Kryetarja e Këshillit Bashkiak Tiranë, Megi Fino, në seancën e sotme vlerësoi punën e Veliajt në krye të Bashkisë së Tiranës, duke theksuar se ai e ka transformuar kryeqytetin.
“Kujtojmë të gjithë se ishte tetori i vitit 2015 kur Erion Veliaj nisi transformimin e Tiranës pas agonisë së kryebashkiut të mëparshëm. Ishim dëshmitarë të transformimit. Nuk është rastësore që qytetarët e Tiranës i kanë rinovuar besimin tre herë.
Sot është dita të marrim një vendim për qytetarët e Tiranës. Dua të nënvizoj me forcë që ky hap po imponohet nga nevoja urgjente për të ecur para.
Sot ne po kryejmë detyrimin politik dhe moral për të zgjidhur ngërçin politik të Tiranës. Ne sot kemi vetëm një pikë në rendin e ditës, projekt-vendimin për shkarkimin kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj”, u shpreh mes të tjerash Fino, e cila në finale votoi gjithashtu pro shkarkimit të Veliajt.
S'kishte si të ndodhte ndryshe në fakt, urdhri i Ramës ishte i prerë dhe pavarësisht recitimit të Finos në seancën e sotme, ajo dhe socialistët e tjerë ishin të detyruar të votonin pro shkarkimit. Plot 51 këshilltarë majtas e djathtas, votuan pro shkarkimit të Veliajt.