Eufori e intervista larg teknikes për futbollistët kuqezinj pas fitores 4-1 në miqësoren me Jordaninë. Armando Broja pas golit të shënuar duket shumë më i relaksuar, edhe në sinqeritetin me të cilin përgjigjet. Për shkodranin emocionet e ndeshjes me Serbinë I kalojnë vetëm ëndërrat me Botëror: “Mamin dhe të dashurën, këto kam telefonuar pas fitores me Serbinë. Nuk është se kam një ritual si lojtarët e tjerë, dëgjoj muzikë dhe bëhem gati për ndeshje - tha Broja -. Kam parë ëndrra të bukura me Botëror. E kemi filluar me përqendrim, me këmbën e djathtë, saktë”.
REKORDMENI HYSAJ: “HERËT PËR TA LËNË”
“Momenti më i rëndësishëm i jetës sime. Shumë i kënaqur me lojë. Moment shumë i bukur. Emocione që do i mbajë brenda zemrës”. Elseid Hysaj është në qiellin e shtatë pas prezencës së 94 me përfaqësuesen, që e bëri atë lojtarin rekordmen, duke kaluar edhe ish-kapitenin Lorik Cana. Sidoqoftë, për mbrojtësin ka ende rrugë për të bërë me kombëtaren, edhe pse ka më shumë se një dekadë që mban veshur fanellën kuqezi: “Po më vjen momenti edhe mua të jem veteran. Emocion i njëjtë sikur të jesh fëmijë. Unë gjithmoë do përpiqem sa më shumë. Kur ta shoh se mund të jap më do e lë radhën, por është shumë herët”.
Lexo më tej: Shqipëria dërrmon me poker Jordaninë: Më në fund Broja, Hysaj rekord, Hoxha supergol
DAJSINANI: “KISHA EMOCIONE”
Mario Dajsinani pësoi një gol të evitueshëm në fund, në fitoren 4-2 por kjo edhe mund të justifikohet: ““Në fillim kisha pak emocione, normal ndeshja e parë me Kombëtaren brenda në Tiranë. U ndjeva mirë, sepse shokët e ekipit më dhanë mbështetje kur e morën vesh që do luaja. Shyqyr Zotit që shkoi mire”. Portieri i Egnatias kërkon tashmë një tjetër skenë për tu përmirësuar edhe më shumë e, në këtë pikë, kombëtarja e ndihmon: “Kapërcim në kampionat më të fortë? Normal. Çdo lojtar që luan në Shqipëri, gjëja e parë që mendon është që të bëjë një transferim jashtë. Shpresoj që ta kemi këtë fat”, u shpreh Dajsinani.
ASLLANI: “JAM I LUMTUR PËR BROJËN”
“Duhej pak festë, është normale. Jemi të lumtur, ishte e vështirë. Bëmë një ndeshje serioze, fituam para tifozëve, duhet të vazhdojmë kështu. Jemi shumë shokë me Brojën. Jam shumë i lumtur për Armandon, që unë asistova dhe ai shënoi”. Kristjan Asllani po merr gjithnjë e më shumë përsipër te kombëtarja dhe tani duket shumë më konfident me topin. Natyrisht për këtë mesfushori ka një shpjegim të logjikshëm: “Po nuk preka top çmendem. Shkoj e kërkoj te portieri. Nga ana fizike jam më mirë, kam luajtur 5-6 ndeshje në Torino. Jam shumë i lumtur që po luaj edhe me Kombëtaren. Po më ndihmojnë minutat me Torinon. Lojtari kur luan është më mirë mendërisht”, e mbylli Asllani.