Dy ministra të Belgjikës kanë zhvilluar së fundi një vizitë në Kosovë dhe në Tiranë. Konkretisht ministrja e Drejtësisë, Annelies Verlinden dhe ajo e Azilit dhe Emigracionit, Anneleen Van Bossuyt. Qëllimi i tyre ka qenë të bindin dy shtetet shqiptarë për të transferuar në vendet e origjinës të dënuarit që kanë në burgjet e tyre. Mbipopullimi mbetet një problem edhe në Belgjikë.
Por në Tiranë në takimet që patën, duket se nuk gjetën dakordësi për një marrëveshje të re me Shqipërinë. Me ministrin e ri të Drejtësisë, Besfort Lamallari, pala belge nuk mori një dritë jeshile për çuar përpara një marrëveshje të re transferimi.
Pala shqiptare mësohet se iu ka thënë ministreve belge se transferimi i të burgosurve shqiptarë në burgjet e tyre mund të bëhet vetëm mbi bazën e marrëveshjes së vjetër që kanë dy vendet dhe që vlerësohet rast pas rasti.
Ministria e Drejtësisë në një deklaratë të shpërndarë për mediat pas takimit mes të tjerash thotë se “ministri Lamallari vlerësoi forcimin e bashkëpunimit bazuar në besimin reciprok dhe në përmbushjen e te gjitha detyrimeve në kuadër të negociatave me BE, përfshi dhe bashkëpunimin në lidhje me marrëdhëniet juridiksonale penale”.
Sipas raportimit në mediat belge, aktualisht, në burgjet e Belgjikës ndodhen 307 shtetas shqiptarë, prej të cilëve 253 nuk kanë të drejtë qëndrimi në vend. ©LAPSI.al