Përtej çdo parashikimi, Rusia nuk është larguar nga Siria as pas rrëzimit të Bashar al-Asadit, aleatit të saj më besnik në Lindjen e Mesme. Dhjetë vjet ndërhyrje ushtarake, miliarda dollarë të shpenzuara dhe një luftë që ndryshoi kufijtë politikë të rajonit, duket se nuk mjaftuan për ta shkëputur Moskën nga ambicia e saj mesdhetare. Sot, nën regjimin e ri islamist të Ahmed al-Sharas, avionët rusë ende zbresin në Hmeimim, flamujt rusë valëviten mbi bazat e braktisura dhe ndikimi i Kremlinit, edhe pse më i zbehtë, mbetet i gjallë në hijet e Damaskut. Të dyja palët po luajnë një tango të vjetër, por të rrezikshme: ajo mes interesit dhe mbijetesës.
The New York Times:
Dyqanet në qytetin sirian të Hmeimim, sallonet e flokëve, pikat e kebabit, serviset e makinave, kanë tabela në gjuhën ruse. Por shumica ishin të mbyllura.
Ushtarët nga baza ajrore ruse aty pranë nuk vijnë më, tha një pronar kafeneje.
Dhjetë muaj pas rrëzimit të aleatit të saj, presidentit autoritar Bashar al-Assad, ndikimi i Rusisë në Siri është pothuajse i padukshëm. Pjesa më e madhe e trupave të saj është larguar, dhe bazat e investimet që u ndërtuan gjatë ndërhyrjes dhjetë-vjeçare janë braktisur pothuajse plotësisht.
Presidenti i ri, Ahmed al-Shara, i cili udhëhoqi forcat rebele islamiste që përmbysën regjimin e Assadit dhe ndryshuan ekuilibrat e Rusisë në rajon, e lejoi Moskën të mbajë një prani të vogël në Siri, në vend që ta dëbonte plotësisht.
Të mërkurën, ai po bënte vizitën e tij të parë në Moskë si president, për t’u takuar me presidentin Vladimir Putin, ish-armikun e tij.
“Ashtu siç po shihet me al-Shara, kemi pragmatizëm mbi ideologjinë,” tha Asli Aydintaşbaş, një studiuese e Institutit Brookings në Uashington. “Ai nuk ka arsye të krijojë një armik të ri, ndërsa përpiqet të mbijetojë në këtë rajon.”
Për shumë sirianë, përfshirë ish-rebelët që tani drejtojnë vendin dhe refugjatët që janë kthyer pas shumë vitesh, nuk ka asnjë dashuri për Rusinë. Ajo mbështeti për dekada diktaturën e egër të Assadit dhe hyri direkt në luftën civile 13-vjeçare, duke lëshuar bombardime shkatërruese mbi qytetet dhe fshatrat siriane.
Në kontaktet e mëparshme me zyrtarët rusë, udhëheqësit islamistë të Sirisë kanë kërkuar që Assad, i cili është strehuar në Moskë, të ekstradohet për një gjyq për krime lufte, dhe që Rusia të paguajë dëmshpërblime për luftën.
Por Siria, nën presionin e fqinjëve dhe fuqive të mëdha, përballet me sfida të mëdha ekonomike e të sigurisë, që mund ta shtyjnë al-Sharan të kërkojë kompromis. Prioritetet e tij janë të negociojë heqjen e sanksioneve ndërkombëtare dhe të lehtësojë varfërinë e rëndë të vendit, duke shmangur ndërhyrjet e jashtme ndërkohë që konsolidon pushtetin dhe siguron kufijtë.
Rusia ka bërë të qartë se dëshiron të mbajë bazat e saj ajrore në Siri, atë në Hmeimim dhe një tjetër më të vogël në qytetin verilindor Qamishli, si dhe të vazhdojë përdorimin e portit të Tartusit në bregun e Mesdheut.
Së bashku, këto janë pikat e vetme të ndalesës së Rusisë në Mesdheun lindor për avionët dhe anijet që udhëtojnë drejt e nga Afrika.
Zyrtarët e Ministrisë së Jashtme siriane refuzuan të komentonin mbi planet e qeverisë për marrëdhëniet me Rusinë. Por analistë dhe politikanë sirianë thanë se Moska nuk është në pozicion për të bërë kërkesa.
“E vërteta është se Rusia ende qëndron në Siri me një ‘sy të nxirë gjigant’,” tha zonja Aydintaşbaş nga Brookings.
Personeli rus duhet të njoftojë paraprakisht për çdo lëvizje të tyre te Shërbimi i Sigurisë së Brendshme të Sirisë dhe lejohen të udhëtojnë vetëm me eskortë, sipas rojeve të sigurisë siriane në postblloqet pranë Hmeimimit dhe Tartusit.
Rusia dikur kontrollonte bazën detare në Tartus, por tani mund të përdorë vetëm një vend ankorimi, dhe atë vetëm me lejen e sirianëve, tha analisti i pavarur sirian Abed al-Thalji. Një nëndetëse ruse që ishte ankoruar në Tartus tani qëndron në Algjeri dhe Libi, shtoi ai, ndërsa anijet që transportojnë mallra ruse për në Siri tani ankorohen në Egjipt.
Pas anulimit të kontratës së Rusisë për të menaxhuar portin e Tartusit, qeveria siriane këtë verë nënshkroi një marrëveshje me Dubai Ports World, e cila ra dakord të investojë 800 milionë dollarë në port, tha drejtori i përgjithshëm Ahmed Khalil.
Sipas tij, aktiviteti tregtar është rritur që nga momenti kur presidenti Trump hoqi pjesën më të madhe të sanksioneve amerikane. “Të gjitha kalatat janë të zëna dhe kemi anije që presin jashtë për të hyrë,” tha ai.
Në port, u panë ende mallra nga Rusia, përfshirë fletë çeliku të mbështjella dhe karburant, që vazhdojnë të tregtohen me çmime të ulëta.
Siria, ndërkohë, ka nevojë për Rusinë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për çështje të rëndësishme të sigurisë. Presidenti al-Shara dhe ministri i tij i brendshëm ende figurojnë në listën e sanksioneve të OKB-së kundër anëtarëve të Al-Kaedës dhe Shtetit Islamik.
Një tjetër çështje është zbatimi i Traktatit të Çarmatimit, që krijoi një zonë tampon përgjatë Lartësive të Golanit, të cilën Izraeli e ka shkelur duke pushtuar territor sirian që nga dhjetori.
Që pas rrëzimit të Assadit, Izraeli ka bombarduar në mënyrë të përsëritur objektiva ushtarake siriane, i shqetësuar se armët e regjimit të vjetër mund të bien në duart e grupeve armiqësore. Ai mbetet mosbesues ndaj udhëheqjes së re islamiste dhe në korrik kreu një sulm ajror mbi ndërtesën e Ministrisë së Mbrojtjes në qendër të Damaskut.
Në kohën e Assadit, forcat ruse ndihmonin në patrullimin e kufirit jugor të Sirisë përgjatë Golanit. Diplomatë kanë përmendur mundësinë që Rusia të rikthehet në këtë rol për të ulur tensionet mes Izraelit dhe qeverisë së re siriane.
Pas muajsh kontakti të heshtur, Rusia dërgoi në shtator një delegacion të nivelit të lartë të kryesuar nga zëvendëskryeministri Aleksandër Novak, këshilltari kryesor i Putinit për energjinë, për të “riformatuar” marrëdhëniet me Damaskun.
Novak u prit nga Maher al-Shara, vëllai i presidentit, që flet rusisht dhe është i martuar me një ruse. Ai konsiderohet përgjegjës për çështjet ruse në zyrën e presidencës. Pas vizitës së tij, një delegacion nga Ministria e Mbrojtjes së Sirisë vizitoi një qendër trajnimi për mbrojtjen ajrore në Rusi.
Nuk është e qartë nëse ndonjë marrëveshje konkrete është në tryezë.
Por sipas Aydintaşbaş, presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan, aleat i ngushtë i al-Sharas, me gjasë do ta këshillojë atë të ndjekë të njëjtën qasje të balancuar që ai vetë ka përdorur: të ruajë ekuilibrin mes fuqive të mëdha dhe të përfitojë nga të dyja palët.
“Është manuali i Erdoganit për ekuilibrin mes fuqive të mëdha dhe për hapjen e mundësive për një vend të vogël,” tha ajo.
Përgatiti ©LAPSI.AL