më 15 tetor se presidenti rus nuk duket se dëshiron ta përfundojë konfliktin, gjë që e bën atë të duket “shumë keq”.

Ndërkohë, Zelensky pritet të bisedojë për mbrojtjen ajrore të Ukrainës dhe mundësinë që ajo të kryejë sulme me rreze të gjatë veprimi gjatë takimit të tij me Trumpin në Shtëpinë e Bardhë të premten.

Dy liderët kanë folur dy herë gjatë fundjavës, mes diskutimeve të intensifikuara për një vendim të mundshëm të SHBA-së për t’i ofruar Kievit raketa me rreze të gjatë veprimi, Tomahawk.

Trump nuk e ka përjashtuar mundësinë e furnizimit me raketa Tomahawk, të cilat kanë një rreze veprimi deri në 2.500 kilometra dhe mund të pajisen me koka bërthamore. Kremlini ka paralajmëruar kundër furnizimit të Kievit me këto raketa./REL

Të këshilluara

Të shtëna me armë zjarri në Shkodër

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në fshatin Trush të Shkodrës, ku babë e bir kanë përfunduar në prangat e policisë pasi kanë qëlluar në ajër me armë zjarri...

14:19

ide

Pogradeci, si inerci e Shqipërisë së djeshme

Edi Rama po sillet sikur paqja sociale mund të rivendoset duke arrnuar modelin e vjetër të qeverisjes, ndërkohë që ata që kërkojnë dorëheqjen e tij e bëjnë këtë në emër të përmbysjes së një sistemi

19:23 Andi Bushati

Një monument i shëmtuar i autoritarizmit politik

Në vend që të kujdesen për godint që kërcënojnë qytetarët estetikisht dhe fizikisht, Kryeministri dhe Bashkia e tij në Durrës rendin të hedhin miliona euro për të ndërtuar mure betoni që fshehin detin dhe shëmtojnë qytetin

10:47 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

31°c

KËMBIMI EURO

92.44

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI

Ndahet nga jeta Dolly Parton

Legjenda e muzikës country Dolly Parton ka ndërruar jetë në moshën 80-vjeçare. Lajmin e trishtë e bëri të ditur ...

22:09