Mbrëmje e rëndësishme europiane, mbi të gjitha për Shqipërinë. Kombëtarja e teknikut Sylvinho fitonte miqësoren me Jordaninë me mendjen në Andorra, ku Serbia eviton kapitullimin. Skuadra e teknikut provizor Mirkovic triumfon 1-3 me përmbysje e ndihmuar nga golat e Vlahovic dhe Mitrovic. Serbët vijnë tashmë një pikë larg Shqipërisë, duke e bërë edhe më të ethshme transfertën e nëntorit për kuqezinjtë. Anglia ndërkohë kualifikohet pas suksesit 0-5 në Letoni, që i con lojtarët e Tuchel në Botëor pa pësuar asnjë gol.
GRUPI E
Vazhdon e pamposhtura e Spanjës, që ende nuk ka pësuar gol dhe mposht 4-0 Bullgarinë. “Furitë e Kuqe” dominojnë që në fillim, duke arritur pothuajse 90% të zotërimit të topit, por nuk arrijnë të shënojnë deri në minutën e 35-të. Traversa e goditur nga Pedri dhe rasti i shpërdoruar nga Samu Aghehowa mbajnë gjallë ndeshjen, pastaj vjen goli i Mikel Merinos. Mesfushori i Arsenalit godet me kokë pas asistit të Le Normand dhe shënon golin e parë për Spanjën, për të përsëritur të njëjtën gjë në pjesën e dytë, sërish me kokë (56’). Kështu ai ngjitet në kuotën e gjashtë golave në kualifikimet për Botërorin, ndërsa autogoli i Chernev (79’) dhe penalltia e realizuar nga Oyarzabal (92’) plotësojnë listën e golashënuesve të ditës. Spanja ngjitet në 12 pikë, duke mbetur me pikë të plota dhe duke mbajtur pas Turqinë, që ndjek me 9.
Për vendin e parë do të jetë një duel mes dy skuadrave, me turqit në disavantazh pas humbjes 6-0 në ndeshjen e parë, por ndërkohë Yildiz dhe shokët mposhtin 4-1 Gjeorgjinë (3). Pikërisht lojtari i Juventusit e zhbllokon rezultatin në minutën e 14-të, duke hapur shfaqjen e skuadrës vendase. Në goditjen nga këndi të Calhanoglu, Demiral shënon me kokë për 2-0 dhe praktikisht mbyll ndeshjen kundër Kvara dhe shokëve. Yildiz dhe Yuksek rrezikojnë golin e tretë, që vjen në minutën e 35-të me rrjetën e Akgun. Pjesa e dytë është nën kontroll të plotë të turqve, të cilët gjejnë një tjetër gol dhe një tjetër asist të Calhanoglu: përsëritet boshti me Demiral, që shënon dopietën e tij në minutën e 52-të. I kotë goli i Kochorashvili në minutën e 64-t, Gjeorgjia mbetet me tre pikë dhe sheh si i shuhet ëndrra për Botërorin.
GRUPI F
Cristiano Ronaldo hyn në histori, por Portugalia shpërdoron fitoren që do ta çonte në Botëror me shumë kohë përpara: përfundon 2-2 kundër Hungarisë. Lusitanët nuk nisin mirë dhe madje kalojnë në disavantazh: Szalai i godet në minutën e 8-të. Qasja e Portugalisë rrezikon t’u kushtojë shtrenjtë, sepse Hungaria shtyn dhe i afrohet dy herë golit të dytë, por atëherë hyn në skenë CR7. Ylli i Al-Nassr barazon në minutën e 21-të pas asistit të Semedo-s dhe më pas përmbys në shtesë: asist nga Nuno Mendes në minutën e 48-të të pjesës së parë dhe goli është historik. Cristiano Ronaldo ngjitet në kuotën e 41 golave në kualifikimet për Botërorin, duke vendosur rekordin e ri absolut dhe duke ia rrëmbyer atë guatemalasit Carlos Ruiz.
Në pjesën e dytë, vendasit afrohen disa herë te goli i tretë, por janë të pasaktë dhe të pafat: traversë nga Ruben Dias dhe shtyllë nga Bruno Fernandes, por edhe dy raste të shpërdoruara nga Joao Felix dhe Pedro Neto. Portugalia ndoshta bindet se e ka mbyllur ndeshjen dhe, në mënyrë befasuese, lejon barazimin: Szoboszlai firmos 2-2 për Hungarinë në minutën e 92-të.
Nga ky rezultat përfiton Irlanda, që mposht 1-0 Armeninë, e cila mbeti me dhjetë lojtarë që nga minuta e 52-të (Barseghyan u përjashtua për një goditje me kokë), falë golit të Evan Ferguson në minutën e 70-të. Portugalia kryeson me 10 pikë, por irlandezët ngjiten në 4 dhe afrohen me Hungarinë (5): këto skuadra, bashkë me Armeninë (3), do të luftojnë për vendin e dytë.
GRUPI I
Italia mposht 3-0 Izraelin në ndeshjen e vlefshme për javën e gjashtë të Grupit I të kualifikimeve për Botërorin 2026 dhe siguron matematikisht një vend në “playoff”. Protagonist absolut i mbrëmjes në Udine është Mateo Retegui, që thyen rezistencën e kombëtares së Ben Shimon me një gol për çdo pjesë: fillimisht me penalltinë e fituar dhe të realizuar në minutat shtesë, pastaj me një goditje të bukur me të djathtën në cepin e sipërm që vulos tre pikët. Në fund është Mancini që e thellon rezultatin.
Në ndeshjet e ardhshme skuadra e Gattusos do të përballet me Moldavinë dhe Norvegjinë dhe, përveç ndonjë hapi të gabuar të paparashikueshëm të Haaland dhe shokëve kundër Estonisë, mund të synojnë maksimumi t’i barazojnë në renditje duke i mundur në “San Siro”, por me një diferencë golash të pakapshme. Pothuajse me siguri, pra, shpresat për t’u kthyer në Botëror pas 12 vitesh do të kalojnë edhe një herë përmes “playoff”.
Lexo më tej: Shqipëria e Kosova largojnë dy trajnerë në tre ditë: zyrtar shkarkimi i Tomasson
Estonia e Moldavia përligjin vendet e fundit me një barazim 1-1, që nuk ka asnjë vlerë për renditjen e grupit, përvec se konfirmon miqtë në vendin e fundit me pikën e parë të fituar. Avantazhi i Kait në minutën e 12’ u venit nga goli i Bodisteanu në minutën e 64’, që gjithësesi mban estonezët në kuotën e 4 pikëve.
GRUPI K
Anglia është zyrtarisht kombëtarja e parë e kualifikuar për Botërorin nga zona e UEFA-s, një rezultat që nuk ka qenë asnjëherë në dyshim për djemtë e Tuchel, të cilët kanë fituar gjashtë ndeshje nga gjashtë në një grup të dominuar. Ndeshja kundër Letonisë zhbllokohet në minutën e 25-të me goditjen e saktë të Gordon, pastaj Kane e thellon rezultatin me një dopietë: gol në minutën e 43-të dhe penallti në minutën e 48-të të pjesës së parë. Në pjesën e dytë, autogoli i Tonisevs vulos edhe “pokerin” britanik, përpara golit të pestë të shënuar nga Eze. Përfundon pra 5-0, Anglia në kuotën e 18 pikëve dhe e kualifikuar në Botëror.
Pushimi i Shqipërisë në këtë raund rihap garën për vendin e dytë, me Asllanin dhe shokët që kanë 11 pikë, ndërsa Serbia ngjitet në 10. Pasi pëson golin e Guillaume Lopez, që kaloi në avantazh Andorrën (17’), Vlahovic dhe shokët e tij përmbysin me golin e sulmuesit të Juventusit dhe e mbyllin ndeshjen me penalltinë e Mitrovic. Çdo gjë mbetet e hapur pra në garën për “playoff”-et, dhe vendimtare do të jetë pikërisht Anglia: Kane dhe shokët do të përballen me Serbinë dhe Shqipërinë në dy ndeshjet e fundit. Jashtë gare Letonia (5) dhe Andorra (1).
UEFA World Cup 2026
Ireland 1-0 Armenia
Portugal 2-2 Hungary
UEFA World Cup 2026
Estonia 1-1 Moldova
Italy 3-0 Israel
UEFA World Cup 2026
Andorra 1-3 Serbia
Latvia 0-5 England