Ankimi në Gjykatën Kushtetuese kundër shkarkimit nga bashkia e Tiranës është akti i parë me të cilin Erion Veliaj del hapur kundër Edi Ramës dhe Partisë Socialiste. është një vendim që pezullon përgatitjet e fushatës për Tiranën pasi data e zgjedhjeve të pjesshme në Tiranë shtyhet për disa muaj, derisa Kushtetuesja të marrë vendim, nëse do ta kthejë në detyrë kryebashkiakun e shkarkuar apo jo.
Duhet thënë se Veliaj e kishte paralajmëruar para shkarkimit se do të kërkonte të drejtën e tij në Kushtetuese, por fjalët i ranë në vesh të shurdhër. Pa ia vënë veshin kryebashkiakut të burgosur në qelitë e Durrësit, Edi Rama avancoi drejt fushatësi me një nxitim të pazakontë.
Lapsi.al ka raportuar më parë se sa shpejt lëvizi Rama për ta zhbërë Veliajn nëpërmjet një procesi që zgjati më pak se dy javë. Më 11 shtator shpalli shkarkimin e Veliajt dhe në të njëjtën frymë emëroi Ogerta Manastirliun si kandidate. Pas gjashtë ditësh, më 17 shtator, këshilltarët e PS-së u rreshtuan me firmat e tyre nën presion, për ta vulosur atë që u bë fakt më 23 shtator, kur këshilli bashkiak, në aleancë me PD-në, votoi shkarkimin e kryebashkiakut.
Kronologjia/ Dy javët që shenjuan vdekjen politike të Veliajt
Përballë këtij procesi të shpejtë, Veliaj ishte përballë dy alternativave. Ose të duronte sërish duke përsëritur devizën e vjetër “partia ime më dënon”, ose për herë të parë të ngrinte kokën dhe t’i drejtohej gjykatës Kushtetuese për të drejtën e tij, duke bllokuar procesin për Ogerta Manastirliun, duke iu kundërvënë hapur partisë që e bëri ministër dhe kryetar bashkie për 3 mandate.
Situata për Edi Ramën mbetet një "win win". Praktikisht ai e zhvesh Veliajn nga manteli i sfidantit, i drejtuesit të grupit armiqësor që eleminohet nga partia për shkak të paranojave të kryetarit. Tani në diskutimet brenda partisë, Veliaj do të marrë ngjyrat e një “tradhtari” që përballë interesit të partisë, vendos interesin personal dhe u bë pengesë për përgatitjet e PS për zgjedhjet e reja. Jo më kot, në Partinë Socialiste kanë lëvizur edhe strukturat për një proces zgjedhor që nuk ka ende një datë.
Kështu, Rama mblodhi të përzgjedhurit për fushatën e Tiranës në selinë e PS, duke i dhënë porositë e radhës. “Nevoja për ta legjitimuar udhëheqjen e bashkisë së Tiranës është çdo ditë dhe më urgjente” u shpreh Rama pas takimit, ku edhe ia dorëzoi frenat e fushatës Belinda Ballukut.
As Balluku nuk pushoi. Me nxitim, edhe pse ishte e dielë, ajo thirri në një takim gratë dhe vajzat e Partisë Socialiste së bashku me OGerta Manastirliun. Në dalje, u kujdes që të përmendte kandidaturën për Tiranën.
“Sot e shoh me zemrën plot, tek merr një hap të guximshëm për të kandiduar si kryetare e Bashkisë Tiranë, lokomotivës së Shqipërisë. E njoh mirë, e di sa shumë punon, sa shumë i do njerëzit dhe sa sinqerisht kujdeset për çdo gjë që merr përsipër. Jam krenare për ty @manastirliu.ogerta dhe nuk ka nevojë të të them, që na ke të gjithëve në krah, në këtë betejë të re që do e fitosh siç ti gjithmonë di” u shpreh Balluku në rrjetet sociale për Manastirliun.
Për Veliajn ky teatër i partisë duket i vështirë për t'u kapërdirë. Në ndihmë i vjen precedenti i zgjedhjeve të Dibrës në vitin 2016, në kohën kur Shukri Xhelili u kap në një video intime. Pasi u shkarkua nga Rama, Xhelili iu drejtua Gjykatës Kushtetuese dhe procesi i zgjedhjeve të reja u ndal. Presidenti i atëhershëm Bujar Nishani u detyrua të presë deri kur gjykatësit e Kushtetueses morën vendimin. Vetëm më pas, ai dekretoi datën e zgjedhjeve.
Veliaj tërhiqet nga përplasja me Ramën: Kisha idenë e gabuar
Avokatët e Veliajt kanë rreshtuar 15 argumenta në ndihmë të klientit të tyre, bazuar kryesisht në nenin 115 të kushtetutës. “Shkarkimi i një kryetari bashkie bëhet vetëm për shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve”, sipas Veliajt.
Ai shton se mungesa e tij nuk ishte kapriço personale, por një pamundësi objektive e shkaktuar nga paraburgimi. Madje nuk pati as vakum institucional, sepse funksionet i ushtronte nënkryetarja. Pra, sipas tij, nuk kemi shkelje të rëndë, por një justifikim të rëndomtë për një vendim politik.
Dy vitete e fundit Veliaj ka bërë çmos ta shmangë një armiqësi të hapur me Edi Ramën. Nuk iu përgjigj provokimeve edhe kur ishte i plotfuqishëm si kryetar bashkie i Tiranës, por trajtohej publikisht në mënyrë të turpshme. E shmangu përplasjen edhe kur u bë i qartë sinkronizimi mes prokurorëve të SPAK dhe goditjeve pas shpine në parti.
Shkarkimi i Lalit/ Si u koordinua edhe një herë Dumani me Ramën
E kurseu kundërvënien ndaj Ramës edhe kur ky ia hodhi në koshin e plehrave dokumentin e firmosur nga ai për të emëruar në bashki Sara Goxhajn. Edhe kur njerëzit e tij u flakën nga partia, edhe kur njerëzit e tij u urdhëruan të mos e mbrojnë publikisht, edhe kur bashkia kaloi de facto në duart e Belinda Ballukut, sërish Veliaj ka heshtur, me shpresën se do të mëshirohej nga shefi i tij.
Këtë të hënë, ndërsa i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, durimit i ka ardhur fundit. Rrugët janë ndarë edhe zyrtarisht me Ramën. Por kjo nuk ndodhi kur ishte në kulmin e pushtetit, atëherë kur mund të kishte kapital politik për ta përballuar një duel të tillë. Po ndodh në një nga ditët e tij më të këqia, i shkarkuar, i izoluar fizikisht dhe politikisht, i lënë pa mbështetje dhe gati për t'u ulur në bankën e të akuzuarve përballë 13 akuzave. Rebelimi duket i vonuar. Më shumë se shenjë force, ngjan me aktin e fundit të një njeriu që nuk kërkon më asgjë tjetër veç lirisë së tij personale./Lapsi.al