Flash

Kush është noterja 35-vjeçare, Sanja Telhallari dhe dyshimet për pastrim parash

Lapsi.al 29 September 2025
Kush është noterja 35-vjeçare, Sanja Telhallari dhe dyshimet

Një vilë madhështore dy katëshe në kompleksin elitar “Rolling Hills”, në periferi të Tiranës, u sekuestrua sot në bazë të një hetimi të bujshëm për pastrim parash. Prona, e pajisur me pishinë dhe ambiente luksoze përreth, rezulton në pronësi të noteres 35-vjeçare, Sanja Telhallari, tashmë nën akuzë për përfitime të dyshuara nga aktivitetet kriminale.

Vilës në “Rolling Hills” iu bashkuan edhe 17 pasuri të tjera, mes tyre apartamente, biznese dhe vende parkimi në Tiranë, si dhe pesë llogari bankare me një total prej të paktën 200 mijë eurosh. Vlera e përgjithshme e sekuestros arrin në rreth 3 milionë euro.

Operacioni i koduar “Nënshkrimi” nisi krejt rastësisht më 15 gusht 2023, kur në zonën e Astirit u tentua të vidhej makina luksoze e Telhallarit, një “Mercedes Benz G-Class”. Hetuesit dyshuan se mënyra e jetesës së saj nuk përputhej me të ardhurat e deklaruara si notere. Nga aty, Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave në Policinë e Tiranës hapi një dosje që do të zbulonte një rrjet pasurish të akumuluara gjatë 11 viteve të fundit.

Nga viti 2013 deri në 2024, noterja ka kryer dhjetëra transaksione të shtrenjta, duke blerë apartamente, dyqane dhe së fundi vilën luksoze në “Rolling Hills”. Gjurmimi financiar tregoi se investimet në pasuri të paluajtshme dhe makina nuk justifikoheshin nga të ardhurat e ligjshme profesionale.

Në qendër të dyshimeve të Prokurorisë është lidhja me ish-bashkëshortin e saj, Klodian Porja, i dënuar në Itali me 21 vite burg për shfrytëzim prostitucioni dhe aktualisht në kërkim ndërkombëtar. Sipas burimeve hetimore, një pjesë e fondeve të përdorura për blerjen e pasurive të sekuestruara dyshohet se kanë ardhur nga aktivitetet e tij kriminale, të transferuara më pas në Shqipëri përmes Telhallarit.

Sekuestrimi i pasurive është vetëm hapi i parë. Hetuesit pritet të kërkojnë gjurmimin e mëtejshëm të transaksioneve financiare dhe lidhjeve të saj me rrjete të jashtme kriminale. Nëse akuzat do të provohen, rasti i noteres do të kthehet në një nga skandalet më të mëdha të pastrimit të parave në Tiranë, ku luks i ekspozuar në sytë e të gjithëve mbulonte një histori të errët parash të pista.

Të këshilluara

ide

MOTI TIRANA

31°c

KËMBIMI EURO

94.22

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI