Kur presidenti amerikan Donald Trump të fluturojë drejt Uashingtonit nga Lindja e Mesme sonte, rajoni që do të zhduket nga dritaret e avionit të tij do të jetë padyshim një vend i ndryshuar. Pengjet që kanë vuajtur nën tokë në Gaza gjatë dy viteve të fundit janë të lirë, dhe bombat që shkatërruan Rripin kanë pushuar së rëni.
Por edhe ngjarjet ceremoniale të përgatitura për të në Izrael dhe Egjipt nuk mundën të fshehin pasigurinë e madhe që ende qëndron pezull, përfshirë edhe pyetjen themelore nëse lufta Izrael–Hamas ka përfunduar vërtet.
Trump këmbëngul se po. Në një fjalim të gjatë e të ndërlikuar në Knesset-in izraelit (Parlamentin), ai lavdëroi homologun e tij, kryeministrin Benjamin Netanyahu, për “guximin” që, sipas tij, tregoi për të pranuar se kishte ardhur momenti i duhur për të përfunduar operacionin dy-vjeçar ushtarak, që pasoi sulmin vdekjeprurës të Hamasit më 7 tetor 2023.
Netanyahu, megjithatë, nuk ka pranuar asgjë të tillë. Përkundrazi, mbrëmjen para mbërritjes së Trump, ai deklaroi se fushata ushtarake “nuk ka mbaruar”, për shkak të kërcënimeve të vazhdueshme ndaj sigurisë së Izraelit. Ai është nën presion nga anëtarët e ekstremit të djathtë të koalicionit qeveritar për të vazhduar luftën kundër Hamasit në Gaza.
Pas një lëvizjeje disi të paqartë mes palëve, Netanyahu refuzoi të udhëtonte me Trump në Sharm el-Sheikh, Egjipt, për të marrë pjesë në ceremoninë zyrtare të nënshkrimit të marrëveshjes së paqes, pavarësisht përpjekjeve të minutës së fundit të presidentit amerikan për ta bindur të ishte i pranishëm.
Kryeministri izraelit, në fjalimin e tij, u shpreh:
“Jam i përkushtuar ndaj kësaj paqeje.”
(Trump dhe Netanyahu në Knesset paraditen e sotme, 13 tetor)
Por as ai, as Trump, nuk dhanë shumë detaje se si do të ecë faza tjetër edhe më e ndërlikuar e negociatave.Trump pranoi në mënyrë të paqartë se “faza të ndryshme (të marrëveshjes) janë paksa të përziera mes tyre”, gjatë një takimi me presidentin egjiptian Abdel Fattah el-Sisi.
Lexo më tej: Dokumenti i komentuar/ Ç’thonë 20 pikat e Trump për Gazën
Për Trump-in të paktën, pyetja nëse lufta kishte përfunduar përfundimisht nuk linte vend për diskutim.
“Lufta ka mbaruar. Lufta ka mbaruar, e kuptoni?” — u tha ai gazetarëve në bordin e avionit Air Force One, pak para se të nisej drejt Lindjes së Mesme.
Ai e përsëriti këtë ndjenjë edhe pas mbërritjes, duke e paraqitur si qëndrim të përbashkët me Netanyahun në fjalimin e tij përpara një parlamenti izraelit entuziast.
“Dua vetëm t’ju përgëzoj që patët guximin të thoni: ‘Mjaft. Fitore. Tani le të gëzojmë jetën.’”
Trump paralajmëroi se një luftë e re do ta dëmtonte trashëgiminë e Netanyahut dhe u përpoq t’i paraprinte çdo pyetjeje për “fundin e vërtetë” të konfliktit duke këmbëngulur se ai tashmë ka ndodhur.
“Izraeli, me ndihmën tonë, ka fituar gjithçka që mund të fitohet me forcë armësh. Keni fituar. Dua të them, keni fituar. Tani është koha t’i ktheni këto fitore në fushëbetejë kundër terroristëve në shpërblimin përfundimtar, paqe dhe mirëqenie për gjithë Lindjen e Mesme. Është koha të shijoni frutat e punës suaj."
Trump imagjinon një Lindje të Mesme të transformuar, ku marrëveshjet Abraham që ai nisi gjatë mandatit të tij të parë, e që normalizuan marrëdhëniet diplomatike mes Izraelit dhe fqinjëve arabë, të zgjerojnë ndikimin e tyre dhe të mbyllin armiqësitë historike.
Ai foli disa herë për përpjekjet për ta përfshirë Iranin në këtë proces, ndërsa diplomatët e tij po punojnë për të shfrytëzuar një “dritare të ngushtë mundësie” për ta kthyer armëpushimin në një riorganizim të ri rajonal.
“Nuk bëhet thjesht fjalë për rindërtimin e Gazës. Bëhet fjalë për transformimin e gjithë rajonit,” tha sekretari i shtetit Marco Rubio, pranë Trump-it në Egjipt.
Megjithatë, bindja e udhëheqësve arabë që të financojnë rindërtimin e Gazës dhe të përmirësojnë marrëdhëniet diplomatike me Izraelin mund të jetë detyrë e vështirë.
Vendet e Gjirit, që sipas Trump “janë të gatshme të përdorin pasurinë e tyre të madhe për të rindërtuar enklavën e shkatërruar”, nuk pranojnë të angazhohen pa garanci të qarta se Izraeli nuk do të rifillojë bombardimet.
Shumë liderë arabë, përfshirë princin saudit Mohammed bin Salman, sundimtarin de fakto të Arabisë Saudite, kërkojnë sinjale të forta se procesi aktual do të çojë përfundimisht në krijimin e një shteti palestinez.
Këto janë çështje që kërkojnë dakordësinë e Netanyahut, i cili deri tani ka refuzuar të japë garanci të tilla, edhe nën presionin e Trump-it.
“Nuk është njeriu më i lehtë për t’u marrë vesh,” tha Trump për Netanyahun të hënën. “Por kjo është ajo që e bën të madh.”
Trump është përpjekur të zbusë dallimet mes tyre, por edhe të transferojë popullaritetin e tij të madh në Izrael te Netanyahu, i cili mbetet shumë më pak i pëlqyer për mënyrën si ka menaxhuar luftën.
Në fjalimin e tij, Trump u përpoq t’i jepte një mbështetje politike kryeministrit izraelit, madje duke i bërë thirrje presidentit të Izraelit që ta falte atë nga procesi gjyqësor për korrupsion, një ndërhyrje e jashtëzakonshme në politikën e brendshme të vendit.
“Puro dhe shampanjë, kujt i intereson!” tha Trump me ironi, duke iu referuar akuzave se Netanyahu kishte marrë dhurata luksoze nga biznesmenë të huaj.
Nëse lajkat dhe mbështetja politike do të ndikojnë në qëndrimin e ardhshëm të Netanyahut, mbetet për t’u parë. Ndërkohë, i dërguari i jashtëm i Trump-it, Steve Witkoff, dhe dhëndri i tij Jared Kushner kanë filluar tashmë të zbatojnë fazën e ardhshme të planit të paqes.
“Do të jemi këtu shpesh. Kështu ka urdhëruar presidenti,” tha Witkoff në Egjipt.
Por për Trump-in, historia tashmë ishte duke u shkruar.
“Kjo është një nga ditët më të rëndësishme për paqen botërore në 50 vitet e fundit dhe nuk është ekzagjerim,” tha Rubio të hënën.
Trump, megjithatë, nuk u duk i kënaqur me këtë formulim.
“Vetëm 50?” pyeti ai i habitur.
“Ndoshta 100,” pranoi Rubio duke buzëqeshur.
Përshtati nga CNN në shqip, ©LAPSI.AL