Një 55-vjeçar ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në Spitalin e Traumës, në Tiranë, pasi u përplas nga një automjet. Ngjarja e rëndë ndodhi të mërkurën, rreth orës 19:54, në rrugën “Vala e Detit”, në Durrës.
Sipas policisë, 55-vjeçari ishte duke ecur në rrugë, kur u përplas qëllimisht nga një makinë. Me të mbërritur në vendngjarje, hetuesit nisën punën fillimisht për të identifikuar shoferin. Ai është një 40-vjeçar nga Shijaku, i cili u shpall në kërkim nga policia.
Shkaqet e kësaj ngjarjeje të rëndë, momentalisht nuk dihen. Autoritetet vijojnë hetimet, ndërsa po punojnë për kapjen e autorit të dyshuar, i cili akuzohet për vrasje me paramendim.
“Më datë 24.09.2025, rreth orës 19:54, në rrugën “Vala e Detit”, Durrës, një automjet i paidentifikuar goditi këmbësorin, shtetasin A. K., alias B. K., 55 vjeç, banues në Durrës. Drejtuesi i automjetit, pasi goditi 55-vjeçarin, është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, së bashku me automjetin. Si rezultat i veprimeve intensive, rezultoi se automjeti tip “Mercedes-Benz”, në pronësi të shtetasit A. B., 40 vjeç, lindur dhe banues në Shijak, ka goditur 55-vjeçarin dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes”, thuhet në një njoftim të Policisë së Durrësit.