Kryedemokrati Sali Berisha ka publikuar në Facebook një foto të ish-kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako, e cila sipas tij është shkrepur brenda qelisë së burgut ku ai po vuan dënimin.
Në imazh, Dako shfaqet i shtrirë në shtrat, në kushte që më shumë të kujtojnë një dhomë hoteli sesa një qeli burgu. Një shtrat i rehatshëm dhe celulari në dorë që duket se nuk i ndahet. Nga detajet e fotos, shihet se Dako ka akses të plotë në komunikim dhe se kontaktet me jashtë i ka të siguruara. Pranë tij duket edhe një person tjetër që sipas Berishës quhet Ron Shqopa.
Pamja është domethënëse: një i dënuar për korrupsion, i cili në vend të vuajë dënimin me kufizime, duket se ka gjetur mënyrën për t’ia bërë qelinë sa më komode. I vetmi “problem” i dukshëm është fakti që priza për të karikuar telefonin i ndodhet pak larg, duke e detyruar të shtrihet më shumë se ç’duhet.
