Flash

BSH: Kredia e siguruar me pasuri të paluajtshme arrin në katër miliardë euro këtë vit

Lapsi.al 3 October 2025
BSH: Kredia e siguruar me pasuri të paluajtshme arrin në katër

Kredia e mbuluar me kolateral pasuritë e paluajtshme vazhdon të rritet. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të 6-mujorit 2025 vlerësohet se rreth 76% e portofolit të kredisë bankare ishte i mbuluar me kolateral, në rritje të lehtë nga niveli prej 75% i një viti më parë.

Kolateral dominues për sigurimin e kredive bankare vazhdojnë të jenë pasuritë e paluajtshme. Kreditë me kolateral në formën e pasurive të paluajtshme zënë 46% të tepricës së kredisë ose rreth 61% të kredisë së kolateralizuar.

Stoku i kredisë së kolateralizuar me pasuri të paluajtshme është zgjeruar me 9% në krahasim me një vit më parë, kryesisht si rezultat i rritjes së kredisë për shtëpi.

Edhe portofolet e kredive të kolateralizuara me kolateral tjetër kanë shënuar rritje. Përveç pasurive të paluajtshme, që ngelen kolaterali kryesor për garantimin e kredive bankare, llojet e tjera të kolateralit mund të përfshijnë kryesisht kolateralin financiar (për shembull, cash, aksione të kompanive apo portofol kredie performues), apo kolateral tjetër në formën e pasurive të luajtshme.

Në mesin e këtij viti, kredia e dhënë nga sektori bankar raportohej nga Banka e Shqipërisë në vlerën e 855 miliardë lekëve. Bazuar në këtë shifër, mund të përllogaritet se kredia e siguruar me pasuri të paluajtshme kishte vlerën e rreth 393 miliardë lekëve ose afërsisht 4 miliardë eurove.

Në vitet e fundit, sektori bankar ka rritur ndjeshëm portofolin e kredisë për prona, si për bizneset, ashtu edhe për individët. Vlerësohet se kreditimi ka qenë faktor shumë i rëndësishëm në mbështetjen e kërkesës në tregun e pasurive të paluajtshme. Por, nga ana tjetër, kjo ka rritur edhe ekspozimin e sektorit bankar kundrejt ecurisë së tregut të pasurive të paluajtshme.

Ekspozimi i sektorit bankar në kredi për pasuri të paluajtshme ka arritur në afërsisht 429 miliardë lekë. Rreth 54% e kësaj shume është kredia për individë, ndërsa 46% është kredi e dhënë për biozneset. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, vlera totale e kredisë për pasuri të paluajtshme është në rritje vjetore me 16%.

Aktualisht, kredia për pasuri të paluajtshme e individëve dhe bizneseve përbën më shumë se gjysmën e portofolit total të kredisë së dhënë për sektorin privat të ekonomisë.

Në shumicën dërrmuese të rasteve, kreditë për pasuri të paluajtshme janë të siguruara me prona të lëna si kolateral në favor të bankave (në rastin më tipik, vetë prona e blerë me kredi). Një krizë e mundshme në tregun e pasurive të paluajtshme do të ulte vlerën e kolateralit dhe do të ekspozonte bankat ndaj rreziqeve për humbje nga kreditë.

Duke filluar nga korriku i këtij viti, Banka e Shqipërisë ka vendosur disa kufizime për standardet e kredidhënies së re për blerjen e banesave.

Këto masa synojnë ruajtjen e stabilitetit financiar, përballë rritjes së shpejtë të çmimeve të banesave, nëpërmjet ruajtjes së aftësisë paguese të kredimarrësve dhe cilësisë së ekspozimeve të sektorit bankar ndaj tregut të pasurive të paluajtshme.

Raporti tavan i kredisë ndaj vlerës në monedhën Lekë është vendosur 85% për shtëpinë e parë dhe 80% për shtëpinë e dytë, ndërsa në valutë të huaj kufiri i lejuar është 75% për shtëpinë e parë dhe 70% për shtëpinë e dytë.

Ndërsa raporti i shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave për kreditë në Lekë është në nivelin 40% për shtëpinë e parë dhe 35% për shtëpinë e dytë. Në valutë të huaj, niveli tavan është 35% për shtëpinë e parë dhe 30% për shtëpinë e dytë. / Monitor

Të këshilluara

ide

Pogradeci, si inerci e Shqipërisë së djeshme

Edi Rama po sillet sikur paqja sociale mund të rivendoset duke arrnuar modelin e vjetër të qeverisjes, ndërkohë që ata që kërkojnë dorëheqjen e tij e bëjnë këtë në emër të përmbysjes së një sistemi

19:23 Andi Bushati

Një monument i shëmtuar i autoritarizmit politik

Në vend që të kujdesen për godint që kërcënojnë qytetarët estetikisht dhe fizikisht, Kryeministri dhe Bashkia e tij në Durrës rendin të hedhin miliona euro për të ndërtuar mure betoni që fshehin detin dhe shëmtojnë qytetin

10:47 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

21°c

KËMBIMI EURO

92.27

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Tryeza e gabuar për Aeroportin e Vlorës/ Ministria i thërret të gjithë, por në arbitrazh është vetëm MABCO

Aeroporti i Vlorës po shkon drejt arbitrazhit jo thjesht për shkak të konfliktit mes ortakëve të VIA-s, por sepse MABCO pretendon se një zinxhir vendimesh dhe mosveprimesh të institucioneve shqiptare e përjashtoi faktikisht nga investimi ku zotëron 98% të aksioneve, duke e kthyer përplasjen nga një mosmarrëveshje private në një çështje MABCO kundër Republikës së Shqipërisë.

09:47

Me sytë katër

PAPARAZZI