Profesori italian Michele D'Angelo, 44 vjeç, lektor biologjie në Universitetin e Aquila po mbahet në një burg në Shqipëri që nga gushti pas një aksidenti me makinë pranë Tiranës. Ngjarja ka marrë vëmendje të madhe në mediat italiane pas një shkrimi në gazetën “Il Tempo” që ka cituar rektorin e Universitetit, Fabio Graziosi.
Sipas të njëjtave burime, italiani që drejtonte një makinë “Lancia Ypsilon” u përplas nga një automjet tjetër i drejtuar nga një shqiptar. Profesori, sipas gazetës, nuk po udhëtonte më shpejt se 40 kilometra në orë, ndërsa makina tjetër po lëvizte me një shpejtësi më të lartë.

Pavarësisht kësaj, D'Angelo u akuzua për shkelje të rregullave të qarkullimit dhe braktisje të një automjeti, pasi dyshohet se e la makinën menjëherë pas përplasjes. Avokatët e tij mbrojtës e konsiderojnë këtë sjellje si instiktive dhe jo një përpjekje për t'u arratisur. Që atëherë, profesori, një fytyrë e njohur në komunitetin akademik, është mbajtur në burg në pritje të gjyqit.
Universiteti i Aquila ka shprehur angazhimin e tij në këtë çështje. "Po bëjmë gjithçka që mundemi" – deklaroi rektori Fabio Graziosi, "për të kërkuar lirimin e profesorit dhe për të ulur presionin psikologjik mbi personat e përfshirë”.
Ndërsa agjencia e lajmeve “ANSA” shkruan se disa përfaqësues institucionesh kanë shprehur shqetësim për rastin. Mes tyre është edhe senatori italian Luciano D'Alfonso i PD, i cili më 11 shtator i paraqiti një pyetje në parlament, Ministrit të Punëve të Jashtme duke kërkuar bashkëpunim të plotë me autoritetet shqiptare dhe sqarimin e rrethanave të incidentit.
Ambasada italiane në Tiranë dhe Konsullata e Përgjithshme në Vlorë janë shprehur se po "ndjekin me vëmendjen më të madhe" rastin. Ministria Italiane e Punëve të Jashtme deklaroi se "po mban kontakt të vazhdueshëm me bashkëkombësit e tij italianë, duke kryer vizita në burg dhe duke ofruar të gjithë ndihmën e nevojshme konsullore".
Michele D'Angelo dhe partnerja e tij u përfshinë në një aksident me makinë në Shqipëri më 8 gusht 2025. Të nesërmen, italianët u ndaluan nga policia dhe vetëm D'Angelo, i akuzuar për mosdhënie ndihme, u la në paraburgim. Procedurat kundër tij janë aktualisht në vazhdim. ©LAPSI.al