Flash

Tony Blair si "guvernatori i Gazës"

Lapsi.al 30 September 2025
Tony Blair si "guvernatori i Gazës"

Nga Luigi Ippolito – Corriere della Sera

Tony Blair, njeriu me “shtatë jetë”, rimishërimi i tij më i fundit do të jetë si “prokonsulli” i Donald Trump për Gazën. Ish-kryeministri britanik është përfshirë si një nga anëtarët e komitetit që do të udhëheqë tranzicionin pas lufte në Rripin e Gazës.

Blair nuk do të jetë pikërisht “guvernatori i Gazës” që për një moment u përfol, por emri i tij është i vetmi që përmendet shprehimisht në propozimin për paqe, dhe për këtë arsye, pa dyshim, do të luajë një rol kyç në përcaktimin e së ardhmes së Gazës.

Blair ka një histori të gjatë me Lindjen e Mesme, dhe jo gjithçka, përkundrazi shumë pak, hedh dritë pozitive mbi të. Kur sapo kishte lënë Downing Street-in në vitin 2007, ai shpalli se do të merrte postin e të dërguarit të posaçëm të OKB-së për Lindjen e Mesme: një zgjedhje e kuptueshme, duke qenë se nuk donte të rrinte duarkryq. ishte vetëm 54 vjeç dhe ishte ende herët për pension.

Por edhe atëherë pati skepticizëm ndaj këtij emërimi: në atdhe, Blair ishte diskredituar rëndë për shkak të mashtrimeve që çuan Britaninë në Luftën e Dytë të Gjirit kundër Saddam Husseinit, në vitin 2003. Jo pikërisht një rekomandim i mirë për një njeri që do të merrej me çështjet e Lindjes së Mesme.

Si i dërguar i posaçëm, Blair qëndroi në detyrë deri në vitin 2015: një mandat i pafrytshëm, që në thelb u reduktua në qëndrime në hotele luksoze në rajon. Por kjo eksperiencë i siguroi kontakte dhe hyrje të rëndësishme, që do t’i shërbenin më vonë, kur krijoi Tony Blair Institute, një biznes konsulence i quajtur ndryshe si “McKinsey i qeverive”. Ndër klientët me të cilët nënshkroi kontrata të majme, përfshiheshin sheikët e Gjirit dhe shtete me reputacion të dyshimtë, duke nisur nga diktatura egjiptiane e Al-Sisit te satrapë e Azisë Qendrore. Këto lidhje i sollën Blair-it shumë kritika, por ai kurrë nuk u shqetësua për këtë: pecunia non olet (paraja nuk ka erë) dhe aroma e parave ka qenë gjithmonë ajo që e ka tërhequr. Me konferenca, fjalime, libra dhe aktivitetin e institutit të tij, u bë shumë shpejt multimilioner.

Që ish-kryeministri ka një fiksim me Lindjen e Mesme, u pa edhe disa muaj më parë, kur doli se Instituti i tij, së bashku me administratën amerikane dhe biznesmenë izraelitë, po punonte për një projekt fantastik të quajtur Riviera e Gazës, që synonte ta kthente Rripin në një “Dubai të ri”, me ishuj artificialë përballë bregut. Pasi doli lajmi, Instituti u përpoq të distancohej në mënyrë të sikletshme, duke mohuar që plani përfshinte deportimin e palestinezëve.

Megjithatë, duket se vizionet e Blair-it kanë lënë mbresa te Trump, i cili ka vendosur ta caktojë ish-kryeministrin britanik në qendër të procesit të rindërtimit të Gazës. Dhe nuk duhet të habitemi që një ish-lider laburist është në një mendje me një president që përfaqëson populizmin e djathtë: Blair gjithmonë ka qenë një politikan post-ideologjik, që mendonte se nuk ka rëndësi nëse një zgjidhje është e majtë apo e djathtë, mjafton të funksionojë.

Blair mezi priste të rikthehej në skenë. Për një dekadë të tërë, në Britani ishte bërë “i pashqiptueshëm”, i rrënuar nga dështimi në Irak dhe i urryer si nga e djathta ashtu edhe nga e majta, simbol i një politike cinike dhe i një globalizmi që kishte dalë nga moda. Por prej disa vitesh kishte nisur një proces rehabilitimi i tij, në shkretëtirën e ideve që është bërë Partia Laburiste. Dhe kështu gradualisht u kthye në një këshilltar të padukshëm të qeverisë aktuale të Keir Starmer-it, që ka ftuar pranë vetes figura kyçe nga periudha e Blair-it. Por një rol në prapaskenë nuk mjaftonte për të dhe tani Gaza (dhe Trump) i japin mundësinë që të rikthehet si protagonist.

Të këshilluara

6.9 ballë, tërmet i fuqishëm në Filipine

Një tërmet i fortë me magnitudë 6.9 ballë ka goditur Filipinën, sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara. Tërmeti ndodhi në orën 9:59 të mbrëmjes sip...

19:04

ide

Një antihero i dëshpëruar i Homerit

Kryeministri ka përdorur mitin antik të Odiseut që nuk joshet nga sirenat, për të përçuar mesazhin se ai do të vazhdojë përpara pa pyetur për protestuesit. Por nëse nuk do e kish njohur veprën e Homerit vetëm përmes ekranizimit, do të kish gjetur tek kjo metaforë gjurmët e një autokrati

16:50 Andi Bushati

Fillimi i fundit të pushtetit të Ramës

Fillimi i fundit mund të jetë mu ky moment, kur piqet bindja e rrëzimit të një kryeministri a qeverie a rendi - pra të një lloj bindjeje se gjërat nuk do të kthehen aty ku ishin para se të fillonte protesta

09:47 Veton Surroi

MOTI TIRANA

27°c

KËMBIMI EURO

94.48

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI