Greva e urisë e shqiptarit Pano Ruçi, që kërkon drejtësi për vdekjen e djalit të tij, Denisit në aksidentin hekurudhor të Tempit, është bërë temë edhe në Parlamentin e Greqisë. Kjo çështje u përmend në seancën plenare nga ministri i Mbrojtjes, Nikos Dendias. Ministri i doli në mbrojtje Ruçit, e iu rikthye çështjes pas ndërhyrjes së Presidentit të SYRIZA-s, Sokrates Famellos, i cili nuk nguroi të fajësonte qeverinë për mospërmbushjen e kërkesave.
“Ne kemi fëmijë, nuk e kuptoj se si mund të ndalohet e drejta e një babai për të hetuar atë që gjykon për vdekjen e fëmijës së tij. Të gjithë jemi dakord për këtë. Nuk e kuptoj që mund të ketë ndonjë qëndrim tjetër. Gjëja e fundit që nevojitet është që kushtet në të cilat ky njeri po jeton dramën e tij të përkeqësohen. Nuk dua të mbaj një qëndrim më tej për çështjen e babait të pafat. Nuk e kuptoj fajin e qeverisë kur bëhet fjalë për drejtësi. Sigurisht, ne do të ishim përgjegjës nëse ky do të ishte një akt qeveritar. Megjithatë, kjo është përgjegjësi e gjyqësorit. Unë kam shprehur qëndrimin tim dhe qëndroj me babanë e pafat”, tha Ministri.
Gjykata e Larisës ka pranuar kërkesën e avokates së familjes Ruçi për zhvarrosjen e trupit dhe kryerjen e ekspertizës mjeko-ligjore, pasi shqiptari pretendon se në arkivol nuk është trupi i të birit, pasi nga aksidenti hekurudhor pati shpërthim zjarri dhe dëmtim të trupave. Procesi është shtyrë për javën tjetër po me kërkesë të avokates, e cila pretendoi një ekspertim edhe me përfaqësues teknik të caktuar nga pala mbrojtëse. Sakaq, Ruçi ndodhet në javën e katërt të grevës së urisë përpara Parlamentit grek, e gjendja e tij shëndetësore po përkeqësohet dita-ditës.