Revista prestigjioze “ArtNews” ka përcjellë me habi njoftimin e galerisë së artit bashkëkohor “Societe” në Berlin, e cila publikoi listën e re të artistëve që do të përfaqësonte dhe ku befas, mes emrave ndërkombëtarë, u shfaq edhe ai i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Revista shkruante se “
për shumë njerëz, madje edhe për ata që janë në dijeni të ARTnews!, ishte një surprizë kur galeria e mirënjohur e artit bashkëkohor Société njoftoi se po përfaqëson politikanin/artist Rama që i bashkohet një grupi ndërkombëtar artistësh në listën e Société”.
Për gazetarët e huaj, ambicia e Ramës për t’u konfirmuar si artist ndërkombëtar nuk është e panjohur, por përfshirja e tij në këtë galeri gjermane u lexua si një tjetër kapërcim i beftë në karrierën e tij artistike.
Edi Rama, miliona nga pikturat në Gjermani
Në shkrimin e “
ArtNews”, pason një përshkrim i shkurtër i profilit të Ramës si politikan dhe artist, duke iu referuar ekspozitës së tij të fundit në galerinë “Marian Goodman” në Paris, ku u prezantuan
“një seri skulpturash qeramike me ngjyra të theksuara që duken sikur mund të jenë gërmuar nga një guvë koralore, si dhe vepra abstrakte në letër, shumë prej të cilave janë faqe kalendari apo letër muri”.
Revista shton se “
tek Societe, Rama do të ekspozojë më shumë qeramika dhe punime në letër, shpesh të krijuara gjatë mbledhjeve apo telefonatave të gjata mbi dokumenta zyrtare, të cilat ai i ka vizatuar përgjatë një dekade”.
Ndërkohë, në njoftimin që publikoi vetë galeria në Instagram, shoqëruar me imazhe të punëve të Ramës, citohet një thënie e tij që duket si një përkufizim i dyzimit të tij mes artit dhe politikës:
“Politika është një betejë në jetën e përditshme. Dhe arti është si një lutje”.
Galeria “Societe”, që ndodhet në Gjermani, liston gjithashtu një sërë ekspozitash ndërkombëtare ku Rama ka marrë pjesë ndër vite: Paris (2024), Athinë (2023), Gjermani (2018), Nevada SHBA (2019), Nju Jork (2016), Bienalja e Venecias (2017 dhe 2003), Centre Pompidou në Paris (2010), Haus der Kunst në Mynih (2004) dhe Bienalja e São Paulos në Brazil (1994).
Ky prezantim i gjerë krijon përshtypjen e një artisti që ka ecur gjatë në skenën botërore të artit, megjithëse për ata që e ndjekin prej afër karrierën e tij politike dhe artistike, e dinë mirë se në këtë rrugëtim ka gjithashtu marrëdhënie të ndërlikuara interesi.
Ekspozita e financuar nga CEFC në Kinë

Një nga rastet më të qarta që ilustron këtë lidhje mes politikës dhe artit është ekspozita e vitit 2015 në Kinë, një shembull i dukshëm se si Edi Rama e ka përdorur postin e tij si kryeministër për të ndërtuar profilin e tij artistik.
Ekspozita e tij në Akademinë “Jao Tsung” u mbajt nga 26 tetori deri më 6 nëntor 2015 dhe u financua nga kompania gjigante “CEFC China Energy”. Titulli i ekspozitës ishte “Calendar Blossom” dhe ajo u mundësua me sponsorizimin e drejtpërdrejtë të kësaj korporate kineze me ndikim të madh në sektorin e energjisë. Vetëm se pas hetimit që kreu FBI në çështjen McGonigal doli se në të njëjtën kompani punonte edhe Dorian Duçka, ish-këshilltar i jashtëm i Ramës, i cili shërbente edhe si pika e ndërmjetme mes interesave të CEFC-së dhe kryeministrit shqiptar.
Në prapavijë qëndronin interesat e kompanisë kineze në Shqipëri për investime në fushën e naftës, gazit, hidrocentraleve dhe infrastrukturës energjetike. Për ta joshur kryeministrin shqiptar dhe për të krijuar një raport më të ngushtë me qeverinë e tij, CEFC financoi ekspozitën e tij personale, duke zbatuar një dimension të butë diplomatik nën petkun e artit.
Në fakt, ekspozita nuk kishte ftuar “artistin Edi Rama”, por “kryeministrin e Shqipërisë”, dhe kjo mbetet një ndër shembujt më kuptimplotë të mënyrës se si dy rolet e tij, politikani dhe piktori, bashkëjetojnë në një marrëdhënie që shpesh i shërben njëra-tjetrës.
Financimi i Bienales së Venecias me paratë e buxhetit

Një tjetër rast që ngre pikëpyetje serioze për konflikt interesi është ai i Bienales së Venecias në vitin 2017. Një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit asokohe evidentoi se qeveria shqiptare kishte financuar me fonde publike këtë aktivitet, ku ndër të tjera ekspozonte edhe vetë Edi Rama.
[caption id="attachment_1035787" align="alignnone" width="1404"]

Pjesë nga raporti i KLSH i publikuar nga Hashtag.al[/caption]
Sipas raportit që publikoi
Hashtag.al, Ministria e Ekonomisë, e drejtuar në atë kohë nga Milva Ekonomi, kishte planifikuar rreth 500 mijë euro për promovimin e Shqipërisë gjatë Kampionatit Europian të Futbollit në Francë, por fondi nuk u përdor për qëllimin fillestar dhe më pas u ridrejtua për të paguar kontributin e Shqipërisë në Bienalen e Venecias.
Pikërisht në një nga pavionet e Bienales, Rama kishte një hapësirë të veçantë për të ekspozuar punimet e tij, vizatimet që gjenden edhe në zyrën e tij në Kryeministri. Pyetjet që u ngritën në atë kohë ishin të shumta: a kishte përdorur Rama paratë e taksapaguesve shqiptarë për të financuar promovimin e tij si piktor? A ishin këto fonde të destinuara për të paguar hapësirën ku ekspozoheshin punimet e tij dhe për të mundësuar intervistat që ai dha në mediat italiane si artist? Kritikat nuk munguan as nga ekspertët ndërkombëtarë të artit.
Dy gazetarë kulturorë, Alexxa Gotthardt dhe Scott Indrisek, i përshkruan pikturat e Ramës si “punime të një adoleshenti të droguar”, një koment i ashpër që thekson edhe një herë dyshimet mbi mënyrën se si vepra të tilla përfundojnë në hapësira prestigjioze si Bienalja e Venecias.
The Guardian: Ekspozita luksoze e kryeministrit të vendit më të varfër
Dyshimet për ndërhyrje u shtuan edhe nga fakti se Rama kishte arritur të ekspozonte punët e tij në hyrje të “Padiglione degli artisti”, një hapësirë e rezervuar zakonisht për artistë me reputacion të lartë ndërkombëtar, dhe jo në stendën e Shqipërisë ku vendosen zakonisht autorët që përfaqësojnë vendin. Këto detaje, që në Shqipëri janë raportuar gjerësisht, nuk njihen nga gazetarët e huaj që shohin vetëm pjesën e dukshme të historisë, një politikan që ekspozohet në Paris, Berlin dhe Venecia si artist i afirmuar. Ajo që nuk shohin është infrastruktura e pushtetit që e mbështet këtë rrugëtim, financimet e kamufluara dhe përfitimi i ndërsjellë midis politikës dhe artit. Prandaj përfshirja e Edi Ramës në listën e “Societe” është një “surprizë” për gazetarët e huaj, ndërsa për publikun shqiptar ajo është një kapitull tjetër i kryeministrit që ka përdorur pushtetin politik në funksion të ambicieve personale./Lapsi.al